Maliqi: Gjilani ka nevojë për vizion, jo për viktima politike. Më i duhuri padyshim është Arbër Ismajli

Gjilan – Për të garuar për komunën e Gjilanit nuk mjafton të kesh vetëm një emër në listë. Duhet të kesh motiv, dashuri të sinqertë për qytetin dhe qytetarët. Duhet ta ndjesh çdo përditshmëri të tyre – gëzimet dhe hallet, të mirat dhe të këqijat dhe të jesh i gatshëm të bashkëjetosh me ta në çdo situatë. Arbër Ismajli është një nga ata njerëz që ka treguar se e kupton këtë përgjegjësi. Menaxhimi i tij gjatë krizës së COVID-19 ishte shembull i qasjes së matur dhe me vizion, në një kohë kur edhe vetë bota nuk e dinte se çfarë e priste thotë Latif Maliqi nga LDK.
Maliqi thotë se të mirat duhet të kultivohen me përkushtim dhe dashuri.
“Të këqijat kërkojnë vullnet dhe përpjekje për t’u përmirësuar, jo për të gjetur fajtorë apo për t’u ankuar. Politika lokale nuk është vendi për aktorë të rastësishëm, që luajnë rolin e viktimës apo që fshihen pas orarit zyrtar të punës. Një kryetar komune nuk duhet të mendojë se puna e tij përfundon në ora 15:00. Ai duhet të ketë një qëllim të qartë: çfarë dëshiron t’u japë qytetarëve në katër vitet e ardhshme dhe si do t’i shërbejë atyre. Qytetarët nuk kanë nevojë për një udhëheqës që rastësisht e gjen veten në zyrë, por për një lider që di ku do të shkojë dhe si do ta çojë përpara Gjilanin” tha Latif Maliqi për rajonipress.
Sipas tij Arbër Ismajli është një nga ata njerëz që ka treguar se e kupton këtë përgjegjësi. Menaxhimi i tij gjatë krizës së COVID-19 ishte shembull i qasjes së matur dhe me vizion, në një kohë kur edhe vetë bota nuk e dinte se çfarë e priste.
“Ai është një njeri i afërt me qytetarët – i gatshëm të dëgjojë çdo shqetësim dhe të përpiqet të japë zgjidhje konkrete. Ai nuk e shmang përgjegjësinë – përkundrazi, përballet me problemet. Ka përvojë në komunë si nënkryetar dhe me ardhjen e tij si kryetar, mund të sjellë një frymë të re dhe një energji që sot, më shumë se kurrë, i duhet komunës tonë.
Dallimi i tij qëndron në një pikë të thjeshtë, por thelbësore: fjala e dhënë për të është zotim. Dhe zotimet e tij nuk mbesin vetëm në letër” shprehet Maliqi.
Maliqi tha se jemi dëshmitarë se kryetari aktual kishte premtuar një ditë në javë për qytetarët.
“Sot, ajo ditë nuk ekziston më. Ai është shkëputur nga qytetarët, nga hallet dhe nevojat e tyre. Pikërisht tani, Gjilani ka nevojë për një lider si Arbër Ismajli – me vizion të qartë, me energji të re dhe me mençuri për t’u marrë me projekte për të mirën kolektive.
Jo për t’i ndarë qytetarët sipas dëshirave apo inateve politike. Gjilani, me qytetin dhe fshatrat e tij, është i yni. E duam dhe duam më të mirën për të. Dhe për këtë, na duhet udhëheqja e duhur” përfundoi Maliqi./rajonipress/