Në hall nga duhanxhinjtë – dorëzohen restorantet dhe kafenetë

Gjilan – Pavarësisht se duhan pirja në ambiente të mbyllura është e rregulluar me ligj, kjo nuk vlen për restorantet dhe kafenetë në Gjilan. Tashmë kanë mbetur vetëm disa restorante ku respektohet ky rregull.
Për jo-duhanpirësit, ardhja e dimrit dhe ulja e temperaturave është një makth. Ata janë të detyruar të zgjedhin midis qëndrimit në ambiente të njëjta me duhanpirësit (aty ku sipas ligjit nuk lejohet duhan pirja), duke duruar tymin pasiv, ose shmangies së daljeve dhe frekuentimit në lokale.
Qytetarët i kanë raportuar Rajonipress, se një restorant në zonën qendër, duke qenë i sfiduar nga mosrespektimi i këtij ligji nga restorantet dhe kafenetë e tjera që ndodhen përgjatë sheshit, është detyruar të lejojë pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura. Madje, ky lokal (emër i njohur për redaksinë) ka kthyer një kënd të cilin deri vonë ua kishte rezervuar duhanpirësve, në hapësirë për jo-duhanpirës.
Fajtor për këtë situatë të rënduar janë autoritetet lokale (inspektoriatet gjegjëse), të cilat përmes mosveprimit ose veprimeve ad-hoc po lejojnë zhvillimin e afarizmit jo të barabartë dhe jo sipas ligjit dhe njëkohësisht po vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Në fakt, institucionet nuk kanë asnjë justifikim përse nuk po i kryejnë detyrat. Shkeljet ndodhin përpara dyerve të institucioneve, në qendër dhe në sheshet kryesore të qytetit.
Raportimet e qytetarëve tregojnë se duhan pirja brenda ambienteve jo vetëm që tolerohet, por edhe normalizohet.
Madje, qytetarët kanë raportuar se vetë përfaqësues të komunës frekuentojnë hapësira të mbyllura të kafeneve dhe restoranteve ku shkelet ligji, duke konsumuar edhe vetë duhan dhe duke injoruar faktin se janë të thirrur pikërisht për ta zbatuar atë./rajonipress/