Nuk qëndroi në sallë pas seancës, Limaj: S’ka ndonjë program, nëse ajo është zgjidhja, rrimë sa doni në Parlament

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se bashkë me dy deputetet e partisë së tij s’po qëndrojnë në Kuvend pasi po përmbyllet seanca siç po bëjnë partitë tjera në shenjë proteste meqë “s’ka ndonjë program” se çka arrihet me këtë.
I pyetur pse s’po qëndron, Limaj tha: “Sepse unë jam i interesuar për përmbajtje, me gjet zgjidhje”.
“Nëse ajo është zgjidhja, rrimë sa doni në Parlament. Duhet të gjenden rrugë. Nuk na ka ftuar askush, s’ka ndonjë ide a program. Sikur të kishte diçka të programuar, do ta bisedonim për të ditur çka ose cilat hapa do t’i ndërmarrim. Koha është për t’i bërë institucionet, jo spektakël”.
Limaj tha se shtetin po e marrin si të mirëqenë dhe tha se kjo është e gabuar me gjithë atë që po ndodh në botë.
“Kam përshtypjen që ky ngërç duhet të tejkalohet, duke e vendosur në epiqendër shtetin. Kam përshtypjen se shumë njerëz mendojnë se ekzistenca e shtetit duhet të merret si e mirëqenë, si duhet të jetë, por në fakt s’është ashtu. Shtetin çdo ditë duhet ta meritojmë, ta mirëmbajmë”.
“Apeli im është për të gjitha forcat politike, mirëmbajtja e shtetit është kur ne kemi një konsensus për t’i ruajtur dhe mbrojtur interesat e shtetit. Dhe në emër të këtij konsensusi duhet të ulemi në tavolinë për të gjetur kompromis dhe për të implementuar vullnetin e qytetarëve. Po besoj që do të reflektojnë që sa më shpejt Kosova ta ketë një marrëveshje politike”, tha ai. /Express/