Eko Higjiena

Mjerimi e mjeron seksin!

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

​Nga Arben Idrizi – Deklarata e ministrit, nëse nuk duam ta marrim si të mirëqenë, të paktën kërkon debat. Ka bërë mjaft bujë deklarata e ministrit Blerand Stavileci se, duke e parafrazuar, nuk do të duhej të bënin nga shtatë fëmijë ata që kanë një rrogë prej 300 eurosh.

Ne mund të mos pajtohemi me ministrin Stavileci, duke e marrë deklaratën e tij në mënyrë personale, ose duke e konsideruar thjesht një politikan të rëndomtë injorant në pushtet, deklaratat e të cilit duhet të kundërshtohen dhe përçmohen si të tilla, ose edhe duke konsideruar se qëndrimi i tillë është politikisht jokorrekt.

Por, se ai ka shumë të drejtë, është një e vërtetë që ç’ke me të. Ai ka të drejtë jo vetëm duke shprehur një mendim personal të tillë, por bile edhe duke mbajtur një qëndrim më shumë se personal, pra institucional. Sepse si i tillë është vetëm opinion, nuk është detyrim, as ligj.

Sigurisht, nëse do të ekzistonte një politikë zyrtare e planifikimit familjar (ndoshta edhe vetë Stavileci do të bënte mirë, meqë po flasim për këtë, të ulej pak ta lexonte, sa për iluminim po aq edhe për argëtim, ndër të tjera, ‘Bretkosat’ e Mo Yan-it), që do të kërkonte ndalimin e shtimit përmbi një numër të caktuar fëmijësh, atëherë do të kishte shumë për të diskutuar. Bota ka parë edhe politika të tilla, por është debat i pafundmë a janë të qëllueshme dhe të drejta apo jo.

Ama, s’kemi të bëjmë me një gjë të tillë.

Më bëhet se gjykimi i vetëm që në këtë rast mund t’i bëjmë ministrit është se nëse shkak-pasoja është ciklike, shtimi pasojë e mjerimit, apo mjerimi pasojë e shtimit, atëherë ai, në mënyrën e tij, bashkë me partinë e tij në njërën anë dhe bashkë me të gjithë të tjerët në anën tjetër, është fajtor për gjendjen. Duke e akuzuar, me plot të drejtë, se ai dhe të tjerët, pranë tij e kundër tij, nuk kanë bërë ndonjë gjë që sot ajo pagë mesatare të mos jetë 300 euro. Përkundrazi, kanë bërë çmos që të mos jetë më e lartë.

Por, duke qenë se gjendja është si është, përtej fajtorit, pse njëri që ka një pagë 300 euro do të duhej t’i sillte në atë mjerim shtatë fëmijë, për të cilët s’do të mund të kujdeset?

Për më tepër, njëri që nuk është në marrëdhënie pune fare dhe s’arrin dot ta mbajë me bukën e gojës as veten e vet?

Fundamenti

Pra deklarata e ministrit, nëse nuk duam ta marrim si të mirëqenë, të paktën kërkon debat.

Se po i hipëm në qafë atij, ndoshta do të duhej t’i hipim në të njëjtën mënyrë edhe Papës që grigjës së vet i kërkoi të mos shtoheshin si lepujt. Ose të kthehemi te flamuri i zi i atyre që po heqin koka njerëzish si të kafshëve dhe të besojmë se nëse zhgërryhemi në seks pjelljeje na qenka e shkruar kështu nga ai lart dhe jo që nuk kemi ç’të bëjmë, po kjo është ajo që duhet të bëjmë, pa e çarë kokën se si do të rriten, edukohen dhe mbijetojnë.

***

Pasolini thoshte, megjithëse në një kontekst tjetër: Seksi është ngushëllim i mjerimit!

Në këtë rast, megjithatë, është edhe mjerim i mjerimit!

Në fakt, mjerimi e mjeron seksin!

***

Po ndoshta krejt kjo është vetëm një humbje kohe në deklarata rasti, të cilat nuk do të kenë kurrfarë ndikimi as për mirë as për keq dhe do të harrohen siç harrohen edhe gjëra më të rëndësishme.