UBT

Metafora e atdheut dhe lirisë, në vargje

/ 12 minuta lexim

Nga Xheladin Mjeku – Avdush Canaj (1955), me këtë përmbledhje poezish për fëmijë dhe të rinj, arriti ta përmbush dekadën e titujve të botuar nga krijimtaria e tij letrare. Libri i tij i dhjetë, përmbledhja me poezi për fëmijë e të rinj “Porta e këngës” sjell vlera të nivelit të dëshiruara, fal mjeshtërisë së autorit, i cili skalit vargun deri në magjinë e fjalës, i jep ngjyrime poetike ambientit dhe e transformon me ngjarjet që pasqyrojnë imazhin e botës fëmijërore.

Avdush Canaj: “PORTA E KËNGËS”, vjersha për fëmijë e të rinj, botoi “Faik Konica”-Prishtinë, 2017

Sot, kur po rrufisja kafen e mëngjesit në shoqëri të kolegëve të punës, nga filxhani më ranë disa pika kafeje mbi tavolinën e byfesë. Për ta arsyetuar atë ndodhi, njëri nga të pranishmit tha se kjo është shenjë gëzimi, që mund të ndodh së shpejti! Unë nuk jam ithtar i këtyre bestytnive dhe fare nuk i marr për të vërteta, por për befasinë e rastit, po atë ditë, pas mbarimit të orarit të punës, kur po kaloja nëpër sheshin e qytetit, takova mikun dhe shkrimtarin e respektuar, Avdush Canajn, që po shoqërohej edhe me disa miq, poashtu krijues, i cili pa ngurruar fare ma dhuroi librin e tij ende “të nxehtë”, që posa e kishte parë dritën e botimit. Në çast m’u kujtuan pikat e kafes dhe shpjegimi për mundësinë e gëzimit. Vërtetë më përshkuan ndjenja gëzimi, meqë dhuratat e Avdushit janë më shumë se kaq, sepse ato janë vlera që rrugëtojnë në shpirtin dhe dashurinë e adhuruesve të poezisë, të mbështjellura me petk zbukurues, por në breni sikur ruajnë fshehtësitë e vargjeve me shije prej çokollate, që joshin për t’i shijuar deri në vargun e fundit.

Shpalosje që të magjepsin me bukuritë e vendlindjes

Avdush Canaj (1955), me këtë përmbledhje poezish për fëmijë dhe të rinj, arriti ta përmbush dekadën e titujve të botuar nga krijimtaria e tij letrare. Libri i tij i dhjetë, përmbledhja me poezi për fëmijë e të rinj “Porta e këngës” sjell vlera të nivelit të dëshiruara, fal mjeshtërisë së autorit, i cili skalit vargun deri në magjinë e fjalës, i jep ngjyrime poetike ambientit dhe e transformon me ngjarjet që pasqyrojnë imazhin e botës fëmijërore.

Poezia “Lulja ma jep dorën” e hap perden e mrekullive të librit “Porta e këngës”, duke shprehur qartazi intuitën e tij krijuese në gjetjen e metaforave të bukura, që ia zgjojnë kërshërinë lexuesit të tij. Vargjet “Më del poezia/ e ëmbël si qershia”, nuk kanë si të mos provokojnë vëmendjen e lexuesit që në nismë të shpalosjes së kësaj materie poetike të paraqitur këtu. Nga këndvështrimi i lexuesit të vëmendshëm, në këtë përmbledhje poetike takojmë paraqitjen e një parku të bleruar, që e rrethojnë gjithfarësoj lulesh, pemësh, flutura e zogj këngëtar. Nuk mund të befasohemi kur na rastis të ndalojmë edhe në ndonjë kënd ku preket e kaluara jo edhe aq e këndshme e poetit, që ia atribuon njerëzve të tij, vendlindjes dhe popullit, që s’bashku me autorin ishin personazhe të vuajtjeve, torturave, persekutimeve, gjithmonë të vendosur deri në triumfimin e lirisë.

“Porta e këngës” është kupola e cikleve poetike: “Meqë ra fjala”, “Mos bën shaka te yjet”, “Kam parë hatanë”, “Tregim i gjyshit”, “Lulet pyesin për ty”, “Degë me ylber” dhe “Nëse më kërkoni”, që mbyllet veç me poezinë “Aty më keni”, sikur e këshillon lexuesin që “të hapin portat e vargjeve” dhe aty do ta gjeni. Kur këngës i hapet porta, aty brenda gjejnë vend lirshëm dashuria prindore, ëndrrat, gëzimet dhe loja fëmijërore. Po aty gjejmë edhe këshillat nga mësuesi, edukatorja, e çka jo tjetër, që në përditshmëri fikson mendja dhe imagjinata fëmijërore. Ndonëse i bëmë një rrethrrotullim kësaj përmbledhje poetike, nuk mund ta anashkalojmë pa mos prekur edhe çështje tjera, duke pushuar ngapak nëpër ciklet e saj, që, shikuar nga vetë emërtimet joshëse dhe brendia e pasur me vargje të çiltëra, me figuracion shumë të pranueshëm për botën e fëmiut dhe, mbi të gjitha për vlerat edukative dhe mesazhet e sakta, bëjnë që fryma poetike të përshkon ndjenjat shpirtërore të përjetimit të çdo vargu, si pjesë e jetës, frymëzime për dashurinë dhe të bukurën në përgjithësi. “Meqë ra fjala” shprehet autori, në ciklin e parë të librit duke hapur “Portën e tij” me çelësin pa numër, që edhe zogjët e kuptojnë:

“Është portë e këngës
ku ditët blerohen çdo orë
me harkun e violinës sime.”
(“Porta ime”, fq. 9)

Në të vërtetë, kjo portë rri e hapur nga vargu në vargun tjetër, ku lirisht futen zogjtë, fluturat, rrezet diellore, ylberi, pastaj kumria, etj. Po aty hedh valle edhe pëllumbi, duke shpalosur petalet e luleve, valviten edhe fijet e barit, që çdo çast iu shtohet rrita, pa mos e harruar se: “Pastaj nis gazmendi/ përtej ane/ si në dasmë fluturash/ iliriane”, (“Meqë ra fjala”, fq. 20).

Avdush Canaj, fal imagjinatës së tij krijuese dhe pasurisë shpirtërore, asnjëherë nuk ngurron që lexuesve të vet të vegjël, që i do shumë, t’ua mbush “Shportat me buzëqeshje”, duke u dhuruar edhe “vagonët lumturi”, “edhe trenin e ylberit”, “pyllin e përrallave” dhe përfundimisht edhe dhuratën e madhe sa kozmosi, “Qiellin me hënë e yje” (fq. 19). Janë të pafund dhuratat e tij përmes vargjeve të bukura, por nuk mund të mos veçoj një realitet tjetër të autorit, i cili në vazhdimësi e mban gjallë muzën krijuese gjithandej kah prek botën fëmijërore, duke falur “Poezinë e ëmbël”, vargje të reja “Pa rimë”, për të vazhduar “Përtej magjisë”, me krijimin e pandalshëm të “Lirikave me kapela”, gjithnjë duke e shikuar botën e lulëzuar me “Sytë e fëmijëve”.

Lexuesi i kësaj përmbledhje poetike në asnjë mënyrë nuk do të ketë përmbyllur misionin e plotë, derisa mos të shtegtoj edhe nëpër faqet tjera të këtij cikli, për të qëndruar pak çaste edhe me poezitë: “Prehri i nënës”, “Dielli puth qershitë”, ”Princesha e grunajës”,“Perla deti”, e shumë tjera, me po të njëjtën frymë krijuese dhe vlera të pakontestueshme letrare, rrjedhshmëri gjuhe dhe mesazh të qëndrueshëm.

Dashuria njerëzore, pjesë e pandashme e frymëzimeve

Eco Higjiena

Komunikimi me poezinë e Avdush Canajt vjen më ndryshe, meqë trajtimi i ngjarjeve, lidhshmëria tematike dhe forma komunikuese me lexuesin pothuajse të imponohen të krijosh çasje të pashkëputur mes tyre. Kështu, edhe në ciklin poetik “Mos bën shaka te yjet” kjo vartësi vjen si një bashkëdyzim i tillë, ku gërshetohet krenaria, dhimbjet dhe dashuria për prindërit, të afërmit dhe bashkëveprimtarët e autorit, që në përgjithësi ia shtojnë edhe më shumë mallin që t’i takoj, qoftë edhe në “Ballkon të qiellit” , prej nga “Mbrëmë e pash nënën,/ e pashë,/ në ballkon të qiellit/ qeshnin sytë e saj!”, (po aty, fq.51), për ta kuptuar se gjithmonë kujtesa është e freskët e malli poaq i madh për prindërit.

Autori përmes vargut plot dhimbje, kujtesë e dashuri takon edhe babain, pastaj shpërfaq edhe mallin për kolegët e penës, Rifat Kukajn, Abdullah Thaçin, duke e shprehur hapur, në shenjë dhimbje, mungesën e Nuhi Ismailit, mungesë kjo e cila e detyron që “Të shtuneve më s’dal”, meqë “e di se atje tek vendi ynë/ nuk të takoj më ty.”. Këtë rrugëtim plot dhimbje e ndalon “Te fusha e yjeve”, ku në bashkëbisedim me gjyshin do ta luste mos të qëndroj aq larg duke i lexuar vjershat e nipit, por të kthej përsëri, se “Edhe trëndafili te porta/ është mërzitur për ty,/ o gjyshi im i mirë!/, (fq. 59).

Poashtu, nga jetëshkrimi i autorit mësojmë për një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm, me shumë përballje me pushtetin e atëhershëm, duke vuajtur edhe burgun, i akuzuar si “intelektual i rrezikshëm”, për ta disiplinuar me burg, por kjo masë ndëshkimi e burrëron edhe më shumë Avdushin. Pjesë nga kujtesa e kësaj periudhe sjell, kryesisht në ciklin poetik “Tregim i gjyshit”, që e kthen kujtesën mbrapa në kohë, tashmë kur në moshën e gjyshit e ndien nevojën ta shpërfaq dhe, në një mënyrë t’ua përcjell pasardhësve të tij që ta mësojnë e ta kujtojnë në breza. Për ato kohëra, ku tortura ishte nga më çnjerëzoret, ai do të shprehej:
“Na lëshuan
edhe gjarpërinjtë
po ranë të ngordhur
nga gjaku ynë!
Gjak lirie ishte.”
(“Tregim i gjyshit”, fq. 69)

Fuqia rrëfyese për një periudhe aq të trishtë e përshkon gjithë këtë cikël poezish, ku, përveç se komunikon me babain, me nënën, me njerëzit e tij, autori nuk mund të mos takohet përmes vargjeve edhe me vëllaun, Alush Canaj, i cili kishte pësuar po nga e njëjta dorë barbare, derisa e kishin vrarë në Gjilan. Kosova tashmë ishte në rrugën e sigurtë drejt lirisë, prandaj i çliruar nga ky shqetësim, i drejtohet të vëllait: “Ç’gëzim!/ Atje mes lulesh/ fli i qetë vëllai im”, (“Ditëmira”, fq.75).

Poaq i veçantë dhe mbresëlënës është edhe cikli tjetër poetik “Kam parë hatanë”, ku me pak vargje paraqet “Ujqërinë” e okupatorit historik, i cili në theqafje nga trojet tona nuk u ngop me atë që kishte bërë për gati një shekull, por iku duke lënë mbrapa edhe “Bonjakët e luftës”. Barbarinë e tyre të pamëshirë e takojmë në çdo varg e fjalë të autorit, por sikur ngushëllohet me vargjet: “Njërën këmbë s’e kam/ se luftë u bë,/ po ujqit e zi/ nuk janë më.” (“Nuk janë më”, fq. 66).

Edhe në ciklin në vazhdim sjell tema të larmishme dhe të rëndësisë poaq të veçantë, duke prekur përditshmërinë e mallit për njerëzit në mërgatë, për ëndrrat e pambarim me atdheun dhe lulet e bukura fushave e ograjave të vendlindjes, për përqafimet e ngrohta të gjyshërve, gjysheve, e të afërmëve tjerë. Kështu, përmes celularit “Lulet pyesin për ty”, dhe e këshillojnë: “Eja drejt!/ në krah zogu/ vjen më shpejt.” (fq. 79).

Vargje që qëndrojnë si “Degë me ylber”

Pavarësisht kënaqësisë që të krijon përmbyllja e leximit të një libri të tillë të realizuar mirë, që ta mbush ditën plot dashuri njerëzore, të sjell pamje të mrekullueshme të vendlindjes dhe të kujton një të kaluar të bujshme e plot sakrifica, duke i kurorëzuar të gjitha me dashurinë e pafund për atdheun, lirinë dhe vlerat e njeriut tonë, prapëseprapë nuk ke arritur të shijosh në plotni gjithë atë begati poetike që takon nga vargu në vargun tjetër. Gjuha e çiltër dhe komunikuese me lexuesin e të gjitha moshave, pasurimi me trope, metafora e një mori toponimesh, paraqesin imazhin e atdheut që mbetet i pashlyer në kujtesën e lexuesit.

Pikërisht, fal kësaj mrekullie krijuese, Avdush Canaj, sikur paralajmëron që, për asnjë çast nuk pushon së gjurmuari tema të reja, gjithnjë të frymëzuara nga e kaluara historike, pastaj mbi bazën e traditave të popullit dhe nga përditshmëria, duke i poetizuar në masë të kapshme për lexuesin, sepse “Tërë ditën puhiza/ na mrekulloi në luhajë/ me këngë e melodi,/ dasmën e bëmë/ në faqet e librit të ri.”, (“Një vjershë me mollë”, fq. 89). Mbi bazën e këtij motivimi autori nuk rresht së krijuari edhe më tutje, dhe në kuptimin e përgjithshëm, na bën t’i përjetojmë si vargje që çdoherë qëndrojnë varur para nesh si “Degë me ylber”, duke rrezatuar bukuri shumëngjyrash, meqë “Kam dashuri/ për ty/ sa kjo fushë!” për ta plotësuar me shpjegimin në vargjet e fundit të poezisë “Për ty”, se dashuria nuk ka kufizim, prandaj, “Sa më shumë/ që merr/ bëhet degë/ me ylber!”, (fq. 91).

Një paraqitje mbresash kaq të shkurtëra, në asnjë mënyrë nuk e shpalosin gjithë thesarin e këtyre vargjeve brilante, por në masë të mirë yshtin lexuesin që të rrugëtoj këtyre viseve të mrekullueshme poetike të “Portës së këngës” për ta shijuar melodinë poetike dhe për ta prekur ndieshmërinë e mesazhit të tyre. /rajonipress/