Fundamenti

Një Kuvend skandaloz për t’u harruar

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Njohës të rrethanave politike dhe qytetarët e anketuar vlerësojnë se kjo legjislaturë e Kuvendit, është shndërruar në një legjislaturë qesharake dhe e degraduar fare, më e dobëta deri më tani.

“Kosova është sistem parlamentar, por deputetët ia kanë humbur si kredibilitetin ashtu edhe përfaqësimin e dinjitetshëm qytetar. Anomali tjetër që e përcjell është edhe niveli i dobët i komunikimit dhe gjuha jashtëparlamentare, të cilën e përdorin në vazhdimësi”, vlerësoi analisti Arsim Haziri për “Kosova Sot”

Njohës të rrethanave politike dhe qytetarët e anketuar vlerësojnë se kjo legjislaturë e Kuvendit, është shndërruar në një legjislaturë qesharake dhe e degraduar fare, më e dobëta deri më tani.

Analistët thonë se në këtë legjislaturë kemi shumicën e deputetëve, që as dinë të flasin, as dinë si të votojnë për çështje të caktuara. Ata e marrin si shembull rastin kur ditën e mërkurë u votuan dy rezoluta të propozuara nga deputetët e dezertuar nga VV-ja, tash nën logon e PSD-së, të nxjerrë nga arkivi i politikës së kaluar dhe Kuvendi dëshmoi se nuk ka lidhje me misionin e tij kushtetues, ligjor, demokratik e përfaqësues. Sipas tyre, deputetët i duartrokitën vetes për dy rezoluta të kota, si shumë të tjera, njëra për heqjen e kontrolleve kufitare mes Kosovës e Shqipërisë dhe tjetra për heqjen e roamingut mes dy vendeve. Analisti Arsim Haziri për “Kosova Sot” tha se Kosova është sistem parlamentar, por deputetët ia kanë humbur si kredibilitetin ashtu edhe përfaqësimin e dinjitetshëm qytetar. Sipas tij anomali tjetër që e përcjellë është edhe niveli i dobët i komunikimit dhe gjuha jashtëparlamentare, të cilën e përdorin në vazhdimësi.

Deputetët ‘vegjetues’

Haziri thotë se në vendin për çka është dhe është përcaktuar si zgjidhje të problemeve sociale, fatkeqësisht është duke u zhvilluar e kundërta e asaj çfarë po thonë e deklarojnë. “Pra, kjo legjislaturë nuk është duke paraqitur shqetësimin e madh qytetar brenda këtij organi, nuk e merr brengën qytetare për jetë më të dinjitetshme dhe kur gjendet brenda kësaj gjendje, atëherë çdo qëndrim i mëtejshëm i kësaj legjislature është e dëmshme për shoqërinë tonë”, theksoi ai.

Ndërsa analisti politik, Ali Hertica, për “Kosova Sot”, tha se rreth 120 deputetë, të Parlamentit të Kosovës, nuk kanë thënë asnjë fjalë në seancat plenare apo gjatë punës së komisioneve kuvendore në sezonin e fundit.”Ky kontingjent “vegjetues” është evidentuar nga një monitorim që ka realizuar Instituti Demokratik për Integrime Social- Evropiane, një institut në Prishtine. Pasi vëzhguan aktivitetin e institucionit ligjvënës në sezonin parlamentar janar-maj 2018, aktivistët kanë vënë “llupën” për të dokumentuar gjithçka nga dita e punës për të zgjedhurit nga populli, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë ai. Analisti Hertica thekson se krahas deputetëve “spektatorë” monitorimi ka dokumentuar edhe aspekte, të cilat zbulojnë shpenzim të pafund nga deputetët për agjendën e tyre personale politikesesa për pjesëmarrje në diskutime projektligjesh apo çështjesh me dobi për zgjedhësit e tyre.

Uji Dea

Zgjedhjet, zgjidhja e vetme

Sipas Herticës koha që deputetët marrin për të folur apo për të debatuar duket se ka lidhje me performancën para kamerave të gazetarëve, si në një fushatë elektorale. ku fare nuk din se çka votojnë dhe as që lexojnë projektligjet që duhet të ratifikohen. “Deputetët tashmë vetëm vetes po i duartrokasin për dy rezoluta të kota, që i miratuan pa kurrfarë peshe politike dhe shumë të tjera, njëra për heqjen e kontrolleve kufitare në mes Kosovës e Shqipërisë dhe tjetra për heqjen e roamingut mes dy vendeve”, potencoi ai.”Të dy këto rezoluta po qe se Shqipëria nuk do marrë të njëjtin vendim kjo do të thotë se është vetëm një lloj loje, sepse deri më tani pala shqiptare nuk dha kurrfarë reagimi në këtë drejtim për këtë bashkëpunim bilateral të dy shteteve dhe kjo tregon se nuk ka kurrfarë dobie dhe është humbje kohe”, ka vijuar më tutje Hertica. Specialisti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” tha shkurtazi se nuk ka asnjë dyshim se ky Kuvend dhe kjo qeveri me këtë përbërje janë më të dobëtat e pas luftës.”Andaj sa më parë duhet ndryshuar gjërat dhe më duket se kjo arrihet vetëm me zgjedhjet e reja që do të mund të ndryshojnë, kështu si është kjo do të mbetet me këtë Kuvend dhe këtë Qeveri dembele”, vlerësoi ai. Kelmendi shton se është për keqardhje që deputetët e tashëm punë kryesore të tyre i kanë zënkat në mes vete e jo problemet e qytetarëve.

“Sa u përket këtyre të dezertuarve prej Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe miratimin e disa rezolutave që e kanë shtyrë kinse për një lloj mundësie relevante për shoqërinë, më shumë i konsideroj si një lloj përpjekje për t’u paraqitur bartës të shqetësimit publik brenda organeve, pra ajo çka i karakterizon më shumë është një lloj demagogjie politike”, theksoi Arsim Haziri për “Kosova Sot”

Qytetarët: Votuam kandidatë të padijshëm!

Veç analistëve politikë, edhe qytetarët tanë janë shumë të pakënaqur me përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës. Sipas qytetarëve, kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës është shndërruar në një legjislaturë qesharake dhe kadegraduar fare duke qenë më e dobëta deri më tani. Qytetari Islam Velija, për gazetën “Kosova Sot”, tha se e kemi këtë cilësi të dobët të Kuvendit të Kosovës, ngase një pjesë e votuesve nuk dalin fare në zgjedhje e një pjesë e tyre që dalin për të votuar e shikojnë se i cilit subjekt është kandidati ose i cilit klan, grup apo klan interesi është e jo të shikohet cilësia dhe përgatitja e tij intelektuale”, u shpreh ai. “Deputetët e përbërjes së tashme të këtij Kuvendi nuk kanë faj se përse janë në ato poste, sepse populli po i zgjedh të tillët. Ngase populli nuk e ka kodin e mirëfilltë të votimit, sepse fundja një kandidat që i ka këto vlera intelektuale duhet që të shkojë në Kuvend. Por e keqja është se qytetarët tanë nisën nga tradita e votimit të tyre, sepse ata e kanë bërë klientelën dhe janë të ngarkuar me regjionalizma, klane, grupe interesi”, u shpreh ai. “Duhet ta pyesim veten se kush i solli aty, ngase jemi ne qytetarët tanë që i sollëm aty me votën tonë, sepse nuk e kemi seriozitetin për shtëpinë tonë”, pohoi më tutje Velija.

Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Nazmi Statovci, për “Kosova Sot” tha se pa dyshim kjo është përbërja më dobët e Kuvendit të Kosovës pas lufte. “Problemi më i madh me këta deputetë është mungesa e tyre nëpër mbledhjet e Kuvendit, ngase ata nuk kanë fare disiplinë pune dhe askush nuk i merr në përgjegjësi për këto mungesa në këto mbledhje, andaj kjo është një anarki e punës së Kuvendit”, theksoi ai. “Ata nuk janë seriozë dhe nuk kanë llogaridhënie, ndonëse mungojnë nga mbledhjet, sërish ata i marrin pagat e tyre nga 2 mijë deri në tre mijë euro në muaj me punën që e bëjnë edhe nëpër komisione”, potencoi Statovci. Sipas tij, kjo përbërje aktuale e Kuvendit të Kosovës është katastrofale dhe që nga paslufta kjo është përbërja me dobët.

(Kosova Sot)