Magjia e ligjit
Nga Imer Mushkolaj – Nisi me duhanin, pasoi me të drejtat e autorit dhe po vazhdon me Prevallën. Tre shembuj që tregojnë se kur duam, i respektojmë ligjet dhe po patëm vullnet, mund ta bëjmë këtë vend.
1.
Jam ndier mirë gjashtë muajt e fundit që kam mundur të pi kafenë në lokalet e mia të preferuara pa thithur tym duhani.
Si joduhanxhi, mbase ndonjëherë jam ndier edhe i privilegjuar në krahasim me të tjerët, të cilët detyroheshin të uleshin në tjetër hapësirë, për të ndezur një cigare.
Dikujt mund t’i duket edhe si diskriminim, por nuk është i tillë. Ata mund ta ndjenin “magjinë” e thithjes së tymit të cigares, ndërkohë që të tjerët kishin mundësinë të përjetonin magjinë e zbatimit të ligjit.
Duke respektuar ligjin në masë të madhe, qytetarë e pronarë lokalesh kanë dhënë shembull sesi kur duan, mund të mos e shkelin atë. Ndër të rrallat herë ata u bënë bashkë për një kauzë – sepse deshën, por edhe sepse u detyruan. I detyroi ligji.
Natyrisht, as që mund të flitet se ligji kundër duhanit zbatohet në krejt Kosovën. Atë e shkelin madje edhe deputetë e qeveritarë. Por, e rëndësishme është ngritja e vetëdijes qytetare dhe forcimi i idesë se nëse ligji shkelet – dënohesh.
Tash, me afrimin e ditëve të ftohta, është ngritur shqetësimi se lokalet hoteliere, megjithatë, do t’i lejojnë njerëzit që të tymosin brenda. Gjithçka në funksion të mbajtjes së klientëve, të cilët për një cigare duhan të braktisin sa çel e mëshel sytë.
Për të mos ndodhur kjo, respektivisht për të mos lejuar që ligjin ta respektojmë sipas stinës, inspektorët duhet të shtojnë aktivitetin dhe gjobat. E qytetarët të rritin vetëdijesimin.
2.
Ka tre muaj që rituali im i shikimit të filmave në DVD ëshë ndërprerë. “Kojshia”, i cili siguronte filmat më të fundit në mënyrë pirate dhe i shiste me çmimin e një kafeje në dyqanin e tij, nga 15 gushti i ka tërhequr të gjithë nga qarkullimi.
Ligji për të drejtat e autorit ka bërë që ai të mos mundet të fitojë më në mënyrë të pandershme, duke vjedhur dhe shumëzuar punën e të tjerëve, për t’i kënaqur nevojat kulturore të neve, kosovarëve të varfër.
Është utopike të mendohet se ky ligj, ashtu si dhe ai kundër duhanit, do të respektohet plotësisht. Vetë kam qenë ndër skeptikët që kanë menduar se nuk do të jetë e mundur të vihet rregull në këtë fushë edhe një kohë të gjatë. Por, tash më mban shpresa se dalëngadalë gjërat do të vihen në binarë.
E pranoj – më mungon shumë rituali i blerjes së filmave piratë dhe të qenit në hap me zhvillimet kinematografike në botë. Por, nisja e zbatimit të ligjit nuk mund të krahasohet me kënaqësitë e çastit.
3.
I kam refuzuar disa herë ofertat e miqve për të shkuar në Prevallë, për pushim fundjave. Sa herë kaloja andej, për t’u vendosur pak kilometra më poshtë, më shfaqej përpara një grumbull ndërtimesh që më së paku kishin të bënin me atë që quhej “fshat turistik”. Thjesht njerëzit, pa respektuar asnjë procedurë, kishin ngritur objekte dhe kishin zaptuar hapësirën siç kishin dashur.
Për Dardan Gashin ministër nuk është se kam farë konsiderate, por kjo nuk don të thotë se nuk e përkrah në veprimet e tij, në të mirë të qytetarëve.
Javët e fundit ai ia doli që të nisë së vendosuri rregulli në Prevallë, duke rrënuar ndërtimet pa leje dhe çliruar atë vend të mrekullueshëm. Aksioni po vazhdon dhe mbi njëzet vendime për rrënim iu janë shpërndarë këto ditë pronarëve që kanë ndërtuar paligjshëm. Në mesin e tyre mund të ketë edhe politikanë dhe njerëz tjerë “të fortë”, të cilët Prevallën e kanë kthyer në koloni të veten.
Ligji do të duhej të ishte më i fortë se ata.
Paramendoni çfarë gjendje do të mbërrihej nëse në mbarë vendin do të ndërmerrej aksion për heqjen e ndërtimeve pa leje. Magjia e hapësirave të urbanizuara sipas planit do të rikthehej, e njerëzve nuk do t’u vështirësohej jeta vetëm pse dikujt iu ka tekur të bëjë çfarë të dojë.
4.
Duken të parëndësishëm, por janë shumë domethënës shembujt e mësipërm. Aq më tepër në një shoqëri si kjo e jona, ku ligji më shumë shihet se ekziston për t’u shkelur, e jo respektuar.
Pak vendosmëri nga institucionet, e më shumë vetëdijesim dhe emancipim nga qytetarët bëjnë që ligji të zbatohet si duhet.
Tre shembujt e mësipërm na bëjnë të ndihemi mirë dhe na japin pak shpresë se ky vend mund të bëhet. Jo nga politikanët, shumica e të cilëve e shohin si plaçkë të veten, por nga qytetarët, nga gjithë shoqëria.
Asnjë ligj nuk mund të zbatohet pa dhënë diçka nga vetja, pa sakrifikuar diçka secili prej nesh, pa vullnetin tonë të mirë. Asnjë ligj nuk mund të zbatohet pa vullnetin e mirë dhe fuqinë e shtetit.
E shteti bëhet vetëm kur e përjeton magjinë e ligjit.


