Mobi Casa

Për dekorimin e të dyshuarve për krime

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Arben Idrizi – Dekorimi i të dyshuarve për krime është të përdhosen viktimat, etika, të drejtat e njeriut, demokracia. Është të shkelen ligjet. Është të cenohet Kushtetuta. Është edhe të minohet e ardhmja.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngjallur së fundmi, me rastin e festimeve të 10 vjetorit të Pavarësisë – në të vërtetë ai zakonisht vetëm këtë e bën, më së miri – shumë reagime në opinion, duke shpërndarë poshtë e përpjetë dekorata. Nuk është se i reaguan pse dekoroi filanin. I reaguan, në të vërtetë, disa persona i refuzuan dekorimet, duke u thirrur te parimet e tyre (megjithëse tingëllonin pastërsisht si inate personale), që nënkuptonin përgjithësisht se dekorimet vinin nga një person që vendit i kishte shkaktuar, përmbledhtazi, më shumë të këqija se sa të mira.

Ndoshta kanë të drejtë. Ndoshta kanë vetëm të drejtë.

Nëse janë të drejta edhe pohimet se një e keqe është bisedimet në Bruksel, demarkacioni, e argumente të ngjashme.

Mua, duke parë nga anash, si qytetar i këtij vendi, e gjithë kjo më zgjoi një indinjatë tjetër. Jo pse ai e bënte atë që po e bënte, sepse pikërisht atij i takon ta bëjë. Por, pse e dekoronte filan e filan personin. Të dekoruarit që refuzuan dekorimin, në asnjë rast nuk e vunë në dyshim mëritën personale, përkundrazi, sikur lanë të nënkuptohet se meritojnë më shumë se sa dekorata të tilla. Me këtë logjikë, zaten, e kanë plaçkitur çdo të mirë të këtij vendi dhe kanë uzurpuar gjithçka që ishte për t’u uzurpuar.

Gjesti i presidentit, për mua, ishte në rrjedhën, e natyrshme për të, që të bëjë veprime qoftë joligjore qoftë jo etike. Gjatë ndërrimit të moteve ai kishte bërë një veprim skandaloz, duke i falur (Kushtetuta ja jep në parim të drejtën e faljes) një grup personash të dënuar për vrasjen makabre të familjes Hajra. Presidenti nuk do të ketë pasoja për këtë, sepse nuk ka kush ta thërrasë në përgjegjësi, por pasojat për shoqërinë janë të dukshme.

Mobi Casa

Të kthehemi te dekoratat. Reagimi im është, pse të dekorohen të dyshuarit dhe të dënuarit për krime lufte, korrupsion, e shkelje të tjera?

Të dekoruar të tillë ka në mesin e atyre që i kanë pranuar ato dhe në mesin e atyre që i kanë refuzuar ato. Të dekorohen Azem Syla, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Rrustem Mustafa – Remi, Sami Lushtaku, Adem Grabovci, Rexhep Selimi, e të ngjashëm, është të përdhosen viktimat, etika, të drejtat e njeriut, demokracia. Është të shkelen ligjet. Është të cenohet Kushtetuta. Është edhe të minohet e ardhmja.

Mbi supet e tërë këtyre personave rëndojnë dyshime për krime nga më të ndryshmet. Disa janë gjykuar dhe pastaj liruar në mungesë të dëshmive të mjaftueshme (por, rastet për të cilat janë dyshuar nuk janë zbardhur kurrë, kurrë nuk është vënë drejtësi për ato viktima). Disa prej tyre janë dënuar dhe kanë vuajtur dënimet (e zbutura) qoftë për krime lufte, qoftë për krime të tjera. Disa, fatkeqësisht as nuk janë hetuar, as me gjasë nuk do të hetohen.

Nuk pritej nga Thaçi ndryshe. Nuk do të pritej ndryshe nga asnjëri prej miqve të tij, të dekoruar. Nuk do të pritej ndryshe as nga miqtë e tij të dekoruar që e refuzuan dekorimin.

Kjo është një arsye më shumë, në të vërtetë arsyeja e parë dhe e mbrame, për ta vuajtur ikjen e presidentes Jahjaga. Nëse asgjë tjetër, kam bindjen, të paktën nuk do t’i dekoronte të dyshuarit, të dënuarit dhe ende të pa hetuarit për krime. Assesi nuk do t’i falte vrasësit e një familjeje. Ishte zgjedhur çuditshëm, nuk e kishte përkrahjen qytetare (në fillim) dhe atë partiake (e kuptueshme), mirëpo është personaliteti i vetëm që, të paktën deri më tani, nuk është dyshuar për keqpërdorim të detyrës, korrupsion, apo shkelje të çfarëdoshme. Dhe, shumë e rëndësishme, në përfaqësimet e vendit jashtë, ishte e mirëpritur dhe respektuar. E Thaçin, kush do ta mirëpriste dhe respektonte Thaçin? Apo shokët e tij, të dyshuar për krime, të cilët, kudo nëpër botë, i shohin si personifikim të së keqes?!