Marrëveshja me “cunga”
Nga Milaim Shefkiu – Është quajtur historik, nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me idenë “Normalizimin e marrëdhënie Kosovë-Serbi”. Nëse bazohemi në sentencën se “dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë me të vërtetë do të quhet e tillë marrëveshja e Brukselit. Kjo, sepse që në fillim, sipas të gjitha predispozitave, kjo marrëveshje është e destinuar të dështojë, ose të jetësohet parcialisht, vetëm aty ku Serbia ka interes.
Akoma pa nisur zbatimi i kësaj marrëveshjeje, që fillimisht parashikon zhbërjen e strukturave paralele serbe nga gjykatat, Beogradi po qet “cunga” në udhë, ose në gjuhen e këtyre diplomatëve axhami – “kushte paraprake”.
Fillimisht sinjali serb që vjen nga Danubi, kërkon që të miratohet Ligji për Amnisti në Kuvendin e Kosovës, me të cilin do të falen të gjithë serbët, që siç thuhet “kanë punuar për interesa të Serbisë”.
Kjo kërkesë fillimisht duket lehtë e absorbueshme, që të ndodhë amnistia dhe serbët e veriut të integrohen në shoqërinë kosovare. Mirëpo nëse studiohet pak më thellë, me këtë kërkesë Serbia e qet para aktit të kryer Prishtinën zyrtare, sepse janë 99,9 për qind e serbëve të Kosovës që kanë punuar për interesa të Serbisë (përfshirë këtu edhe shumë shqiptarë). Prandaj, në këtë “brigadë” të të amnistuarve do të përfshihen të gjithë serbët, edhe ata që kanë qenë ushtarë, policë, paramilitarë e vullnetarë në luftën e Kosovës. Do të futen edhe ata që kanë kryer krime kundër shqiptarëve, që kanë bartur me kamionë kufoma për në Serbi, e madje edhe ata që komanduan dhe orkestruan krimet kundër popullsisë civile.
Kjo kërkesë e Serbisë, fillimisht u kundërshtua nga Prishtina. U tha, me naivitet, se në ligjin e faljes nuk përfshihen serbët që i kanë “duart me gjak”. Kjo parimisht kështu duhet të jetë, por praktikisht është vështirë të realizohet, sepse Kosova nuk ka kurrfarë mekanizmash që do t’i filtronte se cilët serbë kanë qenë të përfshirë në luftën e fundit. Cilët janë ata që kanë organizuar vrasjet e shqiptarëve pas luftës, cilët kanë organizuar protestat, kush i ka vendosur barrikadat, kush ua ka vënë flakën pikave kufitare, etj. Edhe nëse do të krijonte Kosova një “listë të zezë”, atëherë këtë “fore”, nuk do ta hante Serbia. Në këtë pikë, Beogradi nxjerr kushte shtesë, që të falen të gjithë ose asnjë. Kjo do të jetë sfida e parë e Qeverisë së Kosovës, por edhe e bashkësisë ndërkombëtare në zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Nëse Prishtina pranon pa kushte që të falen të gjithë kriminelët, plasin protestat në burgun e Dubravës, sepse të burgosurit atje “po rrinë me një këmbë”, se çka po ndodh me serbët. Nëse nuk lëshon pe Prishtina zyrtare në këtë çështje, atëherë Serbia nuk i heq strukturat paralele, duke e pamundësuar zbatimin e marrëveshjes. Madje edhe nëse pranon Serbia që të hiqen paralelët nga gjykatat në veri, kjo do të jetë vetëm një pamje e “fshatit Potjomkin”, sa për të marrë datën për anëtarësim në BE, ndërsa menjëherë do të ketë “invazion” të ekstremistëve serbë në objektin e gjykatës. Prandaj për këto çështje, marrëveshja e prillit do të jetë historike, sepse nuk do të gjejë zbatim.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ballistët e kishin zënë rob një rom dhe i thoshin: Thuaj rroftë Shqipëria e Madhe…! Romi tha: “Unë be zotni po them, ama vështirë me jetu”…
Prandaj edhe po ta quajmë historike, vështirë se do të hyjë në histori për të mirë. Serbia kurrë nuk i ka respektuar marrëveshjet të cilat kanë qenë në dëm të saj. Kjo po dëshmohet edhe me “marrëveshjet” që janë të freskëta, siç është ajo e përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe marrëveshja për diplomat. Në këto dy marrëveshje, Serbia po nxjerr ndërskamca dhe po shantazhon. Prandaj shantazhe do të ketë vazhdimisht…

