Mobi Casa

Nga uniforma te liria: Jeta dhe rënia heroike e Muharrem Ibrahimit

/ 5 minuta lexim
HW

Gjilan – Ka njerëz që nuk jetojnë thjesht kohën e tyre, por e tejkalojnë atë duke u shndërruar në simbol të qëndresës, dinjitetit dhe sakrificës kombëtare. Majori Muharrem Ibrahimi ishte një prej tyre. Oficer profesionist, strateg i përgatitur dhe atdhetar i vendosur, ai zgjodhi rrugën më të vështirë, të braktiste uniformën e një ushtrie shtypëse për t’u rreshtuar në anën e lirisë, duke e paguar këtë zgjedhje me jetën e tij. Edhe sot, pas kaq vitesh, emri i Muharrem Ibrahimit mbetet thirrje për kujtesë, përgjegjësi dhe respekt ndaj atyre që e ndërtuan lirinë me gjak dhe ndërgjegje.

Edhe pse jo gjithmonë në mënyrë institucionale, vepra dhe heroizmi i majorit dhe dëshmorit të kombit Muharrem Ibrahimi janë përkujtuar ndër vite me nderim të thellë nga familjarë, miq dhe bashkëveprimtarë që e njohën nga afër jetën dhe misionin e tij atdhetar. Edhe pas kaq vitesh, kujtimi për të mbetet i freskët, i gjallë dhe i mbushur me respekt të pakursyer.

Rruga e luftës dhe sakrifica supreme

Më 15 prill 1999, gjatë luftimeve në Zhegoc të Gjilanit, majori Muharrem Ibrahimi u plagos rëndë. Së bashku me bashkëluftëtarët, u detyrua të tërhiqej drejt fshatit Marec, ku u përballën me një tjetër ofensivë të ashpër të makinerisë ushtarako-policore serbe. Në vijën e parë të frontit, një granatë e goditi rëndë në shpatull dhe në këmbë. Plagët ishin të rënda dhe, për shkak të mungesës së mjekimit adekuat, të paevitueshme.

I plagosur rëndë, Muharrem Ibrahimin e gjeti dhe e strehoi Basri Canolli – Shpendi, edhe ai dëshmor i kombit, i cili e vendosi në odën e familjes së tij. Pas dy ditësh vuajtjeje, më 21 prill 1999, Muharrem Ibrahimi ndërroi jetë në odën e Halil Canollit. Fillimisht u varros në varrezat familjare, ndërsa më 19 shtator 1999, eshtrat e tij u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

Kush ishte Muharrem Ibrahimi

Muharrem Ibrahimi lindi në një familje qytetare me nëntë anëtarë, nga nëna Xhemile dhe babai Raif. Familja e tij kishte prejardhje nga fshati Ivajë i Rrethit të Leskocit dhe ishte shpërngulur me dhunë që në vitin 1878. Arsimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Gjilan.

Qysh në fëmijëri shfaqi dëshirën për t’u bërë ushtarak. Babai i tij, duke e parë përkushtimin dhe bindjen se shqiptarëve u nevojiteshin kuadro profesioniste në fushën ushtarake, e dërgoi në Akademinë Ushtarake, dega e Këmbësorisë, të cilën e përfundoi me sukses në Beograd dhe Sarajevë. Në atë kohë, ishte nder dhe rrallësi që një shqiptar të arrinte gradën e oficerit në Armatën e ish-Jugosllavisë.

FIDANISHTJA

Karrierën ushtarake e nisi në Maribor të Sllovenisë, ku gëzonte respekt të veçantë nga ushtarët shqiptarë dhe nga komuniteti shqiptar që jetonte e punonte atje. Ai i këshillonte vazhdimisht ushtarët që të shmangnin provokimet dhe i ndihmonte në çdo formë të mundshme, gjë që e vuri shpesh nën vëzhgim të Sigurimit Ushtarak.

Me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe shpërthimin e luftës në Slloveni, Muharrem Ibrahimi u dërgua në Murska Sobota dhe Shëntil, ku më 28 qershor 1991 u plagos në një pritë të kurdisur. Edhe pse iu ofrua dezertimi nga pala sllovene, ai refuzoi, duke pasur parasysh sigurinë e ushtarëve shqiptarë që shërbenin me të.

Pas shërimit, në vitin 1992 shërbeu në Trebinje dhe më pas u transferua në Mitrovicë. I zhgënjyer nga padrejtësitë sistematike ndaj shqiptarëve, mendoi ta braktiste Armatën, por me insistimin e aktivistëve lokalë të kohës, Halit Zymberi dhe Nazmi Musa, vazhdoi shërbimin në rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe nën presion të vazhdueshëm.

Në vitin 1997 u transferua në Ferizaj, ku mori gradën Major. Me fillimin e luftës në Drenicë, shprehu gatishmërinë për t’iu bashkuar luftës çlirimtare. Përmes lidhjeve të besueshme, i furnizonte strukturat e UÇK-së me informacione të rëndësishme për kazermën e Ferizajt, pozitat, planet dhe armatimin e forcave serbe.

Kur më 3 qershor iu dha urdhri për të luftuar kundër shqiptarëve, ai e refuzoi kategorikisht. Pas largimit të familjes në Turqi dhe dhënies së dorëheqjes, më 25 mars 1999 iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si ushtarak profesionist, u angazhua në stërvitjen e ushtarëve të rinj dhe ngritjen e moralit luftarak, duke u emëruar Shef i Shtabit të Zonës. Rënia e tij më 21 prill 1999 shënoi humbjen e një oficeri të rrallë, që zgjodhi lirinë, dinjitetin dhe kombin mbi çdo privilegj personal.

Major Muharrem Ibrahimi mbetet një figurë emblemë e sakrificës dhe përkushtimit ndaj lirisë, një emër që i takon historisë së ndritur të Kosovës./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.