Një dokumentar i parë dhe i rrallë i shkollës shqipe…

/ 14 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Në përurimin dhe promovimin e librit të Tefik Selimit me titull Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit (1945-2013), kanë folur shumë kritik , studiues, profesor etj, të cilët kanë dhënë vlerësime pozitive për punën që ka bërë Tefik Selimi në pasqyrimin e punës së Gjimnazit “Zenel Hajdini”. Po japim dy fjalime që lidhen me librin, atë të Sami Hoxhës drejtor aktual dhe Mehmetali Rexhepit ish drejtor në këtë institucion shkollor.

Sami Hoxha – Ky manifestim i sotit është një ngjarje shumë e rëndësishme për të gjithë arsimdashësit e shkollës sonë e më gjerë. Pse jo? Po e shënojmë një datë pas 68-vjetësh, kur ky gjimnaz yni dhe i të gjithëve, e pati datëlindjen e punës edukativo-arsimore. Ishte një nisje e rëndë.

Një nisje me frymorë të tjerë, të cilët, nëpër kohë, jo vetëm që nuk e deshën, por, nëpërmjet të skenarëve të shumtë të kuzhinave serbe, edukatorët shqiptarë i larguan dhe i izoluan. Me fjalë të tjera, ky tempull i diturisë pati një rrugëtim të gjatë e të dhembshëm, por edhe krenar.

Andaj, Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit, në objektin ku jemi sot, ka një histori mjaft të hershme të punës edukativo-arsimore. Është institucioni më hershëm arsimor në Anamoravën e Gjilanit. Nga kjo vatër e diturisë kanë dalë me qindra e mijëra intelektualë: mësues, arsimtarë, profesorë, pedagogë, psikologë, mjekë, doktorë shkencash, gazetarë, poetë, shkrimtarë, edukatore e njerëz të tjerë të profesioneve të ndryshme të jetës publike e të tjerë. Ky institucion arsimor e kombëtar e nisi punën edukativo- arsimore nga 20 prilli të vitit 1945 apo tash e 68 vjet më parë.

Pra, është punë më tepër se gjysmë shekulli. Gjysmë shekull dije e ditur, por me sfida të rënda pune e jete. E quajtëm tempull i dijes, sepse ishte e mbeti institucioni shumë i rëndësishëm shoqëror për arsimimin e gjeneratave të reja. Dhe, jo vetëm kjo. Regjimi serb barbar i një kohe të perënduar, por edhe më vonë, këtë vatër të dijes nuk e ka dashur për të mirë. Përherë, shkollarët dhe personeli mësimor e kanë pësuar dhe kanë qenë në shënjestër jo për të mirë. Përkundrazi, për shqiptarët, gjimnazi ishte “shtëpi” e e madhe e dijes dhe e diturisë.

Por, i punoi fati që në këtë tempull të dije të punojë profesori Tefik Selimi, i cili, prej një publicisti dhe përkushtuesi të madh të jetës shkollore, ai nga ditët e para të punës së tij në këtë vatër të dijes nuk hezitoi së shkruari, në fillim shkrime për aktivitete shkollore, mandej duke nxjerrë fletushkën e shkollë “Gjimnazisti” e tek më vonë edhe shkrime të tjera reportazhe e dokumentarë. Mendo dhe ia filloi punës në hartimin e një monografie për këtë shkollë elite, e cila, në vete ngërthen shumë ngjarje, shumë të dhëna, shumë aktivitete e forma të tjera, të cilat i shërbyen për ta rrumbullakësuar këtë materie në monografi. Dhe, puna nuk shkoi huq.

Ndonëse punoi 40 vite ndershëm me ditar në dorë, ai nuk e ndërpreu punën për ta ndriçuar historikun e Gjimnazit të Gjilanit, duke filluar nga viti 1945 e gjer më sot 2013. Kjo është një punë e tij kapitale, sepse u kërkuan shumë të dhëna, dokumente, por dhe biografi të kolegëve, të cilët sot janë si një, në këtë libër publicistik e dokumentar. Pas pesë veprave të tij “Gjaku i pragjeve”, “Flijimtarët e plëngjeve”, “Bota e yjeve”, “Lule prilli”, më në fund, autori, Tefik Selimi e përfundoi edhe monografinë së punuar më tepër se tri vite me radhë. Vetëm vullneti dhe entuziazmi i tij prej një përkushtuesi e punëtori të madh, e ka shtyrë ta ndriçojë historikun e këtij Gjimnazi, i cili, vërtet ka ngjarje e ka personazhe për të cilat ka shkruar dhe e ka krijuar si vepër në fjalë. Ky është pasioni i tij ndaj krejt kësaj pune, e cila, këto ditë u rrumbullakësua me daljen në dritë të monografisë së këtij gjimnazi. Ky libër dallon nga autorët të tjerë. Këtu nuk ka vend për statistikë shkollarësh, as numra të klasave, arsimtarëve, mungesave e të tjera, por ka ngjarje, ka personazhe, por ka edhe dhëna që flasin për mbijetesën e shkollës si institucion dhe të mos gjunjëzimit të punës karshi kundërshtarëve, të cilët nuk deshën ta shohin këtë shkollë elite siç ishte dhe siç është sot. Në monografi janë të përshkruara ngjarjet që kanë ndodhur rreth punës me nxënës, por edhe procesit mësimor, që ishte i përcjellur nga të tjerët.

Nxënësit janë personazhe që edhe ata kanë mbrojtur me dinjitet shkollën e tyre. Ja Lumnije Oruglica, në një rast ajo, duke parë gjendjen e minatorëve të Stari Tërgut, në një mbledhje të profesorëve dhe nxënësve shton: “Nesër, në çanta mos merrni libra, por merrni bukë”! Të mesërmen, krejt shkollarët qëndrojnë një shkollë dhe i mbrojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat Serbia donte t`i ndryshonte. Por, janë edhe maltretimet dhe izolimet e profesorëve. Janë edhe shumë ngjarje të këtilla, që janë shënuar nga autori dhe ato dhe shumë të tjera e bëjnë librin tërheqës dhe shumë përmbajtësor. Kështu ishte edhe mbajtja e mësimit nëpër shtëpi-shkolla si në paralelet e Zhegrës, po ashtu edhe në gjimnazin qendër në Gjilan. Pra, e kemi sot një vepër që këto ngjarje i ka pasqyruar në letër dhe ato mbeten si dokument për gjeneratat e ardhshme për të parë historinë e shkollës sonë shqipe. Profesorit, Tefik Selimit, i uroj shëndet dhe shumë suksese në vepra të tjera!/ Sami Hoxha, drejtor i Gjimnazit të Gjilanit /

Fjala e Mehmetali Rexhepit – “68 vjet ecje drejtë dritës” është një nënvizim iluminist mjaft domethënës, sikurse janë domethënëse pamjet e hershme të Gjimnazit të dy periudhave, të brezave që jetuan dhe ende vijojnë t`i përjetojnë nga vistra e shëmbëlltyrave, të atyre që kishin formësuar modelin e edukatorit e, për edukatorët dhe arsimuesit pasues; por ballinës dhe përfundimit i mungon dukja e gjimnazit të së ardhmes, ndoshta edhe parashikimi për periudhën e tretë të rrjedhave të mësimdhënies e mësim-nxënies: kahet, kriteret, përmbajtjet, mënyrat, metodologjia e zbatimit të tyre, qasjet, risitë, ritmet dhe zbatimi i atillë çfarë do ta lypte jeta, mjedisi njerëzor, gjetja e burimeve të reja, gjithnjë më të zvogëluara, riciklimi i tjerave për ekzistencë, mirëqenie, lumturi dhe mbarëvajtje të “homo sapiens – it”, edhe të botës tjetër, të ndërvarur, bimore e shtazore.

Me këtë rast solemn përurimi, e çmoj vullnetin dhe guximin e mikut tim, Tefik Selimi që i hyri grumbullimit disa vjeçar, renditjes, përpjekjes për të mbarë- shtruar këtë lëndë të pleksur, të shkapërderdhur, të, pothuajse, shtatë dekadave funksionimi herë si gjimnaz edukate të imponuar hegjemoniste, herë si shkollë e drejtuar nga ideologjia e një mendësisë… Duke kurdisur shartime të huaja të pa shartuara për një trup që kishte rrënjë dhe truall për to, por që spërkatej me helmin e shovinizmit për t`ia tharë degët.

Nismën e autorit, për t`i përmbledhur ngjarjet, nyjëtimet e dhjetëvjeçarëve arsimore, të rrjedhave edukative-mësimore të Gjimnazit të Gjilanit, e kam mirëpritur prore duke ia theksuar dhe drojën time për një këso projekti të rrëshqitshëm, në kuptimin e shmangies nga dokumentimi relevant, i lëshimeve për çështje thelbësore, të asaj që quhet vërtetësi historike, mbetja eventuale e përmasës madhore jashtë kopertinave, të kënd shikimeve të ngushta nga ndërfutja e subjektivizmit e të ndonjë prapashtese tjetër.
* * *
E di për mësymjen e mikut tim Tefik, e kam theksuar dendur fjalën kujdes dhe, natyrisht togfjalëshin e parimit të çdo shkrim-ëndërruesi “ngutu ngadalë”. Në këtë pikëpamje Tefik Selimi nuk e përfillte ngurrimin për t`i hyrë qoftë i vetëm mbledhjes, si bleta, të dëshmive të folura e të shkruara për hartimin e tyre, të një vistre portretesh, profesorësh me nam, nxënësish cilësorë, të dhënash e kronologjisë së dëshmuar, dokumentimit me ngjyrime letrare, figurative, gjithsesi brenda sinorëve të shqiptimit publicistik.

Autori i librit për Gjimnazin “Zenel Hajdini”, që kap 341 faqe të formatit të librit monografi, është i vetëdijshëm për lëshimet e mundshme, për ndonjë qasje më të përqendruar në çështje jo parësore dhe, qasje më pak të përqendruar në çështje parësore, por ai shfaq me modesti mirëkuptimin e tij. Le ta kuptojmë arsyetimin e modestisë së tij si të sinqertë, le t`ia bekojmë qëllimin krejtësisht të çiltër, ngase tashmë në dorë, pa u lodhur fare, e kemi librin më përmbledhës dhe të vetmin deri tash për Gjimnazin e Gjilanit, si vatër e edukimit, arsimimit dhe kulturës të shumë brezave me ndikim edhe jashtë trevës së rajonit, me përmasa kombëtare.

Në mjedise ku kultivimi i librit ekipor është traditë, përgjegjësinë për bërjen e një libri të këtillë e marrin grup autorësh dhe, secili nga këndvështrimet e veta të specializuara.

Fundamenti

Pikërisht këtu reflektoi droja ime për ndonjë rrëshqitje të mundshme.

Si përmasë zotëruese e vistrës së karaktereve të edukatorëve, të cilët parakalojnë nga faqja në faqe është spikatur vetëm syprina pozitive e tyre, asnjë dobësi, as të metat e ndonjërit sish nuk preken. Çfarë t`i themi historisë? Mos vallë të gjithë arsimtarët tanë kanë qenë të praruar? Askush nuk ka diferencuar? Këtë rol nuk e mori autori, Tefik Selimi.

Pjesa e padukshme e ajsbergut në këtë monografi, ndoshta do t`iu lihet studiuesve në të ardhmen, të një të ardhmeje shteruese, jashtë klisheve e hatëreve të së sotmes.
Gjimnazi i Gjilanit me arsimtarët, nxënësit, prindërit, qytetarët u sprovuan që nga zanafilla me trajta të ndryshme të trysnive shtetërore, përmes formave finoke të imponimit deri te shfaqja e hapur e diskriminimit, dhunës ndaj nxënësve e arsimtarëve shqiptarë, nën gërshërët e censurimit politik, eksperimentimeve të pa dobishme, orientimit për efekte politike të dijes, të përmbajtjeve mësimore, diferencimi ideopolitik si gjuhë e përçarjes, helmimet e tmerrshme mbi rininë shqiptare, si njëra nga shfaqjet më të shëmtuara të urrejtjes serbe, ndrydhja e veçorive kombëtare, kultivimi i një edukimi nënshtrues dhe dalja në sipërfaqe e qëndresës së heshtur, mandej gjithnjë më hapur, e kundërshtisë së personelit shqiptar, mbyllja e shkollës shqipe nga masat policore të hegjemonistëve serbë.

Rrjedhës kronologjike të këtyre sprovave po kultivohej njëkohësisht sedra e mos nënshtrimit, e kërkimit të barabarësisë, e forcimit të krenarisë njerëzore e kombëtare, e ngritjes së vlerave dhe unitetit veprues, moral e profesional, sjellja e një etike dhe estetike të paluhatshme, vetëmohuese, rikthimi i besimit te vetvetja, te energjitë e brendshme mobilizuese, të cilat u dëshmuan në gjirin e popullit dhe për popullin në “shtëpitë – shkolla”.

Gjatë gjithë këtyre ecejakeve, autori spikati aty-këtu edhe shpirtin flijues të akëcilës shëmbëlltyrë të arsimdashësve shqiptarë, nxënës, arsimtarë, prindër, donatorë, gjithnjë pa sharruar në urrejtjen patologjike që e kultivonte Serbia dhe lakenjtë e saj. Këto dëshmi i preku autori i monografisë, sepse u dëshmua se kombi ynë i përkiste një qytetërimi të lashtë, i kishte shpëtuar shkrirjes dhe, duhej t`i rikthehej vlerave qytetëruese Euro-Atlantike.

As si mendësi e shkruar, as si trajtë e barbarisë, shqiptarët nuk e përvetësuan barbarinë, nuk iu përgjigjën askujt me barbari, nuk e zbatuan mizorinë e saj, edhe në çastet kur arsyeja njerëzore errësohej nga epshet e hakmarrjes.

Sado të jenë paragjykuese e shpifëse përpjekjet e fqinjëve grabitqarë, nuk është argumentuar dot shfrenimi i shqiptarëve, së paku gjatë periudhës së mesjetës së vonshme deri në periudhën e globalizmit.
* * *
Kronologjia dhe logjika e ngjarjeve e sjellë në këtë libër, kërkoi ngjeshje, paraqitje të dokumentuara të gjitha ngjyrimeve, kthesave, arritjeve, përpos qasjes sistemuese edhe renditje të ndodhive në vendin dhe kohën e duhur, gamën e gjerë përgjatë kohështrirjes dhe të thellë të futjes në dukuri, si kronist gjakftohtë, publicist, përjetues i të ndodhurave, lundërtar i pa anuar, pa u lëbyrur nga simpatia, por me yllin prijatar të përzgjedhjes vetëm të atyre bëmave relevante të përtrollitur për kohën dhe meritore për vazhdimësinë e jehonës tyre. Pa këtë metodologji të pranueshme, do të sillej në një rreth të mbyllur, pa dalje dhe, pa logjikën e dialektikës.

Jetëshkrimet e personaliteteve që lanë gjurmë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit dhe jashtë tij, kush më shumë e kush më pak, kush më shkurt e kush më gjatë, nuk janë të një dore, përkatësisht të dorës së autorit… Hapësirën për t`i pranuar portretet e secilit veçmas, autori ua ka lënë në ndërgjegjen e tyre, pa vendosur kriterin e portretizimit të standardizuar.

Sidoqoftë, tashmë kemi tërësinë e monografisë së parë për Gjimnazin e Gjilanit dhe, kjo na bëri nder të gjithëve pa dallim moshash, brezave të shkollarëve e të arsimdashësve të kësaj vatre edukimi, diturie formësimi kulturor, artistik, shkencor dhe të drejtpeshimit trupor e mendor.

Tefik Selimi i bëri nder të veçantë diskursit e vokacionit publicistik, durimit, përkujdesjes shumëvjeçare për kërkime, gjetje, ruajtje shënimesh, dëshmish, fotografish, pamjesh ilustruese, faksimilesh 350 sosh, e tjera.

Ndërsa sa i përket stilit, unitetit stilistik dhe kompozimit të monografisë, digresioneve, hasim s’përputhje të cilat lënë për të dëshiruar ngjeshje, dendësi dhe përputhje në rishikimin, ri-zgjerimin e ri-shkurtimin përmbajtjesor të temës dhe motiveve me stilin e gërshetuar ku nuk do të shkelej logjika e ngritje-rënies së thënies.
Fjalitë gjithnjë duan rrumbullakime të sakta…
* * *
Një falënderim i çiltër i takon autorit, përpjekjes për të na bashkuar në një vëllim libri, për ta evokuar bashkërisht të djeshmen, për ta vlerësuar e çmuar të sotmen dhe, për t`i zënë ritmet e të përparuarve në botë.

Autorit shëndet dhe fryte edhe më të pjekura në relievin e shkrimit!

Gjimnazit ngritje në lartësi të reja!/Mehmetali Rexhepi./rajonipress/