Matoshi: Anamoravës do t`i kthehen projektet që i munguan katër vite

Gjilan – Fatmir Matoshi nga NISMA Socialdemokrate, tre muaj pas rikthimit të tij në politikë, ka folur për Rajonipress, për pritjet që ka në zgjedhjet që po vijnë dhe disponimin qytetar për koalicionin AAK – NISMA.
Matoshi që është edhe personi përgjegjës i NISMA për Anamoravën, ka thënë se në tre muajt e kaluar ka realizuar me qindra takime me aktivistë e personalitete të ndryshme në Anamoravë.
“Ka një shqetësim të madh të qytetarëve për ngecjet e mëdha në të gjitha fushat e zhvillimit të rajonit tonë. Poashtu ka një shpresë që rikthimi në qeverisje i NISMA së bashku me AAK-në do t`i jap drejtim projekteve të mbetura pezull për katër vite. Aktualisht po punojmë në themelimin dhe zyrtarizimin e strukturave të reja. Në Gjilan NISMA do të ketë një kryetar të ri, një personalitet të dëshmuar dhe i cili i ka kontribuar Gjilanit në pozicione dhe kapacitete të ndryshme. Ka edhe shumë personalitete e qytetar aktivë që në shtator do të zyrtarizohen si strukturë e re udhëheqëse e NISMA për Gjilan, dhe kjo na bën të lumtur dhe me besim të plotë se gjendja e numrave të votuesve në favor tonin në Gjilan do të pësoj ndryshime drastike” ka thënë Matoshi, ai poashtu e vlerësoj angazhimin e udhëheqjes së NISMA në Viti dhe u shpreh i lumtur me mbështetjen që po merr na Kamenicë.
“Është ndjesi mjaft e mirë kur gjatë gjithë kohës jam në takime me njerëz të vullnetshëm për ndryshim, pranoj shumë mesazhe e komunikime të njerëzve që janë të gatshëm ti japin fund kësaj gjendje në të cilën e ka sjellë qeveria aktuale” tha Matoshi.
Dështimet e qeverisë janë gjithandej sipas Matoshit, dhe qeveria e re nuk ka kohë për të humbur. “Që nga dita e parë e punës do të kemi fokusin dhe përkushtimin tonë për projektet e ujërave të zeza në Gjilan, autostradës që ka mbetur si mos më keq, do ta përfundojmë në afat rekord dhe të lëshohet në qarkullim deri në Bresalc, ndërsa jemi të dakorduar dhe të zotuar që gjatë dy viteve ta përfundojmë komplet deri te Dheu i Bardhë, sepse po ti mbetej kësaj qeverie do të duheshin dekada të përfundoj, hyrje daljet e Gjilanit duan trajtim emergjent, Anamorava i përjetoj tri vite torturë për 15 metra urë mbi Badoc, dhe kjo me ne në qeverisje nuk do t
i ndodhë kurrë, do të nisim punën për të vazhduar të plotë Hidrosistemin Kikë – Kremenatë, dhe studimet për ndërtimin e ujëmbledhësit “Te shusht” për Vitinë e Gjilanin, gjithashtu prioritet i veçantë do të jetë ndërtimi i Impiantit të ujërave të zeza në afërsi të kufirit të Dheu i Bardhë, ku do të përfundojnë kolektorët e Kamenicës, Roganës me rrethinë dhe Ranillukut e fshatrave rreth tij. “tha Matoshi.
Ai është shprehur i bindur që qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e tyre më të mirë për të ardhmen e Anamoravës.
“Shikoni rënien e numrit të banorëve në Gjilan e Kamenicë, është e frikshme kjo që po ju ndodhë këtyre komunave, prandaj është momenti i fundit që ato të shpëtohen, do të jemi mjaft të përgjegjshëm dhe të lumtur nëse marrim mandatin ta bëjmë këtë” përfundoi Matoshi. /rajonipress/