Uji Dea

Një libër i rrallë kushtuar artit muzikor

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Para pak kohe, Xhevat Ismailit, profesor i artit muzikor, tash i ndjerë, ka botuar librin e tij me titull: “Veprimtarët shqiptarë të muzikës artistike në Anamoravë”. Është ky libër i llojit të vetëm të kësaj fushe të dijes, për faktin se, gjer më sot pak kush ka shkruar ndonjë monografi të tillë për artin e muzikës. Libri është një lloj “monografie” e biografie jo vetëm për disa intelektualë shqiptarë, që lëndët e tyre është arti muzikor, por libri në fjalë përmbledh shënime shumë interesante për rrugën e fillimit të artit muzikor në Anamoravë e më gjerë.

Autori, Xhevat Ismaili, tash i ndjerë, ishte nga ata pedagog të merituar, i cili, herë pas here ka botuar shkrime të kësaj natyre për biografitë e kolegëve të tij në revistën pedagogjike “Shkendija”, por ka shkruar edhe për disa tema që e kanë preokupuar autorin për artin muzikor. Kjo vepër sikur ka një “brumë” joshës për ata që e duan muzikën, artin e shpirtit, artin e jetës, e cila, në fakt, do t’i plotësojë dëshirat e artdashësve për të pasur njohuri për rrugën e shkollimit në lëndën e muzikës nëpër shkollat tona, nga fillimi e gjer më sot.

Siç dihet, Gjilani është bërë një qendër e shkollimit të gjeneratave të reja jo vetëm në shumë shkolla fillore e shumë të tjera të arsimit të mesëm, ku pos gjimnazit, shkollës bujqësore, të mjekësisë, të ekonomisë, këtu punon edhe shkolla fillore e muzikës dhe ajo e mesme e artit muzikor dhe artit pamor. Në këtë të muzikës, janë tubuar intelektualët e artit muzikor, të cilët, kush më shumë e kush më pak po japin nga veti aftësitë më të mira të kësaj pjesë të jetës së njeriut.

Libri i Xhevat Ismailit “Veprimtarët shqiptarë të muzikës artistike në Anamoravë” ngërthen në vete këtë përmbajtje të renditur: 1. Një shkrim si parathënie, 2. Muzika artistike në Anamoravë, 3. Kreu i parë, 4 Shkolla e muzikës – fidanishte e talentëve muzikorë, 5. Kreu i dytë 6, Kreu i kreu i tretë, 7 Kreu i katërt dhe në fund literature ndihmëse. Në fillim të librit në fjalë është një recension mjaft i thuktë nga Xhevdet Kallaba, i cili shton se ”kur dituria pasqyrohet në vepër, ajo i gjason pemës që ka nxjerrë fruta. Që të dyja këto, pra, vepra e shkruar dhe frutat, për emërues të përbashkët e kanë gjallërinë – jetën. Dhe, këto korrespondojnë me njëra-tjetrën vetëm atëherë kur frutat hahen, ndërsa librat lexohen. Padyshim, frutat do t’i vjelin ata për të cilët janë dedikuar ato,(f. 4).

Pra, libri është një monografi, e para e këtij lloji në Anamoravë, e cila do t’ju shërbejë gjeneratave të ardhshme për një dëshmi kohe e pune në këtë aspekt. Siç është e ditur, shkolla shqipe në Kosovë është përcjell me shumë vështirësi. Ajo ka përjetuar “vuajtjet” më të tmerrshme të një gjenocidi të egër e barbar në historinë e saj. Nga shkolla e parë shqipe e Korçës e vitit 1887, me shkollën Normale të parë të Elbasanit të vitit 1909, si shton recenzuesi, Xh. Kallaba “shtatëdhjetë vjet më vonë, pikërisht më 10 tetor të vitit 1979 fillon punën shkolla e muzikës në Gjilan -findanishte e talenteve muzikore në Anamoravë”.

UBT

Dhe, kjo “dritë e diturisë” u bë sot një tempull jete e drite për të rinjtë që e duan artin muzikor, të cilët, e kryen disa gjenerata mjaft të talentuar, ku punuan e u angazhuan disa pedagogë, interpretë dhe krijues të Anamoravës. Në këtë monografi janë përmbledhur pedagogët e parë të artit muzikor, të cilët e përbëjnë gjeneratën e veprimtarëve dhe të shkollarëve muzikorë, të cilët i dhanë fuqi e “jetë” kësaj shkolle me çelësin e pentagramit drejt rrugës së një shkolle shumë të adhuruar nga shkollarët me talentë.

Monografia në fjalë është një material që do t’u shërbejë studiuesve të ardhshëm për të njohur jo vetëm me pedagogët e saj, por edhe me veprimtaritë e tyre muzikore. Këtu janë përfshirë pedagogët më të njohur të kësaj ane të Anamoravës, si janë Selman Vokshi, Isa Jakupi, Rexhekpi Munishi, Zekë Isufi, Xhevat Ismaili dhe Izet Kallaba. Por, këta janë bartësit e parë të jetës muzikore duke e shtuar edhe gjeneratën tjetër, e cila i bashkëngjitet gjeneratës së parë të dalë nga shkolla muzikore ajo e Prishtinës, Prizrenit, si janë: Demir Krasniqi, Sami Piraj, Nikollë Ukaj, Shyrete Hasani – Azemi, Esat Shkodra, Bajram Behluli, Hazir Krasniqi e disa të tjerë.

Të shtojmë edhe këtë se, monografi përkundër asaj të “mire” që ka, ajo është paksa e rënduar me pjesën e dytë, ku shtohet për “pedagogë, interpretetë, krijuesit, të cilët bazat e arsimit muzikor i fitojnë në shkollën për arsimin fillor muzikor të Gjilanit, sepse, autori ka shtuar shumë “sende” për biografitë e kandidatëve, të cilat janë të “rënda” jo vetëm të lexohen, por janë të panevojshme për këta “talentë” që janë në rrugën e parë të afirmimit të tyre.

Sidoqoftë, libri ka një përgatitje të mirë dhe meriton të lexohet e të studiohet nga të gjithë artdashësit e kësaj fushe të dijes./tefik selimi/rajonipress/