Mobi Casa

Një eksperincë që kërkon historinë

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Arben Idrizi – Pyetja që më mbetet për ta bërë, në fund, është: çfarë do të sjellë e nesërmja? Kujtesën apo harresën? Nëse e dyta, me cilat pasoja? Të një ‘rikthimi të përjetshëm’?

Teksti që po ia propozojmë lexuesit të mundshëm për lexim është botuar për herë të parë më 2 maj 2010, pak kohë pas ribotimit të librit ‘Nyja e Kosovës’.

Një reflektim rreth librit ‘Nyja e Kosovës’, të Shkëlzen Maliqit; botimi i dytë, QGB & MM, Prishtinë 2010.

Të shkruarit është një ves i vetmitarëve. Edhe të lexuarit, megjthëse me gjasë dikton më shumë dhimbje dhe kënaqësi se e para. Ndoshta ngase jetojmë në një botë ku ‘nuk ka fakte, por veç interpretime’. Apo, në mungesë të një ‘të vërtete të vetme’, subjektet përftojnë interpretimet e tyre si fakte të tyre. Kjo botë e ideve sundon bile edhe mbi eksperiencat. E mu këtu, duket, nis përplasja. Mohohet a injorohet eksperienca si e tillë, ose, në një hipotezë tjetër, eksperiencës i vishet një mantel imagjinar. Gjë që përsëri e shndërron në një lloj ideje. Ideologjitë, nacionalizmat, religjionet, racizmi zakonisht mbahen mbi një fundament të tillë. Me çka edhe shkaktojnë ato përplasje dhe atë të keqe që rrezikon ekzistencën si të tillë dhe eksperiencën si kusht e bën të padurueshme. Individët, grupet, kombet vijnë deri te këto eksperienca të shtyrë nga ideja e tyre personale mbi të vërtetën e tyre që dëshirojnë ta ligjësojnë si ‘të vërtetë të vetme’, e nën të cilën duhet të “ekzistojnë” edhe ‘të tjerët’.

Përtej kësaj, përtej të vërtetave, ideve, fakte dhe interpretimeve, bëjnë eksperiencën e tyre ata, të themi kështu, vetmitarë që kanë këtëfarë vesi të të shkruarit. Eksperiencën e shkrimit. Max Frisch, si për ta arsyetuar ekzistencën e një personazhi të tij, përsërit disa herë një frazë të paharrueshme: “Një njeri ka pasur një eksperiencë, tash kërkon historinë e eksperiencës së tij”. Disi si për ta përforcuar atë bindjen se derisa ne jemi tash e këtu dhe derisa realizojmë eskperiencën tonë, asgjë nuk mësojmë. Ndoshta as që është një kërkesë jona, as që jemi të thirrur, të mësojmë nga ajo që jemi dhe bëjmë. Këtë mund ta marrin si mësim vetëm ata pas nesh. E megjithatë, cilin mësim kemi marrë ne nga ata para nesh? Ka një ide platoniane që thotë se ne kemi parë tashmë çdo gjë në një botë të mëparshme, kështu që të dish do të thotë të kujtosh. Në lojë me këtë, arsyetimi bekonian na thotë se nëse të mësosh do të thotë të kujtosh, atëherë të mos dish do të thotë të kesh harruar.

Përtej çekanit metafizik që rrah mbi këto pikëpamje, dua të them se përgjithësisht na ka munguar historia e asaj eksperiencës që do të duhej kujtuar (ditur). E shkruar nga vetmitari me atë ves të çuditshëm të të shkruarit. E shkruar jo për të mbrojtur dhe avancuar një ‘të vërtetë të vetme’, por për të rrëfyer një fakt si të tillë, ku ka ndodhur një gjë e caktuar ashtu siç ka ndodhur, pas një përplasjeje mes individësh, grupesh a kombesh për shkak të ideve të caktuara, në kërkim të eksperiencës që përjashton, mohon ose nënshtron ‘tjetrin’.

Fundamenti

Walter Benjamin në esenë mbi ‘artin e të treguarit’ veçon një pjesë nga ‘Historitë’ e Herodotit në të cilën rrëfehet mbi një fakt rrëqethës, interpretimet e të cilit mund të jenë të pafundme. E pikërisht për këtë, besojmë përmes Beniaminit, Herodoti i ikën interpretimit dhe rrjedhimisht tregimi i tij i mbijeton të gjitha kohët. ‘Tregimi i tij – shkruan Beniamin – është krejt i thatë. Ndaj kjo histori e Egjiptit të lashtë është në gjendje edhe sot e kësaj dite, mijëra vjet më vonë, të na habisë dhe të na shtyjë në mendime. Është si puna e kokrrave të drithit që kanë qëndruar mijëra vjet të mbyllura në kthinat pa ajër të piramidave, duke ruajtur kështu, deri në ditët tona, fuqinë e tyre mbirëse’. (W. Benjamin, Iluminacione’, botues Korbi, Tiranë 1998).

Sigurisht, jam i vetëdijshëm se libri për të cilin po flas (në të vërtetë mbi të cilin po ndërtoj reflektimin tim) nuk është një libër që i përket fiksionit, ndërkohë që referencat e mia vijnë edhe po nga kjo fushë, si të mos ekzistonte fusha e Historisë dhe Publicistikës. Por edhe duke qenë një libër publicistik, i përbërë prej komentesh, analizash e polemikash që Maliqi ka bërë gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, prapëseprapë për mua (i mbërthyer nga ekzistenca metafizike) mbetet një burim i pakontestueshëm për të kujtuar (ditur) se çfarë po ngjante në atë periudhë, qoftë edhe vetëm në ‘botën prej letre’.

Borges ishte i mendimit se aty ku mbaron tregimi fillon parabola. Do ta ketë thënë edhe në ndonjë kontekst që unë mund ta shpërdor tani, për t’i bërë bërë një përdorim arbitrar.

Parabola e tregimit të ‘Nyja e Kosovës’, më bëhet (duke e kujtuar tash atë që kemi parë më herët), është se Historia ka një diagram të lëvizjeve, ndryshimeve që në të vërtetë nuk janë as lëvizje as ndryshime në esencë. Çka frikëson dhe mund të jetë e pafalshme është se tash, në eksperiencën tonë, harrojmë (nuk dimë). Që të jem më konkret, nga një ideologji komuniste kemi kaluar në një ideologji demokratike. Nga një territor më i madh (Jugosllavia), kemi përfunduar në një territor më të vogël (Kosova). Atëherë, pa mohuar ndryshimin, cili është ndryshimi? Problemet me të cilat ballafaqohemi tash janë pothuajse të njëjta me ato me të cilat ballafaqoheshim në periudhën të cilën trajton libri në fjalë. Vetëm se, në njëfarë mënyre, ndërrojnë rolet e subjekteve. Ne kemi ardhur në pocizionin, parimisht, që ta ligjësojmë të vërtetën tonë kundruall edhe atyre që dje e bënin këtë kundruall nesh, me ndihmën e një mekanizmi më të madh.

Pyetja që më mbetet për ta bërë, në fund, është: çfarë do të sjellë e nesërmja? Kujtesën apo harresën? Nëse e dyta, me cilat pasoja? Të një ‘rikthimi të përjetshëm’? Nuk po i referohem Nietzsches sa Kunderes.

Ju e dini, para se ta them unë vetë, se krejt çka thashë është e kotë. Ndërkohë, po qetë të pasionuar pas një literature të tillë, ose thjesht po qetë të detyruar të keni një referencë të vlefshme, do të doni ta lexoni librin ‘Nyja e Kosovës’.