Mbi arrestimet që duhej t`i bënim vetë
Nga Arben Idrizi- Do të vazhdojmë të jetojmë në të tashmen e në të ardhmen tonë të afërme e të lagët në mesin e disa (të dyshuarve) kriminelëve të luftës, të cilët, për hir të krimeve të tyre, do të jenë banditë të nderuar, vrasës të respektuar, plaçkitës të shpërblyer, të korruptuar të dashur, kryetarë komunash, deputetë, ambasadorë, kryetarë partish, kryeministra, presidentë, profesorë universitarë, akademikë…
Ndonja dy vite më herët qeshë shprehur (që të mos shtirem sikur kisha dalë me idenë) se vendit tonë i nevojitet një gjykatë vendore për krimet e luftës. Dhe jo sa për sy e faqe, por tamam për t’i gjykuar të gjithë të dyshuarit, e gjithsesi dhe sidomos edhe këta të fundit që sapo i arrestoi EULEX-i.
Një iluzion, apo jo?
Një ëndërr nga i cila do të mund të bëhej një film e aq (edhe Tarantino e ka ndërtuar ‘Inglorius bastards’ mbi ëndrrën se si duhej ndalur Hitleri që në zanafillë)?
Në atë ëndërr, thjesht, të dyshuarit e tillë do të gjykoheshin nga gjykatës parimor shqiptarë, të cilët nuk do të falnin kurrë një person që gjatë luftës (pavarësisht cili të ketë qenë nami i tij para e pas, komandant legjendar, hero i gjallë a horr i qelbur), ka kryer krime.
Ajo gjykatë edhe mund të themelohej. Por parë gjërat siç janë, kurrë s’do ta bënte punën e vet siç duhet. Siç shpesh nuk e bëjnë as gjykatat tjera, për shkaqe korrupsioni, frike,kërcënimi, etj.
Duke mos e pasur atë gjykatë, ne, thënë me fjalët e fundit dhe më të thjeshta, kemi dëshmuar se sa barbarë jemi. Po, tamam, barbarë. S’jemi të zotë as nuk duam të themelojmë një gjykatë që ndëshkon krimet e luftës të bëra nga ne – siç do t’i ndëshkonte – edhe ato të bëra ndaj nesh.
Prandaj, nga BE është thirrur dhe themeluar, e nga ne, deshëm e s’deshëm, është pranuar, EULEX-i. Për ta bërë, pra, punën që nuk duam ta bëjmë ne vetë. Për të bërë, pra, që edhe në këtë vend të humbur e të mallkuar të frymojë pakëz humanizëm dhe drejtësi; një viktimë ta kuptojë se një ditë, edhe në këtë vend të humbur dhe të mallkuar, mund të dalin para drejtësisë agresorët e saj; një person që s’e njeh askush, të cilit i është bërë një e padrejtë nga një person që e njohin të gjithë, ta dijë se, edhe në këtë vend të humbur dhe të mallkuar, mund të kërkojë drejtësi dhe të merret parasysh e drejta e tij.
* * *
Këto duhej t’i ofronte dhe siguronte gjykata jonë, ne, apo jo? Por ne s’e kemi bërë. Ne s’e bëjmë. Ne s’do ta bëjmë.
Pse?
Ngase për ne një (i dyshuar për) kriminel lufte është i shenjtë, i paprekshëm, më i vlefshëm dhe më i rëndësishëm se ajo viktima e “panjohur” (që mund të ishte secili nga ne, ne vetë, i ati, e ëma, motra, vëllai, i biri a e bija jonë).
Ngase, për ne, një (i dyshuar për) kriminel lufte është përfaqësues i shpirtit kombëtar.
Ngase, për ne, një (i dyshuar për) kriminel lufte është bartës i vlerave më të larta humane.
Ngase, për ne, një (i dyshuar për) kriminel lufte është gjithmonë e gjithsesi i pastër.
Ngase, për ne, një (i dyshuar për) kriminel lufte është pa asnjë fije dyshimi vetëm luftëtar në anën e drejtë, në anën e Zotit.
Ngase, për ne, një (i dyshuar për) kriminel lufte është simbol i atdhedashurisë dhe sakrificës.
Ngase, për ne, një (i dyshuar për) kriminel lufte është fillimi dhe fundi i gjithçkaje.
* * *
Ku doja të dilja është se e keqja nuk është në arrestimin e tyre, e keqja është, siç ka ndodhur zakonisht, në lirimin e tyre në mungesë të provave (për shkak të frikës së dëshmitarëve që të dëshmojnë, apo tamam vrasjes së tyre).
Kështu, do të vazhdojmë të jetojmë në të tashmen e në të ardhmen tonë të afërme e të lagët në mesin e disa (të dyshuarve) kriminelëve të luftës, të cilët, për hir të krimeve të tyre, do të jenë banditë të nderuar, vrasës të respektuar, plaçkitës të shpërblyer, të korruptuar të dashur, kryetarë komunash, deputetë, ambasadorë, kryetarë partish, kryeministra, presidentë, profesorë universitarë, akademikë…


