RCCOLA

Pakoja ‘Mustafa’ pakëson milionat e buxhetit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Rritja e informalitetit gjatë muajve të fundit. Rritja e tatimeve jep efekte negative

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se thellimi i evazionit fiskal do ta dëmtojë edhe më tepër Kosovën, ndërsa Qeveria duket e pafuqishme të bëjë ndonjë përmirësim në këtë drejtim

Qeveria e Kosovës, drejtuesit e Ministrisë së Financave dhe të ATK-së vazhdojnë të heshtin përballë deklaratave të ekspertëve nga koalicioni, që thonë se ka pasur një rritje të informalitetit në vend, si pasojë e masave nga Pakoja e re fiskale, që hyri në fuqi vjet në fillim të shtatorit, kur pati një rritje të TVSH-së nga 16 për qind në 18 për qind.

Sipas njohësve të ekonomisë, vlerësohet se çdo rritje e tatimeve, në të njëjtën kohë i rrit edhe përpjekjet e bizneseve për të shmangur pagesën e taksave. Ditë më parë ka qenë deputeti i PDKsë, Besim Beqaj, që ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se politikat fiskale, që janë marrë, nuk e kanë dhënë efektin që e kemi pritur të gjithë ne, që është thënë nga Qeveria që do të ketë rritje të të hyrave. “Kemi sinjale që ka rritje të informalitetit”, është shprehur ai.

Uji Dea

Kosova në regres ekonomik

Bankieri Milazim Abazi tha se çdo rritje e tatimeve, rrit ambiciet e bizneseve mashtruese për të shmangur pagesën e taksave dhe tatimeve, kështu që mund të jetë e vërtetë ajo që ka deklaruar ishministri Besim Beqaj se është rritur informaliteti. “Asnjë vend, që ka probleme me mbledhjen e tatimeve, siç është Kosova, nuk bën rritjen e tatimeve, përkundrazi vazhdimisht shkohet në ulje tatimesh, derisa të gjitha bizneset të futen në sistem. Por, Kosova fatkeqësisht po shkon në drejtimin e kundërt të rritjes ekonomike”, ka thënë ai.

Abazi i është i mendimit se me pakon e re fiskale, të vetmet efekte janë te rritja buxhetore, por në anën tjetër kemi rritje të varfërisë, e cila në vitin 2015 ka mbërritur në kuotën e 53 për qind, ndërsa papunësia në kuotën e 45 për qind. “Rritja prej 3.8 për qind për 2015-n nuk do të arrihet, ajo do të jetë dukshëm më e ulët dhe unë besoj se nuk mund të jetë më e madhe se 0,5 për qind, marrë parasysh ikjen e mbi 100 qytetarëve si refugjatë në fund të vitit 2014 dhe në fillimvitin 2015. Për këtë numër të refugjatëve, Kosova do të ketë ulje të konsumit dhe rrjedhimisht edhe të rritjes ekonomike, sidomos kur ta kemi parasysh edhe mosrritjen e eksportit”, ka thënë Abazi./kosova sot/