UBT

Në kërkim të së vërtetës

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Rrethanat enigmatike të vdekjes së presidentit palestinez, Yasser Arafat, tani janë subjekt i një hetimi kriminal në Francë. Por nëse është e vërtetë se presidenti palestinez është helmuar, atëherë kush vallë qëndron prapa vrasjes së tij?

Suha Arafat thotë se e ka ditur që nga fillimi. Një njeri, siç ishte Yasser Arafati, nuk vdes aq lehtë, vetëm për shkak se trupi i tij befas u dorëzua, edhe përkundër faktit se kishte 75 vjet. Dikush si ai është dashur të vritet, duke e helmuar apo duke e ekspozuar ndaj radioaktivitetit, ose nga armiqtë, ose nga rivalët e tij.

Edhe pse shumë njerëz tjerë e kanë besuar të njejtën gjë, asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë dëshmi e dukshme. Tetë vjet pas vdekjes së udhëheqësit legjendar palestinez, dukej se gjërat do të mbesnin ashtu si ishin.

Por më pas, para dy muajve, Instituti i Fizikës Radioaktive, me seli në Lozanë, Zvicër, kumtoi se në rrobat e Arafatit ka zbuluar një kontaminim potencial fatal me një sasi të poloniumit 210. Ky izotop radioaktiv është pa shije dhe pothuajse i pazbulueshëm.

Suha Arafat, e veja tani 49 vjeçare e presidentit palestinez, ka ofruar mostrat e testeve, me ndihmën e kanalit televiziv, Al Jazeera. Që nga ai moment, kjo teori e konspiracionit u shndërrua në rast kriminal, në veçanti pasi që Suha ngriti një padi penale dhe pasi që prokurorët francezë iniciuan javën e kaluar hetimet për vrasje.

Suha Arafat tani jeton në Maltë, së bashku me nënën e saj. Vajza e saj 17 vjeçare, Zahva, është duke u shkolluar në Francë.

Suha Arafat flet për dyshimin, të cilin e bartë me vete që nga 2 tetori i vitit 2004. Ishte kjo dita kur filloi sëmundja e Arafatit, kur filloi diarea dhe kur ai filloi të ankohej për dhimbje të barkut dhe marramendje. Gjendja e tij u përkeqësua dhe ai humbi peshë. Në fund, Arafati nga Ramallahu u dërgua në një spital ushtarak afër Parisit, ku edhe vdiq më 11 nëntor. Qysh atëbotë, shumë njerëz ishin të mendimit se vdekja e tij dukej tejet e panatyrshme.

Gjatë një interviste dhënë para ca kohësh për Al Jazeeran, Suha Arafat kërkoi hetime. Tani, e ulur në dhomën e saj të ditës, ku në mur qëndron i varur një portret i Arafatit, ajo ka ndjenjën se është duke ju afruar qëllimit të saj.

“Jam optimiste se i tërë rasti do të ketë një përfundim pozitiv dhe se brenda një kohë të shkurtë do të mësojmë të vërtetën. Kjo nuk është vetëm një dëshirë. Kam arsye për të qenë optimiste”, thotë ajo.

Pasi që poloniumi 210 qëndron vetëm 138 ditë, gjërat duhet të bëhen me shpejtësi. Për këtë arsye, kufoma e Arafatit do të ekzaminohet gjatë javëve në vijim, beson Saad Djebar, njëri nga avokatët e Suhas në Paris. Ai më pas shtoi një fjali mjaft befasuese, duke thënë se Suha Arafat dëshiron që të parandalojë pengimin e hetimeve nga ana e autoriteteve palestineze.

Mobi Casa

Kjo është një akuzë që tërbon Tavfik Tiravin, ish-shefin e Arafatit për inteligjencë, ngase kjo akuzë drejtohet edhe kundër tij. Gjatë dy viteve të fundit, Tiravi ka kryesuar Komisionin zyrtar palestinez, i cili ka hetuar vdekjen e Arafatit. Gjatë tri viteve para vdekjes së tij, rrethimi nga ana e Izraelit i pamundësoi Arafatit largimin nga Ramallahu. Gjatë kësaj periudhe, Tiravi është takuar me Arafatin pothuajse për çdo ditë.

“Kishte shenja të qarta se shëndeti i tij po përkeqësohej. Filimisht i dolën disa shenja në fytyrë. Më pas, ai villte në vazhdimësi, humbi peshë dhe lëkura në këmbet e tij filloi të shkëputej, kështu që ishte në gjendje të mbathte vetëm sandale. Ishim pothuajse të sigurt se Izraeli kishte helmuar Arafatin”, thotë Tiravi.

Por nuk është vetëm Suha Arafat ajo që shohin gjërat ndryshe, ngase të një mendimi me të janë edhe shumë palestinezë në Ramallah. Ata besojnë se zyrtarët palestinezë nuk kanë bërë përpjekjet e duhura për të zgjidhur enigmën e vdekjes së Arafatit. Komisioni i parë hetues ndërpreu punën vetëm gjashtë muaj pas vdekjes së Arafatit, për të rifilluar sërish punën tek në vitin 2010.

Duke pasur parasysh këto gjëra, palestinezët kishin arsye që të shikojnë gjërat nga afër. Pas të gjithave, raporti i klinikës franceze për vdekjen e heroit kombëtar të palestinezëve ngriti më shumë pyetje, se sa që ofroi përgjigje. Për shembull, pse Suha Arafat nuk lejoi që të bëhej biopsia e mëlçisë? Pse askush nuk kërkoi autopsi? Si mund të jetë që as mjekët me të mirë në Francë nuk zbuluan shkaktarin e infektimit të tij enigmatik?

A mund të jetë që qeveria franceze dëshiron të mbajë të fshehtë shkaktarin e vdekjes?

Megjithatë, në kërkim të motiveve për vrasjen e Arafatit është vështirë të injorohet Izraeli. Në vitin 2002, kryeministri i atëhershëm izraelit, Ariel Sharon, i tha gazetës Maariv se është penduar se nuk e ka vrarë Arafatin, kur forcat izraelite invaduan në Liban në vitin 1982. Në vitin 2003, zëvendëskryeministri i atëhershëm, Ehud Olmert, theksoi se vrasja e Arafatit mbetet një opsion. Por a ka dëshmi?

Të pyetur për këtë, zyrtarët izraelitë përgjigjen:”Nuk jemi të përzier në këtë”. Për shembull, Don Veissglass, i cili ishte atëbotë shef i zyrës së Sharonit, thotë:”Nuk e vramë Arafatin, kur terrori arriti kulminacionin, prandaj pse do ta vrisnim atë në vitin 2004, kur ishte i izoluar në Ramallah dhe kur ndikimi i tij politik po zbehej?”.

Megjithatë, poloniumi 2010 nuk është një gjë që mund ta blesh në dyqan. Ekzistojnë vetëm disa shtete që janë në gjendje ta prodhojnë dhe për ta prodhuar nevojitet një reaktor bërthamor. Siç dihet, Izraeli ka pasur polonium në dispozicion në të kaluarën.

Suha Arafat thotë se është duke e kërkuar të vërtetën. Por ndoshta angazhimi i saj ka të bëjë edhe me faktin se edhe ajo vetë është nën hetime në Francë dhe Tunizi, nën dyshimin për korrupsion.