UBT

Mbi bisedimet me Serbinë!

/ 11 minuta lexim

Nga Behgjet Pacolli – Sot isha në Mitrovicë dhe përveq objekteve kapitale që janë duke u ndërtuar në atë pjesë, bashkë me kryeministrin vizituam edhe familjen e Ali Kadriut në pjesën veriore të qytetit.

Përveq të tjerash qytetarët tanë atje i mundon gjendja e rëndë ekonomike dhe për këtë dua të shpreh shqetësimet e mija të thella. Qeveria e Kosovës tani është duke përfunduar proceset e rëndësishme për ardhmërinë e Kosovës, në veqanti për ardhmërinë e qytetarëve të Mitrovicës. Mitrovica ka ardhmëri vetëm si tërësi, pa kufizime dhe kërkon perspektivë për një jetë më të mirë.

Ashtu siq e thash më lartë Kosova është duke përfunduar një proces shumë të rëndësishëm të normalizimit të marëdhënieve me shtetin serb. ky proces, gjithashtu do të hap rrugë edhe për zgjidhjen e një numri problemesh të mëdha që rëndojnë tash e sa vjet qytetarin tonë.

Si do të zgjidhen me Serbinë problemet e të zhdukurve, pensioneve, pasurive të përbashkëta, çështjet e, rrymës, telefonisë, njohjes së diplomave, patentave, etj? Me luftë ? Jo, për fat, koha e luftës ka mbaruar. Armët kanë heshtur dhe bisedimet mbeten rruga e vetme. Ballë për ballë dhe vetëm ne me ta? Jo, sepse s’do të arrinim sukses, por me praninë e miqve apo të një ndërmjetësi të ndershëm. Do e kisha lutur këdo të mos imagjinojë një europian apo një amerikan si shërbyesin tonë duke na i zgjidhur këto çështje dhe duke biseduar me Serbinë.

Është kjo arsyeja kryesore pse unë sot jam pro bisedimeve. Punët tona duhet t’i zgjidhim vetë dhe jo të tjerët. Kur na ndihmojnë është shumë mirë, por dhe vetë duhet të bëjmë diçka. Ndaj në 2 prill kryeministri i Kosovës, gjegjësisht Kosova po shkon në raundin e fundit të bisedimeve me Serbinë, ku tema kryesore do të jetë arritja e një marrëveshjeje.

E bëj këtë saktësim, sepse siç po provohet se në Bruksel nuk po flitet për një status për veriun, nuk ka autonomi, nuk ka Republika Srpska në Kosovë. Pra nuk ka një marrëveshje mbi baza territoriale, por një marrëveshje mbi bazë individësh, qytetarësh : ajo do të vlejë për qytetarët serbë të Kosovës.

Unë jam zëvendëskryeministër i parë i qeverisë së Kosovës, dhe jam informuar rregullisht për këto bisedime, megjithë do përralla që janë thurrur për të kundërtën. Kam marrë pjesë dhe në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ballëpërballë me delegacionin serb të nivelit të lartë, dhe kemi shkëmbyer dhe disa fjalë me zyrtarët e lartë të këtij vendi, pa ndërmjetësinë e dikujt.

Parashikimi im për bisedimet me Serbinë

Këtu mbërritëm tek një tezë e paradokohshme e imja. Ndoshta ishte dhe e parakohshme, por koha mua më dha të drejtë. Thashë asokohe në 2007-ën se ne do të bisedonim me Serbinë sërish, dhe në vendet tona, me ose pa ndërmjetsimin ndërkombëtar.

Asokohe dikush ma mori për të madhe, por më duket se koha i dha të drejtë kësaj teze time. Unë nuk bëra ndonjë shpikje, por thjesht u mbështeta mbi disa gjëra që duhet të diheshin dhe nga ata që më kundërshtuan. Bisedime kanë bërë gjithmonë shtetet apo kombet që kanë qenë në luftë me njeri tjetrin. Mes tyre lufta ka lënë gjithmonë probleme për t’u zgjidhur, që lidhen me qytetarët, me të vrarët, të humburit, me pronat, me ndarjen e pasurisë së përbashkët, etj.. Nëse s’kanë shanse për sukses nga negociata dypalëshe, atëherë thirren në ndihmë miqtë, apo ndërmjetës të paanshëm. Por dikur dhe ndërmjetësit lodhen, dhe ne duhet t’i zgjidhim disa sende vetë.

Në këtë parashikim timin nuk kishte kurrfarë profecie. Nuk kishte sjellje pragmatike partiake. Si pragmatik dhe i pasinqertë do duhej të thoja se « nuk do duhej të bënim kurrë bisedime me Serbinë », dhe mbase askush s’do të ma merrte për të madhe, por do të më duartrokisnin. Unë thjesht thashë me zë të lartë, diçka që të tjerët mbase e mendonin.

Nuk e bëra këtë parashikim për kurrfarë ndjenje të veçantë ndaj serbëve : 14 pjesëtarë të rrethit tim të afërt janë vrarë prej tyre, dhe nëjri vëlla imi ishte në radhët e UÇK-së, etj. Thjesht nuk fola si një politikan, por si njeri realist. Dhe ja ku mbërritëm sot kur krerët e institucioneve i zënë vendin njeri tjetrit për të bërë bisedime me serbët.

Janë dhe disa arsye të tjera pse unë jam për bisedimet. Por dhe kam disa ide plotësuese rreth tyre.

Mobi Casa

Disa ide rreth bisedimeve dhe disa sugjerime.
1. Ne po bisedojmë me Serbinë sepse ne kemi probleme me të. Po të mos kishim probleme, nuk do bisedonim. Nuk mund të shkojnë të bisedojnë të tjerët, me Serbinë, miqtë tanë përshembull të cilët s’kanë problemet tona me ta. Është pak mburravecëri që të mendojmë që hallet tona për të zhdukurit, për krimet e luftës, për pasuritë tona, për pensionet, për kadastrat, etj, t’i diskutojë me Serbinë, një mik yni amerikan, apo anglez, apo francez. Ne nuk jemi qendra e botës, që hallet tona të na i zgjidhin të tjerët. Për më shumë pse duhet t’i shmangemi këtyre bisedimeve kur në krahun tonë qartë dhe hapur janë miqtë tanë ?

2. Bisedimet janë dëshmi e rritjes së forcës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Një shtet i dobët ka frikë nga bisedimet. Bisedimet janë afirmim i mëtejshëm i shtetësisë sonë. Ato po provohen si dëshmi e kësaj force dhe prej gojës së vetë politikanëve serbë. Kryeministri Daçiq, ka thënë ditët e fundit se faktorët ndërkombëtarë me peshë nuk janë në krahun e Serbisë ; se ne po diskutojmë me gjithë bashkësinë ndërkombëtare dhe jo me Kosovën, etj, etj. Me përfundimin e tyre.,bisedimet politike të nivelit të lartë, do të ndihmojnë dhe njohjet.

3. Bisedimet janë parathënia e integrimit të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, gjegjësisht në OKB, sipas Kartës së të cilës, problemet zgjidhen me bisedime. Ne po zbatojmë një rezolutë të OKB-së duke hyrë në bisedime. Fundi do jetë me siguri, anëtarësimi në OKB.

4. Bisedimet janë mundësi që Kosova të harxhojë tash e tutje më shumë energji tek probleme reale dhe të rëndësishme brenda vendit dhe jashtë tij, dhe jo tek marrëdhëniet me Serbinë. Këtë gjë dua t’ja them dhe opozitës, e cila gjithqysh e ndihmon qeverinë me rolin e saj kritik për bisedimet. Ne të gjithë, pra dhe opozita duhet të merremi dhe me problemet e tjera të Kosovës, me papunësinë e të rinjve, me zhvillimin ekonomik, me spitalet tona, me bujqësinë, blegtorinë, dhe jo të improvizohemi të gjithë diplomatë.

Pse ? Kosova ka jo vetëm një qeveri të përgjegjshme në këto bisedime, por dhe miq të sigurt. Le t’i lemë improvizimet, se miqtë që na ndihmuan për arritjen e lirisë, do na mbështesin dhe tash. Le t’a lemë përsëritjen e vazhdueshme të fjalisë se « marrëveshja duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës ». Harrohet se Kushtetuta e Kosovës është Kushtetuta që ka brenda të gjithë konventat dhe traktatet ndërkombëtare më të rëndësishme, si ato për liritë dhe të drejtat themelore, për autonominë lokale, etj.

Çfarë marrëveshje do kishte nëse dy palët do thonin se marrëveshja duhet të respektojë Kushtetutën tonë ? Për fat Kushtetuta jonë nuk do ndërrojë, por do ndërrojë Kushtetuta e Serbisë. Por dhe nëse ndërronte e jona, nëse ne fitonim shumë prej marrëveshjes pse të mos e ndryshonim ? Mjaft që ndryshimet të ishin sipas Konventave ndërkombëtare.

Pas këtyre gjykimeve mbi dobinë e bisedimeve, do shtoja disa propozime të miat.

Çfarë forme do të ketë Marrëveshja përfundimtare ? Është folur për një traktat paqeje, por dyshoj se Serbia do të pranojë një formë të tillë. Kësisoj Serbia do të na pranonte zëshëm dhe që sot se jemi shtete të barabartë. Për më shumë traktatet e paqes zgjidhin si rregull probleme kufitare, dhe ne s’kemi asnjë problem kufitar që duam ta diskutojmë me Serbinë.

Miqtë tanë ndërkombëtare sugjeruan në fillim të bisedimeve modelin e marrëveshjes midis dy Gjermanive. Dy shtetet e dikurshme në vitin 1972 kapërcyen problemet kryesore mes tyre, ndërsa Gjermania Lindore u bë anëtare e OKB-së në 1973 me nënshkrimin e këtij Traktati . Megjithëse dy shtetet nuk e njihnin formalisht njeri tjetrin si të tillë, dhe as nuk e pranonin me shkrim këtë gjë, prapëseprapë ata nënshkruan një dokument që ishte traktat i vërtetë.

Disa prej kolegëve tanë e refuzuan një propozim si ky, që vinte prej miqve tanë gjermanë, mbështetësve tanë më të angazhuar në këtë proces mes vendeve të BE, duke keqkuptuar ngjashmëritë e dy situatave. Unë jam thuajse i sigurt se asnjeri prej tyre nuk e ka lexuar kurrë këtë marrëveshje. Në mënyrë krejt populiste ata gjoja u shqetësuan nga paralelizma në situatat gjegjëse : asaj ndërgjermane dhe asaj mes nesh dhe Serbisë. Ne s’duam t’i ngjajmë atyre në asnjë rrethanë dhe madje as nuk i ngjajmë në shumë rrethana. Ne thjesht na duhet që Serbia të heqë dorë paqësisht nga pengesat që na vendos në rrugën tonë të zhvillimit dhe të integrimit ndërkombëtar. Marrëveshja midis dy Gjermanive jep saktësisht këtë zgjidhje duke qenë kështu një model i mirë dhe megjithëse miqtë tanë ndërkombëtarë nuk po e quajnë kështu çka po arrihet në Bruksel, po shkohet mesa duket tek një tekst i ngjashëm.

Problemi kryesor i kësaj marrëveshje kryesore politike, ashtu si dhe marrëveshjeve të tjera miratuar në Bruksel siç duket do jetë zbatueshmëria e tyre. Që një marrveshje të zbatohet, do duhet të miratohet nga kuvendet gjegjëse një Tekst kuadër (Traktat në të vërtetë) e cila të përmbajë referenca për të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Në të, do duhet të parashikohen si zgjidhen konfliktet e keqinterpretimit të tekstit, arbitrimi, ankimimet në rast mosrepektimi të saj, etj, etj.

Dhe më në fund, që kjo marrëveshje të gjejë zbatim do duhet të parashikohet dhe diçka tjetër, që lidhet me një propozim tjetër të kahershëm timin : duhet miratuar shpallja e një zone të lirë ekonomike për regjionin e Mitrovicës, që do duhej të përfshinte dhe Vushtrinë, apo ndonjë regjion tjetër me shumicë shqiptare. Kjo zonë e lirë ekonomike do prodhonte shumë interesa ekonomike të ligjshme mes qytetarëve të dy etnive, dhe do të forconte lidhjen e qytetarëve serbë të Veriut me shtetin e Kosovës.

Dhashë disa konsiderata për bisedimet me statusin e kryetarit të Aleancës për Kosovë të re, por pse jo dhe të qytetarit. Kjo që po ndodh sot është historike, dhe ne duhet të lemë gjurmë me mendimin tonë për këtë proces.