RCCOLA

Një huqje patriotike

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Shpend Ahmeti e ka gabim nëse mendon se me vendosjen e shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë, ua ka bërë më të lehtë jetën qytetarëve. Ai ka të tjera përgjegjësi, por me vetëdije të plotë i është bashkuar valles së nacionalizmit dhe patriotizmit, për të mbledhur pikë kuq e zi.Shkëmbimi i shtatoreve të heronjve do të mund të ishte mbase ideja e fundit e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Por kështu nuk ndodhi me Komunën e Prishtinës dhe Bashkinë e Vlorës, zyrtarët e të cilave vendosën që shtatorja e Ismail Qemalit të vendoset në kryeqytetin kosovar, ndërsa ajo e Hasan Prishtinës në qytetin jugor bregdetar.

Në parim, nisma nuk ka asgjë të keqe. Por kryetarët e komunave kosovare, ndër të cilët edhe Shpend Ahmeti, kanë të tjera punë më të rëndësishme për të bërë, para se të merren me vendosje shtatoresh dhe përpjekje për ta veshur ngjarjen me petk patriotik, madje me ndihmën edhe të kryeministrit Edi Rama.

Ismail Qemali u vendos në Prishtinë në kohën kur ky qytet përballet me aq shumë probleme, sa që as ceremonia solemne e sforcuar e ardhjes së shtatores nuk mundi t’i mbulojë ato të paktën për disa orë. Një huqje patriotike kjo.

Kryeqyteti kosovar vazhdon të jetë i ndotur e kaotik, me probleme jo të vogla të infrastrukturës e të shërbimeve komunale. Në vend që në kuadër të bashkëpunimit me Vlorën të provohet të zgjidhet ndonjë nga këto sfida, paria e Prishtinës ka zgjedhur që qytetarëve t’u ofrojë edhe një shtatore, në grumbullin e shumë të tillave me probleme të theksuara estetike.

Nëpërmjet këtij veprimi, udhëheqësit e Komunës së Prishtinës i janë bashkuar zjarmisë folkloriko-patriotike, duke u bërë pjesë e garës se kush më shumë shfaqet patriot, kush më shumë tingëllon shqiptar, kush më shumë është kuq e zi. Me këtë logjikë, në ceremoninë e përurimit të shtatores nuk u pa askund flamuri i Kosovës, thua se gjithçka po ndodhte dikah në Shqipëri, e jo në kryeqytetin e një shteti të pavarur. E nikoqirë të ceremonisë ishin ata që janë zgjedhur nga qytetarë të këtij shteti, që marrin paga nga buxheti i këtij shteti dhe që veprojnë politikisht brenda kornizës juridike të këtij shteti.

* * *

Të bashkëpunosh me komuna të tjera gjithandej don të thotë të shkëmbesh dhe të marrësh përvoja të reja menaxhimi, të provosh që gjërat e mira t’i aplikosh në komunën që udhëheq – që nga urbanizmi, e deri te menaxhimi i mbeturinave dhe transporti publik. Nga këto do të përfitonin qytetarët. Por, kush përfiton nga shtatoret si ajo që u vendos javën e kaluar në Prishtinë? Cila është ajo kauzë, ajo ideologji që përfiton?

Fundamenti

Prishtinasit nuk vuajnë për shtatore e përmendore, të cilat janë të vendosura gjithandej qytetit, vend e pavend, me pëlqim e pa pëlqim të autoriteteve. Prishtinasit vuajnë për gjëra shumë më thelbësore – për rrugë më të mira e më të pastra, për më shumë hapësira të gjelbra, për transport publik normal, për rregull urbanistik, për pastërti e ujë të bollshëm.

Nëse Shpend Ahmeti ka menduar se me vendosjen e shtatores së Ismail Qemalit ua bën më të lehtë jetën qytetarëve të Prishtinës, atëherë e ka gabim. Ai e di se çfarë duhet të bëjë një menaxher i mirë, ai e di se si iu përmirësohet jeta qytetarëve, ai e di se nismat patriotike si vendosja e shtatoreve të patriotëve zakonisht shërbejnë për t’u shmangur nga përgjegjësitë konkrete ose mbuluar dështime menaxheriale.

Shpend Ahmeti e di se sa shumë punë ka për të bërë në Prishtinë, por ai dhe subjekti i tij politik me vetëdije të plotë janë futur në vallen e nacionalizmit dhe patriotizmit, për të mbledhur sa më shumë pikë kuq e zi. Një përpjekje kjo që më së paku i vjen për shtati një kryetari komune, i cili është aty për krejt të tjera obligime dhe përgjegjësi karshi qytetarëve.

* * *

Shtatorja e Ismail Qemalit mund të qëndrojë me dekada e shekuj në Prishtinë, por nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të shumta të qytetarëve. Ata presin nga kryetari i Komunës që të gjejë zgjidhje për to dhe, në vend se të përurojë shtatore, të inaugurojë rrugë e parqe të reja, sisteme kanalizimi e shtigje për biçiklistë, shkolla e kopshte të reja. Ata presin nga kryetari i Komunës që t’iu përmbahet obligimeve dhe përgjegjësive që ka, e jo të përfshihet në valle të zjarrta folkori e patriotizmi. Sepse ai ka përgjegjësi për ta, e jo Ismail Qemali, shtatorja e të cilit mund të jetë veç një ngushëllim për qytetarët, për punët e pakryera nga kryetari.

Me shtatoren e Ismail Qemalit Prishtina nuk bëhet më e mirë për të jetuar dhe Shpend Ahmeti nuk mund të arsyetohet para qytetarëve me të tilla simbolika. Nëse vazhdon logjika e njëjtë e bashkëpunimit edhe me të tjera qytete, atëherë Prishtina do të marrë epitetin e një qyteti përmendoresh kiç që veç me estetikën nuk kanë lidhje. Shpend Ahmeti duhet të angazhohet që prishtinasit ta mbajnë mend për punën e mirë. Për këtë shkak edhe e kanë votuar. Përndryshe nuk mund t’i ndihmojë as Ismail Qemali.