RCCOLA

Një vepër me krijime poetike reflektuese me tone ironike e sarkastike…

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ditë më parë, Xhelil Arifi, krijues e publicist nga Gjilani, doli me veprën e dytë poetike me titull “Edhe engjëjt janë lozanjarë”(2018). Kjo është një vepër poetike, e cila shënon një ndryshim rrënjësor të autorit në hartimin e vargjeve, për faktin se, në veprën në fjalë, nga poezitë e para e gjer në të fundit, sikur poeti ngre zërin jo vetëm të “këndimit” poetik, por aty vërehen qartë edhe vargje ironike me theks të dalluar për ta vlerësuar të mirën nga e keqja.

Ky “fakt” krijues është prezent në veprën e tij të fundit, e cila vepër do të merr dhenë për të mirë në dobi të realitetit tonë jetësor. Vetë titull “Edhe engjëjt janë lozanjorë” të shtyn të mendosh për njerëzit që në dukje të parë të duken se janë engjuj, por – realiteti po tregon se, ata janë vetëm lozanjarë të kësaj kohe.

Pra, vokabulari i autorit Xh. Arifit të fascionon për lloj-lloshmërinë e titujve të poezive të veprës, të cilët tituj janë tema në vete dhe shënojnë gjendje e kohë e jete të njeriut tonë. Ja bie fjala titujt e poezive të kësaj vepre: “”Ledhatim engjëjsh”, “Mos gënje të kaluarën”, “Ardhmëri e destinuar”, “E kaluara pa dritë”, “Pranvera në imagjinatë”, “Sot nuk është e kaluara”, “Pa turp”, “Hana që s’perëndon”, “I huaji në botën tënde”, ”Në kërkim të identitetit tim”, “E bukura pa gjumë”, “Zjarr emocionesh”, “Qaj për të qeshur”, “Përqafim i ftohtë”, “Sa bukur është të jesh”, “Pafuqia të jesh ti”, “Dua të jem unë”, “Si ty nuk gjen”, “Kumbim Dardan”, “Urë mitologjike”, “Në pranverë lulëzojnë edhe therrat”, “Ndryshe nuk je”, “Ëndrra të fshehura”, “Mrekulli gjuhe”, “Poeti i gëzimeve të papritura”, “Ujq, vetëm ujq”, “ Ëndrra e gomarit”, “Pse nuk i sheh ngjyrat”, “Drita, je vetë ti”, “Idriz Seferi – kolosit në bronz”, “Oj Kumanovë ime!”, “Mos i keqpërdor lulet”, “Mos u fshe pas pushit”, “Për një gojë bukë”, “Pse nuk ka mbamendje?”, “Rri me plagët e mia”, “Ti e di dhe bën keq”, “Art hipokrizie”, “Në veri më ëndrra” e disa të tjera.

Shikuar në përgjithësi, poezitë e Xhelil Arifit kanë një “dozë” të mospajtimit me realitetin e kohës. Ai (poeti), këtë reflektim e shpërfaq si një lloj “opozite”, ku nuk pajtohet me arritjet, me të kaluarën e nëpërkëmbur, me pranverën e vonshme në imagjinatë, ku një varg ai shton: “Të kalurën ma përkujton/ Ëndrra e djegur/tani mos më pyet për të ardhmen/ Është reale ta kuptosh të somen/ Pa e ndjerë dritën që të shkoi:”f.(10).

Apo tek poezia “Palaço në vend të huaj”, poeti në fjalë ngre zërin e mërgimtarëve tanë, të cilët punojnë dhe shton se, “edhe hunda ime i ngjante të tijes, por analogjia ishte e pavend/ Ai dëshironte të ishte i tillë në vendin e vet”f.11). Sipas poetit, koha ecën dhe rrëshqet dhe ajo s’ndalet. Por, në këtë rrëshitje, sikur jeta nuk ndryshon dhe ajo mbetet si këngë e vjetër. Poeti është në kërkim të identitetit. Dhe, shton: “Mos e rreni veten o njerëz/ ju jeni në kërkim identiteti/ Akoma nuk e kuptuat?/edhe atëherë kur e mohoni vetën? (f.25). Apo, shton poeti: “Nuk të dëgjon askush/ Ty/ xhuxh protestuesi/ janë kohë të shurdhëta këto”(f.27). Me fjalë të tjera, sado që dikush bën përpjekje ndryshimesh, është një kohë që vërtet s’të dëgjon. Andaj, autori i veprës e ironizon këtë kohë me këta njerëz, të cilët nuk reflektonjë në të mirë. Edhe pas kësaj “gjendjeje”, poeti revoltohet, ngre zërin e protestës në të mirë, por, në vend të Ngushëllimit, ai thotë se “qaj për të qeshur ne”. Kjo është ironia dhe sarkazmi i poezisë së autorit të veprës në fjalë.

RCCOLA

Xhelil Arifi, poet, me këtë vepër poetike po tregon se poezinë e ka ushqim shpirtëror. Ai e shkruan poezinë vetëm kur ia dikton zemra. Ia dikton taktet dhe vuajtjet e njerëzve, sot. Ja në poezinë me titull: “Jo këndej”, ai ngre zërin e revoltës dhe shton: “Maskarenj/ mos trokisni në derën e hapësirën time/Këndej nuk është botë engjëllore/Këndej është fundi i krenarisë suaj primitive”(f.27). Janë vargje që kthejnë vëmendjen e njerëzve që kanë humbur rrugën e jetës. Si çdo njeri, edhe poeti shton se, dëshiron të jetë vetja.

Ai shton se, i është zbehur dëshira të jetë si ai, andaj thotë se, dua të jem si ai tjetri. Ja si këndon: “Dua të kem ëndrra të padjegura/ dhe dëshira krenarie/ të ta them, jam” (f.51).

Në poezinë “Kalimthi nëpër vendin tim”, poeti shton se, është një lloj nostalgjie dekadash që nuk e ka parë vendin e vet, tek i cili, në këtë rrugë kalimthi, thotë se po nuhas aromën e mallit për të kaluarën, “kur të lash e s’të pash më asnjëherë/ e tani në rikthim/i duket, aroma e tokës me avullin që lëshon dheu im…/këto nostalgji e mall, “akoma e mbaj për vete, Veni im!”(f.67). Autori Xh. Arifi, në veprën e tij “Edhe engjëjt janë lozonjarë” sikur botës ka dëshirë t’ia përcjell një pjesë të historisë se Ilirëve. Ai në titullin e poezisë “Ilirët nuk e njihnin Ballkanin”, shton se, Laurini nuk fliste gjuhë tjetër, Gadishullin Ilirik e kishte atdhe/…S’e harruam Illyrikumin!”(f.75).

Xhelil Arifi, poet, figurat kombëtare nuk i ka harruar. Ai u ka kushtuar poezi Idriz Seferit dhe disa figurave tjera të kombit. Tek poezia e tij me titull “Idriz Seferi – Kolosit në bronz”, autori ka fjalë miradije për këtë kolos, i cili ishte trim mbi trima që luftoi nga fëmijëria e gjer në vdekje. Poeti, përjetësinë e tij në bronz e poetizon me vargje se trimi armiqve ua shtinte tmerrin e frikën, duke kënduar: ”Atyre që nuk të duan/ballëlartë, roje mbi shqiptari”(f.104). Në vepër kemi edhe krijime të tjera përkushtuese, të cilat autori i përkujton dhe shton se për këto figura “nuk ka datë, çdo ditë është ditë kujtimi për ju/Skifter e Milazim Arifi- ai djalosh axhe e axha im Xim”(f. 129). Janë vërtet përkujtime dhe përkushtime që autori nuk i lë në harresë, përkundrazi, ai i përkujton me pietet heroizmin e tyre në luftë për liri dhe atdhedashuri.

Shikuar në përgjithësi, vepra e Xh. Arifit është një lloj ditari apo copëza historie që flet apo rrëfen ngjarje, figura njerëzish, por edhe ka nëpërmjet këtyre vargjeve që poeti revoltohet, ngre zërin e protestës ndaj padrejtësive, të cilat janë përditshmëri jona ku jetojmë dhe veprojmë. Vepra ngërthen në vete vargje lirike të çiltërta dhe shumë joshëse për lexuesin. Poezitë e veprës në fjalë janë pjesëza jete, janë edhe revolta e njeriut tonë, i cili, si duket, është i zhgënjyer me atë ëndrrën e tij të kahershme për një jetë tjetër./tefik selimi/rajonipress/