Molerët dhe falltarët!

Nga Beqë Cufaj – Çfarë ngjau dje në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës më të re të Europës, e cila këtë fundjavë i mbush pesë vjet si shtet i pavarur dhe (deri dikund) sovran?
Dy mizanskena që duan koment.
Ajo për molerët e Qeverisë që mësynë drejt “Newborn”-it. Dhe tjetra për delegacionin e Komisionit Europian që zuri derën e shtetit.
Të parët me detyrën e qartë: të fshijnë çdo gjë që për këto pesë vjet në shtetin tonë ka ngjarë, nga 17 shkurti i vitit 2008 e deri më sot.
Të dytët të na e kujtojnë, bile edhe të dokumentojnë pikërisht çdo gjë që për pesë vjet në Qeveri dhe me këtë edhe shtet ka ngjarë. E shënuar si e zezë në të bardhë. E pashlyeshme sepse e dokumentuar dhe e arkivuar. Çfarë paradoksi. Gati si në ato rrëfimet mitike për luftën e Davidit kundër Golitatit.
Dhe derisa molerët me punën e tyre u përpoqën që me ngjyrat e freskëta, të fshinin atë që i themi e djeshme, e sotme dhe nëse doni edhe e nesërmja që ky pushtet, Qeveria e parë dhe e dytë në kreun e së cilës është i njëjti njeri, me ngjyra që duhej të mbulonin sa më shumë shkarravinat dhe turpin, marrëzitë dhe meskinitetin, korrupsionin dhe instant krizat, shpifarakët dhe shantazhet… shpresat e shndërruara në dëshpërim dhe mallkim, ishin burokratët e Brukselit ata të cilët e bënë atë që do të duhej ta kishin nisur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.
E mblodhën Qeverinë. S’i mbyllën dyert por përkundrazi instistuan që ato të jenë të hapura (për opinion- për ne pra- të mashtruarit dhe të manipuluarit!) dhe një për një ua numëruan të gjitha të zezat që tërë këto vite mundoheshim t’i thoshim dhe kujtonim, përmendnim dhe kujtonim. Që shteti s’po ecën mirë.
Që institucioneve u është zënë fryma nga korrupsioni e konfliktet e interesit, që “familja” si prioriteti i parë i partisë në pushtet jo vetëm se është “rehatuar” por ajo është kapur nga shteti në të gjitha sferat e mundshme të jetës institucionale dhe jashtë saj.
Pyetjes pse ngjau që një Qeveri të bankrotojë dhe të pranojë që çdo gjë ka shkuar keq… siç dje ngjau dhe atë në sytë e opinionit vendor, në vëzhgimet dhe vështrimet e mediave botërore dhe pa asnjë mëshirë nga “miqtë” prej Brukseli nuk duhet t’i bishtnojmë. Por as ta dramatizojmë. Aq më pak që nga ky turp qeveritar të nxjerrim ndonjë hipotezë konspiracioni global kundër atij apo këtij akteri politik. Jo.
Asgjë s’ka prej krejt këtyre. Brukseli e ka kuptuar lojën dhe më nuk do ta lejojë atë. E ka kuptuar pra që kotnasikoti ishin të gjitha raportet dhe analizat, vëretjet dhe sugjerimet, takimet larg syve të mediave e opinionit dhe lutjet e përgjërimet që të punohet “bile” diçka në përmirësimin e kushteve për liberalizim të vizave. Për të gjitha këto merrnin premtime dhe përshëndetje. Qe rrafsh pesë vjet. Në mënyrë që menjëherë mëpas njëri pas tjetrit, prej më të madhit, e deri tek më të vegjlit të dëgjonim sesi “Kosova për 12 muaj” apo qysh “këtë vit” do të merrte liberalizimin e vizave dhe do të bëhej “pjesë e proceseve të integrimit”.
Kupa u mbush dhe kur gratë e burrat nga Brukseli e panë që edhe këso radhe duan ta luajnë të njejtën lojë: i mblodhën tokë. Qeverinë para tribunit. Dhe, thënë me gjuhën tonë u thanë: o qeveritarë, as mos u zotoni as mos mashtroni e manipuloni… nëse vazhdoni kështu, jo këtë vit, as vitin që vjen, por kurrën e kurrës nuk do të mund të merrni liberalizim vizash. Pikë. Fund.
Druri a dajaku që dje Qeverisë i erdhi nga Brukseli nuk duhet ta gëzojë askënd. Përkundrazi, ky godet dhe dhemb për secilin qytetar të vendit. Por para së gjithash shuplakon meskinitetin e qeveritarëve më në krye me Thaçin. Sepse më jo vetëm që nuk do të kenë shans të dalin dhe të gënjejnë, të mashtrojnë dhe të trumbetojnë e të kalërojnë që “Kosova po ecën” drejt Europës por e kanë të ndaluar. S’ka më falltorë as falltore. S’ka më llafe. Sepse nuk lidhet asgjë bile as me vetë procesin e dialogut me Beogradin pa u përmbushur kriteret klasike të shtetit ligjor.
Republika e Kosovës, me dy milionë banorët e saj do të vazhdojë të jetë shtet i izoluar dhe i getoizuar, derisa Qeveria e këtij shteti do të vazhdojë të mos i përmbushë kriteret e parashtruara nga BE-ja për përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave. Thënë edhe më shqip: pa përputhjen e legjislacionit dhe para së gjithash ndalimin e korrupsionit dhe krimit, aferave të përditshme në të gjitha sferat e jetës institucionale, qytetarët e këtij vendi nuk do të mund të lëvizin të lirë si krejt europianët tjerë! Kaq. Sërish Pikë. Fund.
Pas pesë vjetësh kamuflimi e mashtrimi, as molerët e Qeverisë nuk mund ta mbulojnë turpin e tyre, dhe dënimin tonë, që ia bëjmë vetes derisa t’i lëmë këta falltarë të na qeverisin!