Mbresa nga manifestimi letrar i “Flakës…” (2014)
Nga Nuhi Ismajli – Pjesa letrare e manifestimit “Flaka e Janarit” (2014), nuk mund të thuhet se na la mbresa aq të mira dhe, si e tillë, ajo, që të jetë më e denjë për një manifestim të rëndësishëm, çfarë synon të jetë, duhet të mënjanojë të metat e ndryshme saj.
Së pari, ajo që do vënë në dukje është niveli i ulët i organizimit të orës letrare të “Flakës..”. Ata që patën rastin ta përceptonin atë (31.1.2014), janë dëshmitarë se, në vend të kënaqësisë estetike, patën një torturë jo edhe aq të vogël, jo vetëm nga stërzgjatja e saj me lexuesit aq të shumtë (rreth 50!), po për më tepër nga leximet e teksteve aq të dobëta, sa nuk të ngjanin aspak në krijimet poetike, çfarë janë pritur në atë rast.
Nga gjithë ajo mori leximesh, ne nuk dalluam më shumë se 5-6 krijime poetike! Prandaj, një nga kushtet për të pasur një orë të denjë letrare, për “Flakën…”, është ftesa e poetëve të vërtetë dhe mënjanimi i bykut të fjalëve.
Së dyti, për aq sa kemi pasur rast ta njohim aktivitetin letrar të “Flakës…”, mund të themi se ajo që nuk e nderon këtë manifestim është edhe mënyra e veprimit me shpërblimet letrare.
Në orën letrare të “Flakës…” (31. 1. 2014), kam mbresën se u shpërblye autorja, jo pse poezia e saj ishte më e mirë se nja dy-tri poezi të tjera, që ishin më të mira, po se ishte nga Shqipëria dhe për shkak të ndonjë interesi krejt personal dhe aspak letrar.
Së treti, nga konkursi letrar, gjer vonë, nuk u bënë publikë emrat e autorëve të shpërblyer, përveç njërit që u tha se ka fituar çmimin e parë për tregim. Pse nuk bëhen gjatë publikë emrat e fituesve të konkursit letrar?! Mos duan organizatorët të na lënë të presim gjatë, në mënyrë që të na befasojnë në fund, si na befasuan vitin e kaluar kur thanë se kanë fituar autorët nga të gjitha hapësirat gjeografike shqiptare, sikur t’ishte kjo një punë e mundshme që, përmes konkursit ku nuk ka emra të vërtetë, të respektohen krijuesit e të gjitha trojeve kombëtare!!!
Tregimi që u tha se ka fituar çmimin e parë për tregim, u botua para pak ditësh, dhe patëm rast ta lexojmë. Nuk mund të themi se nuk u befasuam. Shkrimi me titullin “(Sh)krimi”, më shumë sesa në tregim, neve na ngjan në një ese. Ai mund të lexohet dhe të shihet sesa qëndrojnë fjalët e mia. Konkursi, ndërkaq, nuk ka qenë për ese, po për tregim.
Shkurt, “Sh)krimin”, që ta doja e ta shijoja si tregim artistik, nuk më ndihmoi asgjë, as edhe njohja e eksperimentimeve të letërsisë postmoderniste.
Kështu, shkrimin e shpërblyer, “(Sh)krimi”, provova tri herë ta lexoja. Herën e parë mezi arrita ta lexoja një paragraf. Herën e dytë arrita t’i lexoja rreth tre paragrafë. Pastaj, sërish më nxiti kurreshtja për lexim dhe, herën e tretë, ngulmova t’i bija në fund. Po, në fund i dola pasi mu dasht t’i kapërceja disa paragrafë.
Kështu mund të them se lexova dy të tretat e “Sh)krimit”. Nuk gënjej, doja ta lexoja si tregim, ai më dilte si ese. Më pengonte ta shijoja si tregim prania e e fjalorit abstraktë, domethënë gjuha nocionore. Aty-këtu, kur arrija ta lexoja si tregim, më pengonte grumbullimi i figurave. E, po, grumbullimi i figurave e dëmton edhe poezinë, e lëre më prozën. Mbase, nuk ka nevojë ta them troq se “(Sh)krimi” nuk më solli atë që e prisja: kënaqësinë estetike.
Në konkurs, është thënë se janë paraqitur shumë proza. A thua nga shumësia e tregimeve të konkursit, nuk ka pasur ndonjë tregim më të bukur, i cili lexohet më me endje dhe të sjell më shumë kënaqësi?!
Mbresat nga leximi i shkrimit “(Sh)krimi” nuk më përputhen fare me mbresat dhe vlerësimet e jurisë së konkursit, e cila, si u tha, në rastin e komunikimit të rezultateve të konkursit, në orën letrare të “Flakës…”, më 31.1.2014, është mbështetur “…në disa kritere, si rregulla të përgjithshme: Pathosi lirik dhe ndërthurrja tematike; stilistika, gjegjësisht figurshmëria e vargut dhe forca përçuese e mesazhit, qoftë tek poezia apo proza.”
Mbase, shmangia nga gjuha e tregimit, “jurisë profesionale” i është dukur si një risi e vlerë e çmuar e shkrimit “(Sh)krimi”!
E katërta, ajo që nuk i bën nder “Flakës…” është edhe mënyra sesi po formohen juritë letrare, në rastin e saj. Juria e konkursit letrar të “Flakës…”(2014), e quajtur nga organizatori “juri profesionale”, përbëhej nga anëtarë jogjilanas, si: Musa Ramadani (Prishtinë), Nexhat Rexha (Dardanë), Zejnepe Alili-Rexhepi (Maqedoni). Nuk kemi ne në Gjilan krijues të denjë për anëtarë të jurisë, për vlerësimin e konkursit letrar, apo krijuesit gjilanas u mënjanuan për shkaqe shumë subjektive?!
Edhe juria për ndarjen e çmimit të orës letrare të “Flakës…”, u formua ashtu që të mënjanojë krijuesit gjilanas. Vërtet, nuk mund të mos shtrohet me habi pyetja se a nuk ka Gjilani krijues për të qenë anëtarë të jurisë letrare për vlerësimin e orës letrare, po aty duhet të jetë ndonjë krijues jogjilanas (parimisht nuk jemi kundër krijuesve jogjilanas!), apo veç ndonjë simpati e organizatorit?! Pse lejohet, në këtë mënyrë, që, përveç tjerash, të injorohen krijuesit gjilanas, në vend se ata të stimulohen e të afirmohen?! Nëse qendra e tyre nuk i stimulon e afirmon, kush e ka për detyrë ta bëjë këtë?!
Në Gjilan, që të manifestohet mirë e ndershëm, duhet të mënjanohet praktika absurde e deritashme e paraqitjes personale në emër të të gjithë krijuesve gjilanas dhe e mohimit të tyre. Dhe, mbi të gjitha, që të manifestohet mirë e ndershëm, në Gjilan, duhet të mënjanohet praktika e shfrytëzimit të manifestimi letrar të “Flakës…”, si një pronë personale. (12 shkurt 2014).


