RCCOLA

Musliu: Nuk duam pushkë as luftë , por dialog

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Bujanoc- Intervistë me Jonuz Musliun, kryetar Lëvizjes së Progresit Demokratik për “Presheva Jone”. Derisa të mos zgjidhet definitivisht çështja shqiptare e Luginës së Preshevës, konform vullnetit të shprehur me Referendum gjatë vitit 1992, pastaj marrëveshja paqësore e Konçulit, kthimi dhe kompensimi i dëmeve të luftës për të zhvendosurit shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe Medvegja, nuk ka stabilitet dhe qetësi në këtë rajon”, ka deklaruar Lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, njëherësh dhe ish-shef i Shtabit Politik të UÇPMB-së.

Ne nuk po kërkojmë pushkë as luftë, por thjeshtë të inkuadrohemi në dialog, në një proces që i hap rrugët e paqes dhe stabilitetit në rajon,sepse edhe ne në Luginën e Preshevës kemi telashe, sidomos me politiken diskriminuese të Serbisë, probleme shumë më të mëdha se serbët në Kosovë të cilët megjithatë po privilegjohen nga ndërkombëtarët. Prandaj injorimi i kërkesave të shqiptarëve qoftë nga Beogradi apo ndërkombëtarët, nesër mund t’i kushtojnë shtrenjtë…“

“Presheva Jone”: Fillimisht, përshkruani situatën aktuale politike të Luginës së Preshevës?

Musliu: Gjendja politike dhe e sigurisë në rajonin e Luginës së Preshevës, është e ndjeshme dhe mjaft komplekse. Diskriminimi sistematik i shqiptarëve të këtij rajoni nga Beogradi, vazhdon me të njëjtin dinamizëm. Bastisjet, arrestimet, burgosjet e shqiptarëve, e posaçërisht të ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së, bëjnë që ky rajon të jetë përherë i brishtë dhe me tendencë të përkeqësimit të mëtejmë.

Kjo gjendje bëhet më shqetësuese kur forcat serbe të sigurisë, përkatësisht ato të xhandarmërisë dhe ushtrisë, këto ditë, po punojnë duke u grumbulluar, mbi fshatin Nesalcë e Lluçan të Komunës së Bujanocit, përskaj rrugës e cila të shpie në drejtim të Dobrosinit, zonës kufitare Serbi-Kosovë”, thotë reagimi i LPD-së.
LPD këto veprime të militarizimit të vazhdueshëm të Komunës së Bujanocit, i konsideron të dëmshme, imituese dhe provokuese, të cilat pikërisht vijnë në momentet e bisedimeve Thaçi-Daçiq, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe manifestimeve mbarëkombëtare me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Koncetrimi i forcave serbe te sigurisë mbi vendbanimet shqiptare, përgjatë vijës kufitare me Kosovë, karshi bazës ushtarake të Cepotinit e cila nga Bujanoci, vëzhgon Korridorin 10, paraqet një nga provokimet më të rënda, që nga periudha e proceseve luftarake ne këtë rajon. Ky veprim i forcave serbe shton pasigurinë te shqiptarët e kësaj komune e cila është shndërruar në një karantinë e poligon forcash të armatosura serbe”, thotë me tëj ky subjekt politik shqiptar.

Beogradi përmes Trupit Koordinues, nuk i ka përmbushur detyrimet e planit dhe programit për zgjidhjen e problemeve të hapura në këto komuna me shumicë shqiptare. Derisa të mos zgjidhet definitivisht çështja shqiptare e Luginës së Preshevës, konform vullnetit të shprehur me Referendum gjatë vitit 1992, pastaj marrëveshja paqësore e Konçulit, kthimi dhe kompensimi i dëmeve të luftës për të zhvendosurit shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe Medvegja, nuk ka qetësi në këtë Luginë. Këtë e di mirë Beogradi, por për motive politike e hesht.

“Presheva Jone”: Dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë veç ka rifilluar zoti Musliu, po halli i Luginës së Preshevës?

Musliu: E vlerësoj të domosdoshme, madje të pashmangshme pjesëmarrjen e përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në bisedimet e reja politike shqiptaro-serbe, midis Prishtinës dhe Beogradit. Çdo përpjekje për t’i anashkaluar kërkesat e shqiptarëve të këtij rajoni, për të qenë pjesë e këtyre proceseve dialoguese për çështje politike, midis dy qendrave të vendosjes, do të krijonte një gaf të madh e të paparashikueshëm për gjendjen politike dhe të sigurisë në këtë rajon deri dje i përshirë në flakët e luftës.

Ne kemi kërkuar vazhdimisht, nga qarqet relevante, që të nxisin dhe të ndërmjetësojnë mes Prishtinës dhe Beogradit, për pjesëmarrje në bisedime, të përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për ta shqyrtuar ecurinë e procesit të deritanishëm, për ta parandaluar përkeqësimin e situatës aktuale politike dhe të sigurisë në Luginën e Preshevës, si dhe për ta rikonfiguruar një Marrëveshje politiko-juridike konform qëndrimeve të paraqitura në Marrëveshjen e Konçulit dhe kërkesave të paraqitura në Platformën politike të Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të 14 janar të vitit 2006, e cila do të rezultonte me një stabilitet afatgjatë politik dhe ekonomik në rajon.

Eco Higjiena

Është e pa-tolerueshme, që serbët e Kosovës të marrin pjesë në dy ekipe në bisedime e ne mos të marrim pjesë fare. E ku po mbeten pastaj angazhimet se shqiptarëve të Luginës, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar reciprocitet me serbët e Kosovës?! Ne nuk po kërkojmë pushkë as luftë, por thjeshtë të inkuadrohemi në dialog, në një proces që i hap rrugët e paqes dhe stabilitetit në rajon,sepse edh ene në Luginën e Preshevës kemi telashe, sidomos me politiken diskriminuese të Serbisë, probleme shumë më të mëdha se serbët në Kosovë të cilët megjithatë po privilegjohen nga ndërkombëtarët. Prandaj injorimi i kërkesave të shqiptarëve qoftë nga Beogradi apo ndërkombëtarët, nesër mund t’i kushtojnë shtrenjtë.

“Presheva Jone”: Çka mund të na thoni lidhur me aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar në Luginë?

Musliu: 100 vjet shtet shqiptar. Një ngjarje madhore për gjithë shqiptarët kudo qofshin ata. Në Luginën e Preshevës, kanë filluar një varg manifestimesh për këtë shekull pavarësie, por pjesëmarrja e njerëzve në to është më pak se simbolike. Ky eveniment i madh kulturor e historik është dashur paska ndryshe të organizohet e jo ndaras: pushtete lokale veç e Këshilli Nacional veç.

Kështu të ndarë nuk na ka hije e as nuk i rri mirë këtij manifestimi të shumëpritur të shqiptarëve. Edhe në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e Luginës, mjerisht, nuk janë bashkë. Këto përçarje duken si në ditë të pazarit dhe nuk i kontribuojnë frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërshqiptar. Këto ndasi kanë ardhur si rezultat i luftës së paskrupullt për pushtet lokal, duke lënë anash projektet madhore me interes kombëtar.

Presheva jonë: Edhe pas 100-vjet pavarësi të shtetit shqiptar, Lugina pa flamur. Pse? A do të valojë sivjet flamuri në godinën e Komunës se Bujanocit?

Musliu: Beogradi nuk e ka zgjidhur ligjërisht përdorimin e simboleve kombëtare në Luginën e Preshevës, përkundër përpjekjeve të vazhdueshëm të shqiptarëve për ta zgjidhur një problem të tillë. Shqiptarët e Luginës, janë të fundit në hapësirat e etnikumit shqiptar, të cilët nuk e kanë të zgjidhur problemin e përdorimit të lirë të simboleve kombëtare nga Beogradi. Edhe në këtë 100-vjeçar të mëvetësisë së Shqipërisë, çështja e Flamurit Kombëtar në Luginë nuk është e zgjidhur.

Beogradi këtë problem do ta zgjidhte sikur Këshilli Nacional do të pranonte, që të bëjë ndryshime në pamjen e Flamurit, gjë që ne nuk kemi pranuar assesi. Pavarësisht nga këto ndalesa politike, Flamuri Kombëtar, valon në Luginën e Preshevës gjatë festave kombëtare e familjare. E dimë se kjo nuk është zgjidhje e qëndrueshme, por ne e bëjnë tonën, e festojmë Ditën e Flamurit si dimë e si mundemi, deri në zgjidhjen e kësaj problematike me ligj. Po edhe këtë vit, si viteve të tjera, do të vendoset Flamuri Kombëtar edhe në institucionet komunale, pa përjashtuar edhe godinën e Kuvendit Komunal në Bujanoc.

“Presheva Jone”: Në këtë rajon u mbajt një referendum. Sa është unik faktori politik shqiptar i Luginës së Preshevës, në realizimin e verdiktit të popullit të shprehur në Referendumin e vitit 1992?

Musliu: Referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, është një kapital politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili për momentin është i ngrirë dhe pret implementimin e tij. Do të vijë koha e realizimit të verdiktit të popullit të shprehur me referendum. Ne pas referendumit e bëmë një luftë paqësore, arritëm një marrëveshje historike të Konçulit, si dhe nxorëm një platformë politike, të këshilltarëve të tre kuvendeve komunale: Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë, gjatë vitit 2006. Pavarësisht nga dallimet partiake dhe pozicioni i spektrit politik shqiptar në pozitë dhe opozitë, faktori shqiptar duhet të jetë unik, ndryshe nuk mund të realizohet vullneti politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës i shprehur me referendum./rajonipress/