RCCOLA

Një vepër me tregime joshëse…

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Jusuf Bislimi nuk është emër i panjohur në artin e letërsisë. Ai gjer më sot ka botuar katër vepra: dy me poezi dhe dy të tjera me tregime. Këto vepra të tij janë: “Kush e zgjon ditën”, “Loti mbi qepallë”, “Flakë në zemër” dhe kjo e fundit, të cilën e botoi ditë nga botimi është e pagëzuar me titull “Mbi krahët e lumturisë” (2013).

Është kjo botë e tij mjaft interesante. Interesante, për faktin se, autori e njeh botën “delikate” të fëmijëve si dhe është me profesion pedagog, i cili ka punuar në procesin mësimor 12 vite pa shkëputje. Pra, të shkruash për këtë botë të të vegjëlve jo vetëm se donë një përkushtim dhe njohje të jetës “intime” të të kësaj moshe, por edhe ta pranosh “lojën” e tyre ashtu si e adhurojnë me të gjitha ëndrrat dhe kënaqësitë e jetës së tyre. Pse jo? Nganjëherë, jo vetëm talenti, por edhe përvoja e shkrimit të nxitë për të krijuar vepra artistike. Por, nga njëherë vije në nxitje për të shkruar edhe rrethi i jetës familjar dhe kjo “jetë” bëhet pjesë e rrëfimeve apo tregimeve e autorëve tanë.

Pra, secili autor niset nga rrethi familjar, i cili rreth të “mobilizon” dhe të shtynë për të rrëfyer ato “ngjarje” me nipa, mbesa e me të moshuar, të cilët, fëmijët e vegjël i duan shumë. Autori, në veprën e tij të fundit, të cilën e ka botuar ditë më parë “Mbi krahët e lumturisë”, sikur e ka frymëzuar jeta e jetuar me nipa e mbesa, të cilët janë qenie më të dashura për çdo njeri. Në këtë vepër me tregime janë “rrëfyer” ngjarje jete. Janë dy personazhe kryesore: Iliri (gjyshi) dhe Blerta (mbesa).

Me këtë rast do ta citojmë shkrimtarin tonë të madh, Dritëro Agollin, i cili, në një rast, ai ka shtuar: “Nëse në letërsi nuk hyn dhe jeta jote, atëherë ti nuk di ç’të shkruash”. Kjo është pjesa kryesore e secilit shkrimtar. Më mirë se njeriu që se njeh vetën dhe rrethin familjar, nuk i njeh të tjerët. Andaj, edhe ajo që rrëfehet në veprën e Jusuf Bislimit është një rrëfim interesant dhe i ndikuar nga jeta e tij, si gjysh, i cili, kah endet flet e kalon kohën me nipa e mbesa, të cilët ia shtojnë qasjen e imagjinatës për të krijuar vepra me ato belbëzime dhe me ato pyetje e përgjigje të të vegjëlve shumë autentike dhe joshëse për të gjithë.

Uji Dea

Në veprën “Mbi krahët e lumturisë” të Jusuf Bislimit janë 27 tregime artistike. Tregime që rrëfejnë për kopshtin përrallor për gjyshin e dashur, për parkun e qytetit, për teatrin e qytetit, kinemanë, banesën me libra, televizorin, për bukën e madhe si kodra, për ëmbëltoren, burimin e qumështit, gjyshin Ilir të mërzitshëm në tëbane, shpezët dhe kafshët e egra, Blerta me dy zemra, pishinën e bukur, ditën e parë në shkollë e disa tregime tjera. Janë tregime që rrëfejnë “ngjarje” jo edhe aq të shkurtra, por ato i tejkalojnë masën e hartimit artistik.

Kështu, ato të shkruara në këtë mënyrë, sikur autori jo vetëm që është frymëzuar për një temë, por aty-këtu dalin në tregime edhe me tema të tjera. Mandej, bota e fëmijëve ka dallim nga bota e të rinjve apo e moshës tjetër. Tregimet janë të përshkruara me një gjuhë të zgjedhur dhe të qartë. Edhe te vepra e autorit në fjalë, tregimet janë interesante dhe ngjallin kureshtje për t`i lexuar me një frymë, por fjalia e gjatë e rrëfimit, duke shtie në mes fjali ndërmjetësuese, sikur lexuesi e harron nisjen e “përrallës” për të cilën bëhet fjalë në fillim. Kështu, marrë në tërësi, vepra është një “brumë” i dedikuar botës së fëmijëve, duke mos anashkaluar pjesën edukativo-arsimore të tyre. Sikur autori na del këshillues dhe moralizues. Ju flet fëmijëve që të mos të bëjnë gjëra të pahijshme dhe të largohen nga e keqja. Rrëfen për librin, shokun më besnik të njeriut.

Autori në tregimin “Teatri i qytetit…” shton kështu: “Eh, more Ilir, e mban në mend vallë që atë kohë, të rralla ishin librat shqip. Kur e gjenim e lexonim e gjithë klasa. – O shoku im, koha ka ndërruar shumë. Sot nuk ka ditë që nuk bohet ndonjë libër i ri, por ai, përfundimisht pak po lexohet, sepse fëmijët dhe rinia e besa edhe burrat pleq, kanë marrë turr pas internetit, ku po e humbin kohën. Nuk kam asgjë kundër tij, ai është një arritje e çmuar e telekomunikimit, por duhet të përdoret me orar. Po dëgjoj aty-këtu, se të rinjtë natën rrinë para internetit, e të nesërmen flenë deri në mesditë. –O Ilir, librin nuk mund asgjë ta zëvendësojë”. (f.22). Mandej, ajo që na bie në sy është një fakt tjetër se, autori, gati në të gjitha tregimet e tij fillon me diellin, shkëlqesinë e tij. Sikur këto tregime janë formë e “dhunshme” e nisjes së rrëfimit.

Kjo qasje është paksa e rëndë, përkundër që në veprën në fjalë ka përshkrimet të bukura të natyrës dhe të objekteve të tjera. Ja një përshkrim i bukur: “E lanë mbrapa qytetin, trupat e trashë të arrave, plepat e gjatë njëqindvjeçarë të xha Albinit, si dhe rrugën gjarpërore si litari i lakuriquar”, (f.75). Jusuf Bislimi, si herëve të tjera, edhe kësaj here po bën përpjekje të hartojë e të “rrëfejë” tregime nga jeta jonë e përditshme, të cilat rrëfime e joshin botën e të rinjve me ato shprehje e përshkrime të bukura, që vërtet ato përshkrime janë të vendit tonë. Autori në vepër e prek edhe plagën më të dhimbshme të njeriut, kurbetin. Tregon se si nënat tona derdhin lot për fëmijët e tyre që largohen nga gjiu familjar dhe malli është i papërshkrueshëm i tyre. Sidoqoftë, vepra e J. Bislimit “Mbi krahët e lumturisë”, është një vepër që shënon një hap më tutje të autorit edhe në fushën e hartimit të prozës artistike. Veprën e botoi Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan. Ka 117 faqe. Ka edhe ilustrime të bukura arti. /Tefik Selimi/rajonipress/