Fundamenti

Një vepër dokumentare për Gjimnazin e Gjilanit…

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit ka një histori mjaft të hershme të punës edukativo-arsimore. Është institucioni më hershëm arsimor në Anamoravën e Gjilanit. Nga kjo vatër e diturisë kanë dalë me qindra e mijëra intelektualë: mësues, arsimtarë, profesorë, pedagogë, psikologë, mjekë, doktorë shkencash, gazetarë, poetë, shkrimtarë, edukatore e njerëz të tjerë të profesioneve të ndryshme të jetës publike ka thënë Tefik Selimi në parathënien e librit Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit 1945-2013.

Duke parë këtë shkollë të hershme, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën edukativo-arsimore, na shkoi mendja të shkruajmë një libër monografik për të mos lënë në harresë historinë e kësaj vatre të dijes, e cila e nisi punën e procesit mësimor nga 20 prilli të vitit 1945 apo tash e 68 vjet më parë.

Më tepër se gjysmë shekulli pune. Gjysmë shekull dije e ditur, por me sfida të rënda pune e jete. E quajtëm tempull i dijes, sepse ishte e mbeti institucioni shumë i rëndësishëm shoqëror për arsimimin e gjeneratave të reja. Dhe, jo vetëm kjo. Regjimi serb barbar i një kohe të perënduar, por edhe më vonë, këtë vatër të dijes nuk e ka dashur për të mirë. Përherë, shkollarët dhe personeli mësimor e kanë pësuar dhe kanë qenë në shënjestër jo për të mirë. Përkundrazi, për shqiptarët, gjimnazi ishte “shtëpi” e e madhe e dijes dhe e diturisë.

Në fillim, Gjimnazi “Z. Hajdini” i Gjilanit punoi me paralele të pakta dhe me shkollarë të përzier. Më tepër pati shkollarë serbë, se shqiptarë. Por, dita-ditës, kjo “gjendja” ndryshoi. Erdhën kohët “tjera”, kur u shtua numri i shkollarëve shqiptarë e i personelit mësimor. Erdhi koha kur u shtuan paralelet me shkollarë shqiptarë. Gjimnazi vjen duke i lëshuar rrezet e dijes e të dritës jo vetëm në Gjilan, por paralelet e veta i shtoi edhe nëpër qendrat tjera të Kosovës, si në: Kamenicë, Viti e Bujanoc. Ishin vite të vështira të fillimit të punës së këtij gjimnazi, cili, shumë në vonë, ata që nuk e deshën e quajtën “çerdhe të nacionalizmit” shqiptar! Pse jo? Vërtet, në një kohë të rëndë për shqiptarët, kur u quajt dhe kohë e vendimeve të mëdha, rinia shkollore së bashku me personelin mësimor, kundërshtoi gjithçka që nuk ishte në vijën e së drejtës për vetëvendojsje.

Pra, populli jetoi me histori të nëpërkëmbur nga të huajt. Thonë, edhe më herët, por edhe më vonë, këtu janë shkolluar gjenerata të atdhetarizmit, të cilat, sot,janë krenari e vendit. Në ditët e para, në gjimnazin e Gjilanit nuk është punuar në gjuhën amtare. Kjo dihet. Sepse, regjimi i asaj kohe përherë ka “trumbetuar” se ka munguar kuadri mësimor shqiptar.

Por, pas viteve 1950 e më vonë, kuadri, por edhe numri i shkollarëve është shtuar nga viti në vit. Kjo i ka brengosur serbomëdhenjtë, sidomos, kur erdhën kohë “tjera” të kalimit në të shkollarëve dhe mësimdhënësve në objektin e gjimnazit të Ri, më 1972. E shihnin rritjen e të rinjve shkollarë. Filloi mësimi kabinetik. Kësaj pune i gëzoheshin të tjerët, për faktin se nuk shtohej asnjëherë numri i shkollarëve shqiptarë. Por, kjo “punë” nuk shkoi gjatë, dikujt nga shqiptarët i shkoi mendja dhe mësimi kabinetik shndërrohet në mësonjëtore. Këtë e ka thënë ish drejtori i gjimnazit, Hysen Latifi, tash në pension.

Nga kjo kohë shtohet numri i shkollarëve dhe i paraleleve. Një kohë u quajt periudhë e artë e punës në Gjimnazin e Gjilanit. Pse jo? Shumë kuadro, që punuan atë kohë, ishin të diplomuar dhe të fortë. Ja disa emra të profesorëve që punuan: dr. Xhafer Xhaferi, dr. Sabri Tahiri, dr. Sadri Shkodra, dr. Faik Shkodra, dr. Ferat Rexhepi, dr. Enver Sherifi, dr. Ruzhi Ushaku, mr. Aliriza Selmani, dr. Musa Selimi, Ilaz Matoshi, Qazim Selimi, Rashit Gashi, Isane Orana, Ajshe Gashi, Meriman Braha, Ymer Halimi, Sefedin Balaj, Haxhi Vokshi, Mehmet Surdulli, Sadullah Brestovci etj. Kaloi kjo kohë. Erdhën kohë tjera. Gjimnazi në vitet 1972/73 kaloi në objektin e ri. U quajt Gjimnazi modern. Në krye ishte Vlada Cvetanoviqi. Një drejtor me “tapi”.

Ky e kishte uzurpuar gjimnazin e Gjilanit. Kur erdhi koha të ndryshojë “gjendja” e tij, sikur nuk e deshi këtë kohë. Iku në një vend tjetër. Ishte bashkëpunëtor i Komitetit të asaj kohe. Prapë ndryshoi gjendja.

Erdhi drejtor nga radhët e shqiptarëve. Por, akoma ishte gjendja jo e mirë. Vitet 1981 e më vonë, ky gjimnazi i përjetoi të gjitha lëvizjet e vendimeve të mëdha. Pati izolime, biseda informative, por pati edhe të larguar nga procesi mësimor. Në vitet e rezistencës të vitit 1989, edhe shkollarët dhe mësimdhënësit e këtij gjimnazi i përkrahën kërkesat e minatorëve të Stari Tërgut. U helmuan shkollarët shqiptarë të këtij gjimnazi. Çdo ditë, gjenda keqësohej më tepër, sepse punëtorët e gjimnazit, nga kjo kohë u ftuan në diferencimin ideo-politik për ti larguar nga puna.

Eco Higjiena

Mandej, u bë largimi i shkollarëve dhe i punëtorëve nga objektet e tyre shkollore. Filloi mësimi nëpër “shtëpi-shkolla”. Dhjetë vite u punua nëpër këto objekte private, të cilat populli i liroi dhe u doli në ndihmë. Në paralelet e “ndara” të Zhegrës nuk u lejua mësimi të zhvillohet në objektin e shkollës fillore. Këtë e bëri një drejtor nga Budriga serbe, i quajtur N. Mlladen.

Këto paralele të gjimnazit qendër mësuan dhjetë vjet nëpër shtëpi-shkolla e nuk u ndalën. Edhe pas shumë vështirësive të mëdha, shkolla shqipe mbijetoi duke i falënderuar popullit zemërgjerë. Përësri erdhën kohë tjera. Me luftën e fundit 1999, Kosova fitoi pavarësinë. Shkollarët u kthyen në shkollat e tyre. Filloi një jetë normale. Pati nga shkolla në fjalë edhe viktima të luftës. Pas luftës, filloi bashkëpunimi në mes shkollave të mesme të shtetit amë, Shqipërisë e shkollave të Kosovës.

Gjimnazi i Gjilanit u binjakëzua me shkollën e Kukësit, të Lezhës e me ndonjë tjetër. Shkëmbyen takime në mes vete. Gjimnazi i Gjilanit pati një rrugëtim të vështirë. E filloi nga një shtëpi rinie e qytetit, ku pas luftës 1944 e më vonë, ftoheshin të rinjtë të shkolloheshin. Fillimi ishte i vështirë. Mandej u kalua në objektin e Gjimnazit të Vjetër. Edhe ky Objekt u dogj në vitin 1976. Viti 1973 gjimnazi fitoi objektin e Ri. Këtu filloi mësimi normale dhe i mirëfilltë i arsimimit dhe edukimit të të rinjve. Së shpejti do të fillojë punën Gjimnazi i Ri modern.

Ky gjimnaz do të nis punën në vitin 2013/2014. Me fat! Kjo monografi nuk është si monografitë e autorëve të tjerë. Këtu nuk ka shumë emra shkollarësh, as paralelesh, as nota të nxënësve, sepse ky është një “stil” në vete i autorit. Pra, nuk ka statistikë. Autori i monografisë së Gjimnazit me kohë ua ka bërë me dije punëtorëve të këtij gjimnazit që ti dorëzojnë biografitë e tyre në drejtorinë e shkollës apo te vetë autori. Iu dashtë autorit disa kolegë ti lus për ti dorëzuar me kohë, por, disa nga ata nuk shprehën dëshirë as vullnet të mirë që të jenë pjesë e këtij teksti për shkollën e tyre. Nuk mendoj se kam kryer një tekst të përkryer, por si monografi e parë, besoj diçka jam munduar të japi kontributin tim për këtë tempull të dijes, ku autori ka punuar më tepër se 40 vite të plota.

E përkrah mendimin e Ali Podrimjes, tash i ndjerë, i cili, në një gazetë shqipe, pati shtuar: “Kush mendon ndryshe, uroj ta marrin guximin dhe ta bëjë më mirë! S’ka gjë të keqe!” E, autori është i vetëdijshëm se nuk ka qenë e mundur të shënohen krejt “sendet” dhe personeli që ka punuar në një kohë pa kohë, madje të shënohen të gjitha “ngjarjet” që janë të lidhura me këtë institucion të hershëm arsimor.

Por, është nisur nga të tjerët që kanë thënë, ku punon njeriu një kohë të gjatë, është e nevojshme të lihet gjurmë apo vepër për atë kohë që ka punuare vepruar. Apo, nuk përjashtoj se kjo monografi s’ka lëshime, sepse është periudhë e gjatë kohore që të përfshihen të gjitha të dhënat nga fillimi.

Madje, si autor, kërkoj falje për ndonjë rast që nuk është përmendur, e i cili nuk ka rrëshitur pa qëllim. Besoj, kjo monografi nuk do të jetë e fundit. Uroj të shkruhen edhe monografi të tjera. Ishte më vështirë të fillohet si libër i parë. Ka vend edhe për plotësime tjera. Autori i monografisë i falënderon nga zemra ata që iu kanë përgjigjur bashkëpunimit, të dhënave të ofruara me kohë, biseda me ta si dhe ndihma materiale. Pa bashkëpunim dhe pa ndihmë, e vështirë do të ishte dalja në dritë e kësaj monografie të kësaj shkolle të dijes.

Kjo ishte ajo që jam munduar tri vite për të ndriçuar një punë të hershme e të rëndësishme të këtij gjimnazi, i cili e vlen të shkruhet edhe më shumë ka thë autori i librit Tefik Selimi./rajonipress/