Eko Higjiena

Ministria e Bujqësisë zgjeron përkrahjen për bujqit

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Bujqit kosovar nga viti në vit po gëzojnë përkrahje më të madhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). Madje në Programin për Bujqësi dhe Zhvillimin Rural për vitin 2014, janë përfshirë edhe shumë sektor të rinj të cilët nuk janë mbështetur viteve të kaluara.

Me përkrahjen që gëzojnë nga Ministria e Bujqësisë, bujqit tashmë kanë liri më të madhe investuese dhe shumë më pak kufizime brenda sektorëve të kësaj fushe, e cila është e rëndësishme për ekonominë e vendit.

“Në programin e këtij viti, ne kemi zgjeruar, gamen e mbështetjes dhe fermerët nuk kanë kufizime në vlerën e investimeve. Kryesisht në shumicën e masave përkrahëse, investimet e fermerëve arrin deri në 100 mijë euro, të cilat janë të pranueshme për Ministrinë e Bujqësisë. Të planifikuara gjithsej i kemi rreth 11 milionë 250 mijë euro grante investive. Ndërkaq, 13 milionë e 750 mijë janë të planifikuara si subvencione. Kryesisht tek grantet investive, si risi për këtë vit është masa e diversifikimit rural dhe prodhimet shtëpiake, përpunimi i qumështit të deleve, dhive bimëve mjekuese, pemëve pyjore, kërpudhave dhe produkteve tjera.. Gjithashtu, risi në këtë masë është mbështetja tek perimet në fushë të hapur. Ne sivjet i përkrahim të gjitha perimet duke përfshirë dhe pataten, e cila nuk përkrahet pothuajse në asnjë vend të rajonit, për shkak të të madh që ka. Gjithashtu, edhe kulturat tjera perimore, qe pet, hudhrat dhe kulturat tjera”, pohoi ai.

Ndryshe, në programin e sivjetmë për bujqësi dhe zhvillim rural, do të ketë subvencione për grurë, farë gruri, misër, luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, si dhe për qumësht sipas cilësisë.

Subvencione, po ashtu do të ketë edhe për pulari, bletari, për vreshtat ekzistuese, për material fidanor të pemëve dhe të hardhisë së rrushit. Ndërkaq, përmes granteve investive, do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve dhe vezëve. Pastaj, do të përkrahet prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, mjedrës, manaferrës, vreshtarisë dhe bimëve mjekuese.

Uji Dea

Behramaj thotë se nuk do të mungoi as përkrahja e fermerëve në modernizimin e mekanizmit të tyre bujqësor. Sipas tij, përsëri do të investohet në projekte për ujitjen e tokave bujqësore, në agro përpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e investimeve bujqësore. Si dhe do të investohet në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.

“ Vitin e kaluar kemi pasur mbi 40 projekte të fermerëve që kanë përfituar. Ndërkaq, krahas gjithë këtyre, këtë vit përsëri do të investohet në ujitjen e tokave bujqësore. Sepse dihet që është evidentuar si mangësi, për shkak se jo shumë sipërfaqe të tokës bujqësore, janë nën sistemin e ujitjes të përfshira. Ne me investimet tona gjatë viteve të kaluara si me investime kapitale, gjithashtu me investime të drejtpërdrejta, tek fermerët ashtu siç kemi investuar vitin e kaluar, kemi përfshirë mbi 19 mijë hektarë tokë bujqësore nën ujitje. Mirëpo, natyrisht se nevojat janë shumë më të mëdha. Gjithashtu, do të investojmë edhe në agro përpunim përmes investimeve në pajisje dhe në makineri, për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore. Si dhe do të investohet në diversifikimin e fermave. Pra, diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale”, pohoi ai.

Se përkrahja nuk ka munguar për bujqit kosovarë, këtë e thonë dhe Shoqatat e Bujqve të Kosovës. Agim Sahiti, Kryetar i Bashkimit të Shoqatave Bujqësore të Kosovës thotë për Kosovapress, se nga viti në vit, investimet në bujqësi po rriten. Ai po ashtu theksoi se fermerët janë të kënaqur me mbështetjen e marrë nga Ministria e Bujqësisë.

“Çdo vit ka qenë ngitja e investimeve në bujqësi. Vitin e kaluar për herë të parë kanë fut disa prodhime, si p.sh prodhimin e verës, për pulat vojse…Vitin e kaluar për herë të parë kanë hyrë pulat në subvencione dhe kanë hyrë disa produkte tjera, p.sh qumështi ka qenë, lopët, dhit, bletët, serat, pemët, perimet. …Në krahasim me vitet tjera kanë qenë të kënaqur. Sepse ka qenë edhe ngritja por edhe përfshirja më e gjerë e prodhimeve bujqësore. Sepse prodhimet bujqësore janë një spektër i gjerë. Disa nuk kanë qenë të përfshira. Kështu që në këtë aspekt e marrim, kanë qenë të kënaqur. Por nëse e merret parasysh subvencionet që janë në shtetet tjera, ku e kanë buxhetin më të madh, atëherë prapë ne jemi ende larg tyre. Por në përgjithësi, në krahasim me vite tjera, kur disa prodhime nuk kanë pasur subvencione dhe grante, megjithatë është një hap përpara”, thotë ai.

Ndërkaq, shpreson në përkrahje edhe më të madhe nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe një përkujdesje të veçantë për këtë sektor, i cili është mjaftë i rëndësishëm për ekonominë e vendit./kosovapress/