ARKATANA

Pacolli ngre alarmin për Aeroportin e Vlorës: Po mbahet peng nga grupe të paligjshme, SPAK të hetojë dhe shteti të zbatojë ligjin

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër lidhur me situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke akuzuar se projekti po mbahet i bllokuar prej më shumë se gjashtë javësh nga grupe që, sipas tij, veprojnë jashtë ligjit dhe në prani të Policisë së Shtetit.

Përmes një postimi publik, Pacolli e cilëson situatën si alarmante, duke pretenduar se organet shtetërore po tolerojnë veprime të vetëgjyqësisë dhe po dështojnë të zbatojnë vendimet e institucioneve të drejtësisë.

Ai u ka bërë thirrje organeve kompetente që të ndërhyjnë menjëherë për rivendosjen e ligjshmërisë dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, ndërsa një apel të veçantë ia ka drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas Pacollit, SPAK duhet të thellojë hetimet për të identifikuar dhe ndëshkuar jo vetëm grupet që, sipas tij, ushtrojnë vetëgjyqësi, por edhe urdhërdhënësit dhe personat që i mbështesin apo i tolerojnë këto veprime nga brenda institucioneve shtetërore.

“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, e aq më pak ata që kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, ka deklaruar Pacolli.

ARKATANA

Në reagimin e tij, ai i është drejtuar edhe entit kontraktual të koncesionit, duke kërkuar që kompanisë MABCO t’i mundësohet përfundimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në përputhje me kontratën e koncesionit, ligjin dhe vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Pacolli thekson se kompania ka investuar qindra milionë euro në këtë projekt strategjik, duke marrë përsipër barrën financiare, profesionale dhe teknike të partneritetit publik-privat, ndërsa pretendon se për gati një vit është përballur me pengesa dhe bllokada nga individë dhe struktura institucionale që, sipas tij, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Ai shton se punimet në aeroport janë pothuajse të përfunduara dhe se nevojiten vetëm disa ditë për të riparuar dëmet e vandalizmit dhe për të zëvendësuar pajisjet e dëmtuara gjatë periudhës së bllokimit.

Sipas Pacollit, MABCO disponon të gjitha kapacitetet financiare, logjistike, teknike dhe profesionale për ta përfunduar menjëherë projektin, ndërsa pengesa e vetme, sipas tij, mbeten grupet që ushtrojnë vetëgjyqësi dhe mbështetja ose tolerimi që ato marrin nga struktura të caktuara shtetërore.

Në përfundim, Pacolli u bën thirrje institucioneve shqiptare të mos lejojnë, sipas tij, që paligjshmëria të triumfojë mbi ligjin, duke kërkuar respektimin e kontratës së koncesionit, zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rikthimin e autoritetit të shtetit të së drejtës për përfundimin e Aeroportit të Vlorës. Ai thekson se një veprim i tillë është në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj./rajonipress/