Në promovimin e Monografisë “Fshati i Vrarë” të autorëve Limani dhe Krasniqi, prezantuan edhe personalitete të larta të kantonit të Gjenevës
Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, gjatë këtij muaj ka zhvilluar me dhjetëra aktivitete nga fusha e kulturës dhe integrimit.
Vargut të këtyre ngjarjeve të rëndësishme kulturore dhe historike i është shtuar edhe promovimi i sotëm i Monografisë “ Fshati i Vrarë”i bashkautorëve Agron Limani dhe Qemajl Krasniqi.
Në këtë libër voluminoz që ka diku 500 faqe trajtohet gjenocidi serb mbi fshatarët e pambrojtur dhe duarthatë të Krushës së Vogël të komunës së Rahovecit.
Një vështrim kritik rreth këtij libri që nis dhe përfundon me dhembje dhe emocione të pa përshkruara para një numri të kënaqshëm të mërgimtarëve tanë dhe të miqve të tyre zvicerianë, e shpalosi zonja Albana Krasniqi -Malaj,drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës.
Ajo,fillimisht me pak fjalë prezantoi jetën dhe veprën e bashkautorëve Limani e Krasniqi.
Ata,nga zonja Krasniqi-Malaj, u përgëzuan për këtë punë me vlerë, e cila vetëm përmes formës së shkruar ruan ndër breza,dhe mban të gjallë kujtimin për 113 të rënët dhe të masakruarit e fshatit Krushë e Vogël, të cilët edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun nuk ia kthyen për asnjë çast shpinën tokës së tyre të mileniumeve.
Pastaj fjalën e mori z.Qemajl Krasniqi, i cili në këtë ngjarje të rëndësishme kishte ardhur enkas nga Ratkoci i Rahovecit të Republikës së Kosovës.
Ai, si koautor i kësaj Monografie i njoftoi të pranishmit mbi përpjekjet e pareshtura në mbledhjen e materialit dhe zbardhjen e kësaj masakre, sa të dhimbshme aq edhe krenare.
Rikujtojmë që në Krushë të Vogël, gjatë vitit 1998-1999 nga grupet kriminale të ushtrisë dhe policisë serbe u vranë dhe masakruan rreth 70% e meshkujve të fshatit, duke përfshirë këtu edhe fëmijët 13 vjeç.
Kjo masakër e kryer nga kriminelët serbë ka lënë 82 gra të veja dhe 145 fëmijë jetimë.
Për të qenë tragjedia ende më e madhe në këtë fshat, dhjetë familje kanë mbetur pa asnjë mashkull në shtëpi, çfarëdo të thotë se janë shuar tërësisht.
Krasniqi tha edhe pse nuk ishte aspak e lehtë për t’i kthyer këto gra edhe këta të rinj atëbotë fëmijë, në kohën e tmerrit të përjetuar,unë dhe kolegu Limani ndjenim obligim që këtë ngjarje makabër të shkaktuar nga regjimi fashisoid i Milosheviqit, ta ndriçojmë deri në detaje.
Falë bashkëpunimit me të mbijetuarit e kësaj ngjarje arritëm qëllimin, edhe pse me vonesë që para opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar të plasohet e vërteta e këtij gjenocidi, që la vërragë të përjetshme, tek qindra gra e fëmijë të këtij fshati.
Krusha e Vogël në këtë luftë humbi më tepër se gjysmën e banorëve të saj.
Para disa ditëve Monografia u promovua në Gjermani dhe Austri. Gjatë muajve të ardhshëm do bëjmë përpjekje që promovimin e saj ta bëjmë edhe në qytete të tjera të Evropës Perëndimore tha Krasniqi.
Pas shtjellimit të ngjarjeve të trajtuara në këtë Monografi,që ka të bëjë kryekëput me fatet e dhimbshme dhe trishtuese të fshatarëve të Krushës së Vogël poetja dhe krijuesja në mërgim Fatime Kalimashi- Hoti, lexoi rrëfimet e disa nënave të cilat me zemra të thyera kishin rrëfyer këtë tragjedi tonën kombëtare. Me këtë rast ndër të pranishmit s’munguan as lotët.
Agim Paçarizi, ish-mësimdhënës i historisë në vitet e 80-ta në komunën e Rahovecit, e pastaj i diferencuar e më vonë edhe i burgosur politikë nga sistemi komunist i ish- Jugosllavisë, tha se Kosova, është vrarë dhe bërë shkrumb e hi nëpër shekuj nga sllavo-komunistët.
Ai, çmoi punën e mirë të autorëve Limani dhe Krasniqi, njëkohësisht edhe apeloi që edhe në regjionet e tjera të Kosovës, të punohen libra të ngjashëm,me kusht që gjenocidi serbë mbi shqiptarët e Kosovës, të ruhet në arkivat e shtetit, si një dëshmi e gjallë, me mundësi që në çdo kohë të parazantohet i faktografuar para organizmave ndërkombëtar.
E,jo sikur në të kaluarën në mungesë të dokumenteve të shkruara Serbia, është përpjekur të realizojë lloj-lloj skenarësh dhe të tjetërsojë të vërtetën e ngjarjeve.
Autorët premtojnë se nëse gjejnë fonde këtë Monografi me pamje rrëqethëse nga masakrat në Krushë të Vogël, së shpejti do ta përkthejnë edhe në gjuhë të huaja.
Zonja Cyme Lokaj, mësuese shumëvjeçare në shkollën e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe, në Gjenevë, duke e njohur hollësisht gjendjen e atyre grave dhe motrave tona të traumatizuara deshi të dijë se sa është arritur në risocializimin e tyre.
Po ashtu zonja Lokaj, pyeti se a gëzon kjo kategori në Kosovë, mbikëqyrje të duhur nga psikologë e mjekë të specializuar të fushës së pas traumës.
Ndërkaq zonja, Brikena Osmani, e specializuar në fushën e antropologjisë pranë Universitetit të Gjenevës, njëherit dhe kontribuuese në mbarëvajtjen e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe, në këtë kanton, mendon se vetëm me iniciativa të përbashkëta dhe konkrete mund të zbuten ato vuajtje të pafundëta të atyre grave dhe vajzave, simbol të një rezistence të paparë deri me tani,të cilat me gjithë ferrin e përjetuar nuk lanë vatrat e tyre stërgjyshore.
Ajo,duke marrë parasysh doket,zakonet dhe ambientin në të cilin jetojnë ato nëna dhe motra tona, porosit që të përkrahen me të gjitha mjetet e mundshme ,si nga ne ashtu edhe nga shteti i Kosovës,si dhe nga institucionet e specializuara të vendeve perëndimore,sepse vetëm një përkrahje e tillë dhe e përhershme lehtësohen dhembjet dhe vuajtjet e tyre.
Më pas z.Qemajl Krasniqi, evokoi porosi nga të anketuarit të cilët kishin thënë”kurrë nuk kishim menduar që fqinjët tanë me të cilët kemi ndarë edhe bukën tregohen kaq të pashpirt ndaj nesh dhe fëmijëve tanë”.
Mbase u treguam të papjekur sepse të moshuarit tanë vazhdimit na thonin edhe erërat kur vijnë nga Serbia, s’ janë të bereqetshme. Ato në vend të shiut sjellin breshër e shtrëngata”.
Krasniqi tha kur banorët e Krushës, si njërëz besëplotë llogarisnin se do të mbroheshin nga fqinjët e tyre serbë, të cilët shqiptarët i kishin ndihmuar në kohëra të liga, ndodhi e papritura.
Ata,të instrumentalizuar nga Beogradi, i vranë e masakruan shqiptarët në pabesi, duke mos i kursyer as edhe fëmijët në djep.
Edhe pse popullata e kësaj zone e ballafaquar me vdekjen dhe e gjendur në frikë e ankth këta serbë deri dje fqinjë të tyre, të përfshirë në vrasje e dhunime i identifikoi me emër e mbiemër.
Dikush nga të pranishmit pyeti se çfarë mendojnë të anketuarit e mbijetuar rreth përpjekjeve të ndërkombëtarëve që në këtë zonë të provohet bashkëjetesa sikur dikur?
Z. Krasniqi, thotë:” që këto përpjekje vetëm e acarojnë gjendjen edhe më tepër, sepse ende nuk dihet për fatin e mijëra të zhdukurve.
Në anën tjetër kryesitë e krimit dhe gjenocidit edhe pse të njohur nga organet e drejtësisë lihen të lirë.
Banorët e Krushës së Vogël, u ndjenë jashtëzakonisht të indinjuar e të përbuzur tha Krasniqi, kur forcat e UNMIK- ut ende pa u tharë gjaku i të vrarëve shqiptarë i sollën serbët e këtij fshati për të vizituar pronat e tyre. Ato toka deri vonë ishin të shqiptarëve por të marrura dhunshëm nga serbët me ligjet mbi kolonizimin e Kosovës.
Ky akt tek ata që mbetën të gjymtuar dhe humbën familjarët e tyre dhe pasurinë u konsiderua si provokim i rëndë, sepse ripërtriu edhe më tepër plagët dhe dhembjen kurrë të pashëruar.
Mesazhi i të mbijetuarve të kësaj masakër është që të jetësohet amaneti i bashkëvendasit të tyre Dr.Ukshin Hoti, të cilin armiku e vrau dhe e la pa varr e nishan, që të njihet Shqipëria me kufinjët e saj natyral ,ashtu siç e krijoi edhe vetë zoti.
Zonja Albana Krasniqi – Malaj, e brengosur me gjendjen e rëndë të grave dhe vajzave të këtij fshati pyeti zotin Qemajl Krasniqi, se a ekziston në kuadër të komunës së Rahovecit, ndonjë qendër ku këto gra do të kalonin kohën dhe do të këshilloheshin për ndonjë aktivitet, që i largon të paktën për një moment nga kujtimi i së kaluarës së tyre të hidhur dhe tepër të dhimbshme.
Zoti ,Qemaj Krasniqi, ishte i kjartë në përgjigje, duke thënë se fatkeqësisht në këtë drejtim është bërë pak, si nga organet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Rahovecasit në gjithë Kosovën, njihen si punëtor të dalluar. Gratë e këtij regjioni edhe pse me shpirt të lënduar janë mjaft aktive në punë,sidomos në hortikulturë.
Në debat u inkuadruan edhe të ftuarit special në këtë ngjarje zoti Remy Burri, ish- kryetar i Parlamentit të Gjenevës, si kandidat i mundshëm nga radhët e PLR-së, për një vend në Qeverinë e Gjenevës, në ardhje, dhe zonja Sandrine Salerno, ish- kryetare e kantonit të Gjenevës, e cila edhe tani me socialistët ka shumë gjasa të zë një vend në të ashtuquajturin “Conseil d’Etat”të këtij kantoni.
Z. Burri në diskutimin e tij tha:” dua të theksoj që mbi Kosovën, deri vonë nuk kisha njohuri edhe gjithaq. Ato i mora nga kontaktet me të migruarit shqiptarë nga Kosova,në kohën kur punoja në komisionin e natyralizimit.
Si pjesë e këtij komisioni gjeta dosje interesante të individëve që vinin nga ky vend , që në të kaluarën për të flitej më shumë zi se sa bardhë.
Nuk kaloi shumë kohë dhe takova njerëz si zonjën Albana Krasniqi-Malaj,drejtoreshë e UPSH-së së Gjenevës,dhe të tjerë .Nga ata mësova të vërtetën mbi shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, që në të kaluarën nuk dija që kishim të bënim me të njëjtin popull.
Ajo, çfarë ka ndodhur në Kosovë, s’do koment, është diçka e pabesuar dhe e tmerrshme.
Me gjithë dëshirën e madhe për të vizituar këtë vend të njohur ndërkombëtarisht edhe nga vendi im Zvicra, sikur hezitoja.
Mendoja zhvillimet e së kaluarës dhe nuk ndjeja siguri. Në anën tjetër shihja që nga Gjeneva, të paktën dyherë gjatë javës organizoheshin fluturime për në Prishtinë.
Konsultova shokë e miq dhe më në fund vendosa që në kuadër të një delegacioni të kantonit të Gjenevës, dhe unë të vizitojë Kosovën.
Atje së bashku me zonjën Salerno, e cila sot është këtu me ne, qëndruam katër ditë në disa qytete të Kosovës, si në Prishtinë, Prizrenë, Pejë etj.
Nëse nuk gaboj një forcë ushtarake paqeruajtëse e vendit tonë ishte stacionuar në qytetin e bukur të Prizrenit.
Personalisht u fascinova me mikpritjen, secili me të hetuar që vije nga jashtë të ofronte respektin e duhur. Më bënin përshtypje veçmas shtëpitë e ndërtuara me aq shije në këtë vend të rrënuar nga lufta.
Shqiptarët marrë në përgjithësi janë punëtorë. Ata shquhen me angazhimin e tyre edhe këtu në Gjenevë. Njihen si sipërmarrës të mirë,e po ashtu janë pothuajse pjesë e të gjitha institucioneve tona qofshin ato të fushës ekonomike, sociale apo shoqërore.
Me përshtypje jashtëzakonisht të mira nga vizita në Kosovë, është ndarë edhe zonja Sandrine Salerno. Ajo, habitet me gatë dhe vajzat e këtij regjioni të cilat edhe pse kanë kaluar nëpër një ferrë të paparë dhe kanë mbetur të paburra mundohen që të mbijetojnë falë punës së tyre.
Kjo ka bërë thotë zonja Salerno që kantoni i Gjenevës, të ndihmojë me 45 mije franga zvicerane një koperativë bujqësore në Krushë të Madhe, e cila veprimtari ekskluzive ka grumbullimin e prodhimeve bujqësore.
Zonja, Salerno mendon që ky donacion s’ do të jetë i fundit. Duke parë mbiprodhim në shumë degë të bujqësisë ajo planifikon edhe mbështetje tjetër logjistike, si pajisjen me frigoriferë dhe mjete të tjera për ruajtjen e këtyre produkteve.
Salerno, fton të gjithë njerëzit bamirës dhe vullnetmirë, që grave të traumatizuara të kësaj zone t’u ofrohet ndihma e nevojshme, sepse ato janë viktima të pafajshme të një sistemi gjenocidial siç ishte ai i Milosheviqit.
Në kujtim të kësaj ngjarje të dhimbshme dhe të paharruar Grupi folklorik “Rapsodët e Gjenevës” këndoi këngë atdhetare, ku nëpërmjet tyre lartësoi figuron madhore të birit të kësaj ane dhe të Kosovës, prof.dr. Ukshin Hoti ,i cili tash e nëntëmbëdhjetë vjet figuron si i zhdukur, nga forcat pushtuese dhe gjakatare të Serbisë./arif ejupi/rajonipress/




