Matoshi: Po avancohet transparenca e vendimmarrjes komunale

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se do të merren parasysh edhe vërejtjet nga dëgjimi publik. Sipas tij, një risi në rregulloren e punës së organit vendimmarrës do të jetë incizimi i mbledhjeve dhe vendosja e materialit në faqen zyrtare të Komunës, të cilën publiku mund ta marrë dhe shikoj të plotë.

Vendimmarrësit e Gjilanit kërkojnë më shumë kohë për debat kuvendarë. Rregullorja e re e punës së Kuvendit Komunal, e cila i është nënshtruar një procesi të dëgjimit publik, i merr parasysh këto propozime, që kanë të bëjnë jo vetëm me kohën e diskutimit, por edhe me replikën, sqarimin e votës kundër, gjuhën kuvendare, e cila nuk guxon të jetë fyese dhe çështje të tjera.

Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se do të merren parasysh edhe vërejtjet nga dëgjimi publik. Sipas tij, një risi në rregulloren e punës së organit vendimmarrës do të jetë incizimi i mbledhjeve dhe vendosja e materialit në faqen zyrtare të Komunës, të cilën publiku mund ta marrë dhe shikoj të plotë.

Ky raport me publikun e avancon edhe më shumë transparencën e vendimmarrjes komunale, thotë Matoshi.

Koha e diskutimit është propozuar të bëhet 15 minuta, nga 10 sa ka qenë deri tash, për shefin e grupit të këshilltarëve, ndërsa për anëtarët tjerë zgjatet në 10 minuta, nga 5 sa ka qenë deri tani.

Po ashtu koha e replikës zgjatet në 3 minuta, ndërsa ka qenë 1 minutë. Risi është e drejta për sqarimin e votës kundër, për çka lejohet koha prej 3 minutash.

UBT

Pjesëmarrësit në dëgjim publik, Bujar Haziri, Fazli Behluli, Xhejlane Mustafa dhe të tjerë, janë interesuar për mundësinë e ngritjes së çështjeve të caktuara nga qytetarët, për masat disiplinore ndaj anëtarëve Kuvendit dhe të tjera.

Masat disiplinore ndaj anëtarëve të Kuvendit i merr kryesuesi, në rast të përdorimit të fjalorit jokuvendar, që fillojnë nga tërheqja e vërejtjes e deri te përjashtimi për tre seanca, ka sqaruar Matoshi. “Deri tani nuk ka pasur nevojë të shqiptohet asnjëra prej këtyre masave”, ka thënë ai.

Për më tepër, Matoshi tha se e drejta e ngritjes së çështjeve të caktuara në Kuvend Komunal nga qytetarët, është e rregulluar me statutin e Komunës, ku thuhet se qytetarët ndihmojnë kuvendin në vendimmarrje.

Përderisa interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në dëgjim publik ka qenë i vogël, vendimmarrësit kanë munguar fare. Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, ka shprehur keqardhje për këtë mungesë interesimi, veçmas të anëtarëve të Kuvendit, të cilët në seanca janë mjaft të zhurmshëm, ka thënë ai.

Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka 41 këshilltarë. Me rregulloren e re, anëtarët e tij do të kenë edhe më shumë hapësirë për debat dhe inicim të çështjeve me interes për qytetarët, por sa do ta shfrytëzojnë këtë, mbetet të shihet./rajonipress/