UBT

Një monografi për trungun gjenealogjik të familjes

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Monografitë për trungun familjar janë mase të nevojshme dhe kanë rëndësi të veçantë. Pse jo? Aty njeriu e përkujton të kaluarën jo vetëm të një kohe të familjes, por i “rrëfen” të gjitha ngjarjet e familjes që i takon.

Në anën tjetër, në monografitë e tilla autori e ndriçon historinë e prejardhjes së familjes në përgjithësi. Pra, këto vepra e kanë rëndësinë e madhe, për faktin se, duke bërë fjalë për të parët e familjes, sikur pasardhësit ose brezat që vijnë pas, e kanë më lehtë të dinë e ta njohin mirë e mirë të kaluarën dhe historinë e familjeve që u takojnë. Këto monografi për trungun familjar janë një lloj “dëshmie” e gjallë e një kohe dhe janë me rëndësi të madhe për gjenealogjinë familjare. Njeriu vetëm me vullnet dhe përkushtim të madh e krijon një vepër të tillë që ka të dhëna dhe shumë vlera të tjera historike.

Andaj, populli e ka thënë filozofinë e tij shumë të qëlluar dhe me vend: “I mençuri shënon, ndërsa dembeli mban në mend!” Edhe Azem Veseli, nga Muhovci (1939), ia ka hyrë kësaj pune me shumë vullnet për ta ndritur historinë e familjes së tij me librin“ Trungu gjenealogjik i baxhukëve”, i cili dokumentar po e argumenton me fakte kohën e hershme të historisë së familjes Baxhukëve dhe të tjera (Zarbincë e Muhoc). Në veprën në fjalë autori i monografisë Azem Veseli e ka ndriçuar gjenealogjinë e familjeve që janë shpërngulur me dhunë nga okupuesi shumë shekullor serb. Prandaj, populli këtë histori di ta vlerësojë e ta çmojë ato vuajtje e përjetime që i ka përjetuar gjer në palcë populli në atë katrahurë jete. Te ne shqiptarët është një e “mirë” që, më shumë flasim e më pak shkruajmë!

Kjo nuk do të duhej të ishte si mentalitet, i cili pak pëlqehet dhe na dëmton neve si etnos. Por, intelektualët dhe njerëzit tanë që merren me shkencë e me dije të tjera, e kanë për obligim që çdo gjë që ka të bëjnë me familjen dhe historinë e popullit tonë, të shënojnë si “ngjarje” si veprim apo si histori e popullit tonë. Vetëm kështu do të ndriçohet historia jonë e nëpërkëmbur nga të tjerët. Ne, pas luftës së fundit 1999 kemi bërë disa hapa të shpejt në shkrimin e monografive të ndryshme. por më tepër par ato ngjarjeve të luftës së fundit, ku disa figura të luftës që na mungojnë e kanë rënë në altarin e lirisë, u kemi bërë nderë duke i ndriçuar për të mos u harruar dot. Andaj, me plot gojë e themi se, ne shqiptarët nuk ia dimë aq rëndësinë librit, për faktin se, të tjerët na kanë dashur jemi robër i tyre dhe të merremi me punë të tjera fizike.

Edhe kjo “jetë” nuk urrehet, por, nëse historia është mësuesja e jetës, atë histori duhet ta rrëfejmë e ta përfolim nëpër ndeja të ndryshme, por edhe ta shkruajmë e të lëmë gjurmë me ndonjë vepër apo shënim tjetër. Kësaj pune ia ka hyrë dhe ia ka dalë Autori Azem Veseli, i cili, ditë më parë botoi librin me titull “Trungu gjenealogjik i baxhukëve”. Është fjala për dy familje në Zarbincë dhe Muhoc, komuna e Bujanocit. Por, e rëndësishme është se, ai e ka ndriçuar historinë e këtyre dy familjeve, por nëpërmjet tyre, ndriçohen edhe shumë të dhëna të tjera të një kohe të hershme të luftës dhe të mbijetesës së popullit shqiptar në kufirin shqiptaro-serb.

Pra, autori niset me historinë e familjes Baxhukëve të ardhur nga Vraja. Mandej flet për shpërnguljen e tyre, për Baxhukët e Zarbincës, të Muhocit, të Baxhukëve të Lajçiqit, të familjes së Limonëve, Kamberi. Mandej, flet për veprimtarinë e Vesel Ramadanit të Baxhukëvë, flet për Shipashnicasit në kryengritjen e Dervish Carës në vitet 1843-14. Autori, Azem Veseli, shkruan për takimet e vendlindjes në Muhovc, por shkruan edhe për kohën e ndërrimit të përbërjes së popullatës brenda natës. Shkruan për shpërngulen e shqiptarëve të Malësisë së Bujanocit para dhe pas luftës së Kosovës të vitit 1999.

Autori, duke njohur historinë e shqiptarëve, sidomos të familjeve që janë shpërngulur brenda natës, ai jep shumë të dhëna që flasin dhimbshëm shpërnguljen e tyre dhunshëm nga regjimi serb. Kështu, shton autori: “Rajoni i Toplicës, i pjesës që lidh Leskocin dhe Vrajën, në fund të shekullit XIX ishte i banuar me shqiptarë. Deri para përkufizimeve jo të drejta, me vijën e demarkaconit kufitar shtetëror serb, në Kongresin e Berlinit, më 13 korrik të vitit 1878, i takonte Vilajetit të Prizrenit, e më pastaj Vilajetit të Kosovës, ndërsa nga vitit 1877, pas shpërnguljeve më të ndryshme, i ka mbetur brenda territorit të Serbisë, (f. 26). Apo, duke iu referuar shkrimeve të ndryshme, autori shton edhe këtë se,”Në fundshekullin XIX, shkencëtarisht është dëshmuar se në qytetin e Vrajës dhe në rrethinën e saj ka jetuar popullata shqiptare. Edhe me regjistrimin e popullatës që e kishte bërë pushteti i atëhershëm serb në vitin 1873, evidentohet e dhëna se në Sanxhakun e Nishit jeton një përqindje e lartë e shqiptarëve” (f.27).

Fundamenti

Kështu, Mita Rakiq, serb, shkruan sipas autorit edhe këtë se: “Me regjistrimin që është bërë gjatë luftërave të zhvilluara në Vrajë janë evidentuar 991 shtëpi të shqiptarëve dhe 860 shtëpi të serbe”. Po ashtu, autori i zë në fjalë edhe disa shifra rreth numrit të banorëve shqiptarë, ku në vitin 1879, në Vrajë kishte 830 shtëpi, kurse 350 shtëpi të boshatisura nga shqiptarët. Ndërsa, Leskoci, që ndodhet disa dhjetëra kilometra larg Vrajës, thuhet se i kishte atë kohë 2500 shtëpi serbe dhe 1000 shtëpi shqiptare.

Kjo përqindje e madhe e shqiptarëve në këto troje, e sidomos në qytetin e Vrajës, ishte shkas që ushtria serbe ta ndërmarrë aksionin e ushtrimit të dhunës dhe presionit ndaj shqiptarëve të paarmatosur dhe të pambrojtur gjatë luftës dhe pas saj, në Sanxhakun e Nishit, e në veçanti në rajonin e Vrajës dhe Leskocit, për t’i detyruar shqiptarët të shpërngulen sa më shumë nga ky rajon e rajone tjera të kësaj ane.

Kështu, autori Azem Veseli, në mongorafinë e tij për trungun gjenealogjik të familjes së tij, shton: “Akoma janë në kujtesë e gjeneratave të moçme rrëfimet që ua kishin përcjellë gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre brezave të sotëm për ngjarje dhe vuajtjet rrëqethëse gjatë luftimeve dhe ikjes për të shpëtuar nga masakrat e ushtrisë serbe dhe ruse, di dhe të grupeve vullnetare serbe të ardhura nga shumë vise tjera jashtë trevës shqiptare. Andaj, autori shton se, “Për ta arritur qëllimin e dëbimit të shqiptarëve nga rajoni i Vrajës dhe Leskoci, serbët përdornin të gjitha mënyrat e mundshme, vrasjet, djegiet e shtëpive dhe të objekteve, plaçkitjen e pasurisë dhe të gjitha të mirat e tjera që i gëzonin shqiptarët…”(f.32).

Ja se si i përshkruan këto dëbime Nikolla P. Iliq, në bisedë që e kishte zhvilluar me ata që i kishin përjetuar këto ngjarje: “Kam dëgjuar se ata i kishin hasur kolonat turke duke ikur në gjendjen më të mjerueshme, pasi serbët atëbotë shqiptarët i quanin si “turq”. Edhe sendet që kishin mundur ti marrin me vete për t’i shpëtuar, gjatë rrugës i kishin hedhur, vetëm për të ikur më lehtë. Shumë kafshë të ngordhura përgjatë rrugës nga lodhja dhe uria, ose të gjymtuara nga akulli dhe rrëshqitja. Kishte hasur në fëmijë të hedhur, të humbur ose të lënë, gra dhe pleq të shangur nga dimri ose gjysmë të vdekur nga lodhja dhe uria”(f. 33).

Shumë herët politika serbomadhe bëri elaborate për shpërngulen e shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore. Ishin të njohura elaboratet e Ivo Andriqit, Dobrica Qosiqit, Ilija Garashanjinit e shumë të tjerëve, të cilët, në qendër të programet e tyre ishin shqiptarët. Edhe një Jovan Haxhivasileviqi kishte proklamuar tezën e njohur për shqiptarët, ku shton: “Sa më pak që të ketë shqiptarë dhe turq në mesin tonë, aq më e madhe do të jetë merita për atdhe dhe sa më shumë shqiptarë që të shpërngulni ju, aq më i madh do të jetë suksesi për atdheun tonë” (f. 38).

Nëse ne nuk e shkruajmë ashtu si ka qenë historia jonë e dhembshme e krenare, e shkruajnë të tjerët, të cilët e bëjnë në favorin e tyre. Pse jo? Historia jonë nuk është pa një datë apo nisje të hershme të saj. Ajo është një histori shumë e hershme dhe shumë e dhimbshme. Ky popull i ndershëm yni, historinë nuk e dinë ashtu si është ajo.

Andaj, intelektualët tanë, të cilët janë shkolluar, e kanë për obligim të ndriçojnë të kaluarën tonë të hidhur dhe krenare. Nuk ka më mirë e më ndershëm se ta njohësh historinë apo vetvetën. Duke njohur vetëm, i njeh edhe të tjerët. Secili që e njeh vetën, ai ta respekton historinë dhe kulturën e popullit që i takon. Një meritë të jashtëzakonshme i takon edhe autorit të librit “Trungu gjenealogjik i baxhukëve” Azem Veselit, i cili prej një arsimdashësi të madh të shkollës shqipe, kur tash i ka kaluar të 70-tat, e kthen lapsin për ti shënuar ato ngjarje të fshatit dhe të rajonit ku jeton duke i përshkruan në librin e tij të botuar ditë më parë nga Shtypshkronja Pika 5A në Gjilan. E, autori në një vend shton: “Njeriut pa e ditur të kaluarën, nuk mundet ta ndërtojë të ardhmen si duhet”. /Tefik Selimi./rajonipress/