Fundamenti

(Mos)ndërhyrja ndërkombëtare, në duar të askujt!

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arbana Xharra – Opinioni i fokusuar në zhvillimet e fundit, duke e parë qartë qëndrimin e dy palëve, është i vetëdijshëm se pa ndërhyrjen ndërkombëtare zor se mund të zgjidhet kriza më e madhe politike që nga paslufta dhe me një presidente e cila nuk ka fuqi vendimmarrëse pa shtytjen ndërkombëtare.

“U fol e u përfol. Jemi mësuar që krizat të na i tejkalojnë të huajt. Për mirë, apo për keq, këtë herë na lanë të zgjidhim problemin vetë. Por çfarë është këshilla e tyre miqësore?”, ishte kjo edhe tema e diskutimit me zyrtarët e huaj, Ian Cliff, ambasadori Britanisë së Madhe, Robert Bosch, ambasadori i Mbretërisë Holandeze, si dhe z. Thomas Gnocchi, shef i Departamentit të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Në mungesë të gatishmërisë për të folur më haptazi për denigrimin institucional të shkaktuar nga këta akterë politikë, përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk dhanë ndonjë opsion përtej këshillës për klasën politike që të gjejë kompromis, të ulen në kafene dhe të merren vesh, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk e ka ndërmend të ndërhyjë.

Përpiqen të tregojnë se çfarë është pavarësia, sikur duan të ripërsërisin definicionin e saj. “Jeni shtet sovran dhe merrni përgjegjësi si i tillë”, ishte një nga porositë, edhe pse diskutuesit më tepër kërkonin të gjenin ndonjë rrëshqitje të tyren që të interpretojnë atë si anim drejt një apo tjetre partie. Mbase akoma na duhet kohë të kuptojmë sesi është të kesh shtet me plot kuptimin e fjalës, edhe pse bashkësia ndërkombëtare duket se tërthorazi po kërkon pjekurinë tonë dhe po na kursen nga ndërhyrja klasike që sërish do të nxirrte në pah tragjikomedinë politike, në të cilën po kalon vendi ynë.

Të mbledhur në takimin joformal në rikthimin e “Salloneve të së martës” një javë më parë në kafenenë e parë të librit në Prishtinë “Ditë e Natë”, ambient ky sikur të krijon përshtypjen të jesh larg mentalitetit qeverisës të cubave, ku siç thotë organizatori i takimit, pjesëmarrësit vijnë që të “shfryhen pak”, vetëm disa hapa larg “odës” së bllokuesve të shtetit, për të cilët edhe diskutohej sesi duhet shpëtuar nga kjo krizë.

Tre ndërkombëtarë përballë një audience me përbërje të përzier: pozitë – opozitë, kritikë dhe përkrahës të pushtetit, të cilët kishin ardhur të diskutojnë për daljen nga ngërçi politik, në mesin e të cilëve edhe individë që nuk kurseheshin nga gjuha e ulët kur i referoheshin Bllokut opozitar si “bllok i dështakëve”.

RCCOLA

Shumica e diskutuesve u shprehën të vetëdijshëm për degradimin institucional nga bllokada, që për bazë ka interesin individual për poste të larta politike, që bën llogaritjet e pazareve për përfshirjet në pushtet, duke mos “çarë kokën” për pasojat që e presin Kosovën nga ky pezullim institucional. Por gjithashtu, kur u kërkua që “t’ia lidhim kryet sfidës”, siç kërkon “Salloni i së martës”, pak folës sollën rekomandime, të cilat kanë gjasa të shërbejnë si ide për tejkalimin e ngërçit. Kjo dëshmon që edhe në raste të nevojës për të vendosur karshi një situate emergjente, shumica e kosovarëve me kokëfortësi mbrojnë pozitat e tyre, pa marrë parasysh nëse kjo na nxjerr nga situata apo jo.

Sinjalet tashmë evidente të rënies së vazhdueshme të sektorëve shtyllë e shtetndërtimit, investimet e huaja të përgjysmuara në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ikja e investitorëve, ngrirje e të gjitha investimeve kapitale, vonesa në implementimin e kushteve për liberalizim dhe integrim, shtyrje e procesit të themelimit të Gjykatës Speciale… Të barrikaduarit në dy blloqe nuk lëshojnë pe. Tash 115 ditë, pesë liderë të partive kryesore në vend kanë bllokuar gjithçka, pa përjashtuar rolin kyç të zaptuesit.

Mes fjalësh lehtësisht kuptohej ngurrimi i ambasadorëve, qoftë për të elaboruar më në detaje situatën, nga frika se mos po shfaqin nuanca përkrahjeje të ndonjërës palë politike, veçanërisht në fjalën e hapjes, e cila incizohej dhe mund të shihet online http://d4d-ks.org/sallonet/video-per-sallone/. Derisa nuk dorëzohen përballë argumenteve se Gjykata Speciale, si mbrojtës i aktit më të lartë juridik në vend Kushtetueses, nuk është kredibil.

Vetë kërkesa e tyre që të respektohet vendimi i saj, si rrugëdalje e vetme nga ngërçi dhe mospërkrahja e zgjedhjeve të reja, ndoshta jo ndërhyrje, por indirekt propozim i qartë se Kuvendi duhet lënë në duar të PDK-së. Të gjitha mundësitë e përfolura tashmë të konsumuara, nxjerrin sërish dy fakte përballë: PDK-ja si fituese e zgjedhjeve, por pa numra dhe Bllokun VLAN grup më i madh parlamentar, me numra, por pa mundësi kandidimi të kryeparlamentarit. E në këtë situatë kur asnjëri nga ata nuk lëshon rrugë, ngjarjet ripërsëriten dhe as zgjedhjet nuk të sigurojnë stabilitet në këtë tensionim politik. Gjykata Kushtetuese tashmë ka interpretuar dy rastet e dërguara.

Është e qartë se ndërkombëtarët nuk duan të shfaqen haptazi si ndërhyrës në këtë situatë, por presidentja s’ka rrugëdalje tjetër, me propozimet e tyre, me zarf apo pa zarf, duhet t’i japë fund ngërçit politik. Në fakt, një folës tha: edhe po të dëshironim që të vendosim një emër në zarf, nuk ka emër!