Eko Higjiena

Përgjegjësia për të mbrojtur

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Presidenti Obama gjatë fundjavës deklaroi se do të kërkojë mendimin e Kongresit para se të ndërmarrë vendimin për sulme të kufizuara ajrore ndaj regjimit të al-Asadit në Siri. Një gjë mbetet mjaft e qartë: ‘vijat e kuqe’ të cilave Obama i referohej në deklarimet e mëhershme, tashmë janë tejkaluar në Siri.

Shikuar nga disponimi në dy dhomat e Kongresit, vërehet një përkrahje e lehtë, në dy taborët, për iniciativën e presidentit Obama. Vlen të përmendet se përgjatë kësaj vere, një grup punues në ShBA i bashkëkryesuar nga Sekretarja Madeleine Albright (ish-Sekretare e Shtetit) dhe z. Richard Williamson (ish i dërguar i presidentit George W. Bush në Sudan), kërkoi nga udhëheqësit e politikës së jashtme amerikane që të përfshijnë parimin e ‘përgjegjësisë për të mbrojtur’ (ang: Responsibility to Protect) ose “R2P” si element bosht në politikën e jashtme amerikane. Rekomandimi i grupit punues kishte për qëllim t’i përgjigjej zërave që përkrahnin pasivitetin e administratës amerikane ndaj shkeljeve masive të të drejtave të njeriut, përfshirë shkeljet e ligjeve të luftës, nga regjimet diktatoriale. Parimi i “R2P” ngërthen në vete jo vetëm reagimin e shteteve ndaj rasteve kur preket interesi i tyre kombëtar, por edhe në raste kur konstatohen vuajtjet në masë dhe vrasjet në shkallë të lartë, përfshirë përdorimin e armëve kimike dhe/ose biologjike.

Natyrisht se aspekti pozitiv i cili forcon edhe më tej argumentin e presidentit Obama për të vepruar ushtarakisht në Siri është rasti i ndërhyrjes në Kosovë, si rrjedhojë e të cilit në vitin 2005 shtetet anëtare të OKB-së miratuan njëzëri parimin e përgjegjësisë për të mbrojtur – “R2P”, duke krijuar një bazë legale për ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare për të parandaluar ose ndaluar vrasjen e njerëzve të pafajshëm nga liderët e tyre të papërgjegjshëm. Parimi i “R2P”-së justifikon veprimin ushtarak, si mjet të fundit, për të mbrojtur popullatën civile nga vrasjet masive, me kusht që forca e përdorur gjatë veprimeve të jetë në proporcion me kërcënimin dhe në mënyrë që veprimet ushtarake të mos shkaktojnë më shumë dëme sesa dobi. Vlen të përmendet se parimi i “R2P” ishte shfrytëzuar së fundmi edhe në Libi si bazë e ndërhyrjes të forcave të NATO-s dhe OKB-së. Megjithëse Rezoluta e vitit 2005 specifikon nxjerrjen e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit, sa herë që kërkohet autorizimi për ndërhyrje ushtarake në një shtet, miratimi i rezolutave të tilla, në raste të katastrofave humanitare si kjo e fundit në Siri, nuk do të duhej të mbetej peng i vetos së ushtruar në mënyrë të paarsyeshme nga ndonjëri nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Prandaj, “R2P” mund dhe duhet të përdoret si bazë për veprim të menjëhershëm ushtarak në Siri, pa i lënë kështu hapësirë manovruese burokracisë së OKB-së.

KKVITI

Edhe pse rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me atë të Sirisë – njëjtë siç nuk mund të krahasohet as gjendja në Siri me atë në Libi, Irak ose Afganistan – intervenimi i suksesshëm ushtarak në Kosovë vlen të përdoret si shembull i suksesit nga NATO dhe Kombet e Bashkuara. Edhe pse ka të tillë që thonë se intervenimi në Kosovë nuk ishte i përsosur, ai së paku krijoi kushte për t’i dhënë fund vrasjeve masive të civilëve, krimeve kundër njerëzimit dhe shpërfilljes ekstreme të konventave të Gjenevës. Prandaj, presidenti Obama ka të drejtë që përdor Kosovën dhe “R2P” si model të suksesshëm të intervenimit të mundshëm në Siri. Ashtu siç deklaroi së fundmi edhe sekretari i Shtetit John Kerry “ne e dimë se pas një dekade të konflikteve, populli amerikan është lodhur shumë nga lufta – më besoni edhe unë jam lodhur. Por lodhja nuk na shfajëson nga përgjegjësia që kemi”.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)