Eko Higjiena

Një libër për trashëgiminë tonë kulturore nga Ismet Tafili

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në veprën e këtij autori vërehet orientimi i vëmendjes kushtuar trashëgimisë arkitekturore të shtëpive të fshatit, në kuadrin e të cilës flet për lokale përcjellëse të familjeve, si plemet, rrethojat e oborrit, dyert e oborrit, mullinjtë, enët tjera të jetës fshatare.

S’ka më bukur se të shkruash për “sendet” e jetës sonë. Populli ynë e ka jetuar jetën me këto “elemise” të jetës. E tillë ka qenë kjo jetë e tij. Pra, ishte një jetë me skamje, vuajtje, dhunë, drojë, përndjekje, vrasje e jetë të nëpërkëmbur.

Edhe pas kësaj jete të zymtë e të rëndë, populli është dashur të jetojë. Jeta i mund të gjitha sfidat. Edhe në këto kohëra të vështira e të rënda, njeriu e ka përballuar jetën. Nevoja e ka shtyrë të mendojë për të ndërtuar mullinj, makina hedhëse, plug, parmendë, drapër, kosë, sopatë, heks, qekan, lidhëse për duaj të tallës, kosha, hambarë, qerre, bigë, gërbulë, zgjedhë, por edhe “elemise” të tjera për rregullimin e stofit nga leshi, si: vekun, drugzën, pejtë, makaret e shumë mjete të tjera pune. Këto janë sende pa të cilat s’ka mundur njeriu të jetojë.

Të paktë janë krijues që kësaj fushe iu kanë qasur për ta ndriçuar. Pak ka shkrime, studime e punime të tilla, por edhe botime për këtë fushë mjaft me rëndësi të jetës sonë. Këtë fushë të jetës nuk do të duhej harruar. Përkundrazi, këto “sende” do të duhej të ndriçohe, për faktin se, rinia jona, ajo as që i njeh dhe as që ua di vlerën trashëguese. Prandaj, çdo “gjë” që harrohet, shkon në dëm të pjesës sonë trashëgimtare.

Andaj, ditë më parë, Ismet Tafili 1960), nga Gjilani, botoi një libër publicistik me titull “Pribovci” (vlera të trashëgimisë kulturore). Ky libër është shkruar për fshatin Pribovc. Ndonëse është një libër jo aq i voluminoz, prapëseprapë, ka vlera. Janë do “sende” që autorit i ka lënë si gjurmë të kësaj pjese të anës së Bujanocit. Prandaj, “ të dhënat për fshatin Priboc janë shoqëruar me disa toponime të fshatit, të cilat janë trajtuar më thellësisht si: Selishta, Te Kisha, Varret e fshatit, Varrezat në Selishtë, Dushku i Mates, grutët mbivarrezorë, etj., ndërsa mikrotoponimi sjell në këtë libër, sikur ka sforcuar interesimin e Ismet Tafilit për të dëshmuar autoktoninë shqiptare në Proboc dhe më gjerë në Hashani” (f.5).

Në veprën e këtij autori vërehet orientimi i vëmendjes kushtuar trashëgimisë arkitekturore të shtëpive të fshatit, në kuadrin e të cilës flet për lokale përcjellëse të familjeve, si plemet, rrethojat e oborrit, dyert e oborrit, mullinjtë, enët tjera të jetës fshatare.

Fundamenti

Mandej, Ismet Tafili nuk e ka anashkaluar trashëgiminë e luajtshme, e cila “pjesë” zë një vend të veçantë në veprën e tij, si hambarët, koshat, zgjedha për gjedhe, grabuja, sfurqet, mokna, parmenda, kularët, bishti, hengeqi, tabanat, kularët, turjela, brusi, qekani, tërfurku, llojtrat, kanatat, kulari e sendet të tjera të kësaj natyre. Këto janë veglat e bujqësisë. Në vepër janë përmendur edhe elemiset të tjera: lugë e drunjta, sofra, magjet, sita, sangjaku, bluda, kënata, virigu etj.

Autori ka përmendur dhe trashëgiminë shpirtërore, e cila është e përfaqësuar me disa valle popullore që luhen në Hashani, por këto luhen, sipas autori edhe në Proboc, si janë: lojërat popullore, gojëdhënat dhe anegdotat, të cilat zënë një vend të duhur në këtë trevë. Në librin e Ismet Tafilit përmenden veshjet popullore të burrave, grave, ku këto janë të shoqëruara me fotografi, por janë të përshkruara edhe me fjalë format e tyre, ngjyrat, veglat me të cilat masa ka punuar e ka jetuar jetën.

Në hyrje, autori ndalet shton se, për fshatin Pribovc nuk ka shkuar askush gjer më tani. Pra, edhe këto pak të dhëna të tij, janë një dëshmie mjaftueshme, për të nxitur të tjerët për t’u marrë në të ardhmen e kohës. Ismet Tafili shton se, krejt këtë punë e ka bërë në mënyrë vullnetare, ku “interesim që lindi nga nostalgjia për fshatin që po mbetet i shkretë, po mbetej pa banorët e tij, sepse tashmë kishte ndodhur dëbimi masiv i probacasve, nga forcat ushtarako-policore të Milloshqviqit pas vitit 1999, sikur kishte ndodhur me gjithë popullatën shqiptare të Malësisë së Bujanocit” (f.7).

Trashëgimia është e jetës së popullit të kësaj ane është përshkruar mjaft në detaje. Bie fjala, autori I. Tafili bën fjalë për dyert e oborrit të punuara prej druri, burimet e ujit, krojet e çezmet, por tregon toponiminë e Çezmës së re te varrezat e fshatit, Dushku i Matës, Lisat binjak në lagjen e Sadikajve, Guri i Pribocit, sanën e Hafiz Musliut, pllakën identifikuese të fshatit, lojërat e krushqëve të panjohur, veshje popullore etj.

Ismet Tafili ka punuar edhe në bibliotekën e qyteit “Fan S. Noli” në Gjilan, mandej ka punuar në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, ku punon edhe sot. Ka botuar librin kushtuar dëshmorin e luftës së fundit Tefik Zymberi me titull “Dielli nuk vritet” etj. Është njëri nga krijuesit që merret vazhdimisht me shkrime të ndryshme.

Ky libër i tij është një përpjekje e tij për të hedhur në dritë vlerat tona trashëgimtare. Vepra është e botuar nga QRTK (Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore) në Gjilan. Vepra ka 73 faqe dhe është e shoqëruar me shumë fotografi që flasin për “sendet” që është marrë popullata jonë në një kohë të largët e më vonë. /tefik selimi/rajonipress/