Fundamenti

Ndërron jetë akademiku Shyqri Nimani, Kuvendi mban një minutë heshtje

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se sot ka ndërruar jetë akademiku, profesori, mjeshtri i artit, kaligrafisti i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Shyqri Nimani.

Konjufca shprehu ngushëllime familjarëve, shoqërisë dhe gjithë komunitetit të artit.

Ai po ashtu në pika të shkurta tregoi pak nga jeta dhe veprimtaria e akademikut tashmë të ndjerë, Nimani, raporton Telegrafi.

“Të nderuar deputetë, sapo e morëm lajmin e hidhur që ka ndërruar jetë akademiku dhe mjeshtri jonë i madh Shyqri Nimani. Mjeshtri i arteve të bukura ishte njëri nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, i cili pas tij la një karrierë të bujshme dhe me gjurmë të thella dhe me vepra artistike. Me shumë gjurmë të tij cilat i gjejmë prej simboleve të KosovaFilm e deri të Universiteti i Prishtinës.

UBT

Po ashtu edhe njëri nga themeluesit e departamentit të dizajnit grafik në fakultetin e arteve të UP-së, ndërsa ka botuar disa monografi reprezentative dhe më të rëndësishme mbi trashëgiminë kombëtare. Kontribut dha edhe në themelimin e institucioneve tona të artit dhe ishte po ashtu drejtori i parë i Galerisë së Arteve të Republikës së Kosovës. Në këtë ditë të vështirë për familjen, ne ju shprehim ngushëllime në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës po ashtu edhe për miqtë dhe kolegët…Kërkoj një minutë heshtje në nderim të figurës së tij”, ka thënë Konjufca.

Ndryshe, Shyqri Nimani, ishte profesor i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës si dhe kaligrafisti i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Nimani po ashtu ishte magjistri i pari i Dizajnit Grafik në ish-Jugosllavi. Ai përpos që ka shkruar deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ka dizajnuar edhe disa nga logot më simbolike që kanë disa institucione në Kosovë, përfshirë logon e Hotel Grand, atë të Universitetit të Prishtinës, logon e Policisë së Kosovës etj. /Telegrafi/