United Hospital

Gjendja jokushtetuese dhe gjendja jashtëkushtetuese

/ 14 minuta lexim
United Hospital

Nga Enver Hasani – Sikur në Kodin Penal të ekzistonte një dispozitë që parashikon si vepër penale moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, siç ndodh në disa vende, me një shkallë të lartë sigurie do të mund të parashikoja se cilën rrugë do ta zgjidhnin zoti Kurti dhe vartësit e tij.

Sqarime terminologjike themelore

Për laikun, këto dy shprehje të titullit të këtij shkrimi mund të duken si tautologji, pra si fjalë të kota që përsërisin të njëjtën gjë. Megjithatë, nuk është kështu.Për laikun mund të duken tautologjike jo vetëm shprehjet “gjendje jokushtetuese” dhe “gjendje jashtëkushtetuese”, por edhe shprehjet që ndërlidhen me to, përkatësisht “gjendje kundërkushtetuese” dhe “gjendje jo në pajtim me Kushtetutën”.

Megjithatë, këto nuk janë shprehje sinonimike, sepse bëhet fjalë për koncepte që përshkruajnë situata të ndryshme në konstitucionalizmin bashkëkohor dhe që, në rrethanat e tanishme, mund ta përshkruajnë me saktësi gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.Si në çdo fushë tjetër, edhe në gjyqësinë kushtetuese ekzistojnë parametra me të cilët matet gjendja e kushtetutshmërisë në një vend dhe të cilët përdoren nga gardianët e kushtetutës.

Parametrat e kushtetutshmërisëNë asnjë vend evropian, për të mos shkuar më tej, nuk ekziston vetëm një parametër kushtetues, qoftë ai i përmbledhur në një tekst të kodifikuar, siç është kushtetuta kombëtare, apo i shpërndarë nëpër tekste të ndryshme dhe në praktikën kushtetuese shtetërore. Një nga rastet më të njohura në këtë drejtim është Franca.

Në të drejtën kushtetuese franceze, “principes fondamentaux reconnus par les lois de la République” (PFRLR) – parimet themelore të njohura nga ligjet e Republikës – janë parime të cilave u njihet vlerë kushtetuese, megjithëse nuk janë të renditura shprehimisht në Kushtetutën e vitit 1958. Baza e tyre gjendet në Preambulën e Kushtetutës së vitit 1946, së cilës i referohet Preambula e Kushtetutës së vitit 1958. Rasti themelor në këtë drejtim është vendimi i Conseil constitutionnel i 16 korrikut 1971, “Liberté d’association”, në të cilin liria e asociimit u njoh si një PFRLR.

Ky vendim pati rëndësi të jashtëzakonshme, sepse forcoi konceptin e “bloc de constitutionnalité”, duke bërë që kontrolli kushtetues në Francë të mbështetet jo vetëm në tekstin e Kushtetutës së vitit 1958, por edhe në burime dhe parime të tjera me vlerë kushtetuese.Kjo praktikë ekziston në të gjitha vendet evropiane, me ose pa gjyqësi të veçantë kushtetuese, përfshirë Kosovën dhe vendet përreth saj.

Pra, bëhet fjalë për një praktikë sipas së cilës jo vetëm teksti i kushtetutës kombëtare, por edhe tekste, burime dhe praktika të tjera kushtetuese shërbejnë si parametra për vlerësimin e kushtetutshmërisë.

Në rastin e Kosovës, siç shihet nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përveç Kushtetutës së Kosovës, si parametra përdoren edhe ligje të ndryshme sektoriale, Rregullorja e Kuvendit, mendimet dhe qëndrimet e Komisionit të Venecias, instrumente dhe dokumente të ndryshme ndërkombëtare, praktika e gjykatave të tjera kushtetuese evropiane dhe më gjerë, si dhe burime të tjera relevante.

Këta parametra përdoren, siç shprehet miku im Mark Tushnet, profesor i mirënjohur i së drejtës kushtetuese në Harvard, për të konfirmuar, rrëzuar ose rishikuar qëndrime të caktuara të së drejtës kushtetuese kombëtare. Kosova dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese nuk përbëjnë përjashtim.

Gjendja jashtëkushtetuese në Kosovë

Pasi i sqaruam këto koncepte dhe situatat që ato mbulojnë, mund të kalojmë te dallimi thelbësor ndërmjet gjendjes së sotme kushtetuese në Kosovë dhe çdo situate tjetër kushtetuese që është paraqitur deri më sot.Për ta kuptuar rëndësinë e parametrave kushtetues, nga sa u tha më sipër, kushdo që del dhe flet për aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese duhet, së pari, t’i lexojë ato dhe, më pas, të kuptojë referimet që ato u bëjnë parametrave të tjerë kushtetues relevantë për situatën që komentohet.

Nuk kam asnjë dyshim se, në pjesën dërrmuese të rasteve, komentet bëhen pa u lexuar fare aktgjykimet relevante të Gjykatës Kushtetuese, e lëre më parametrat referues mbi të cilët mbështeten ato.

Situata në të cilën ndodhemi nuk bën përjashtim: bëhet fjalë për komente mbi një gjendje jokushtetuese, të mbështetura ekskluzivisht në logjikën popullore të “gjuhës prej tuli”, së cilës mund t’i japësh çfarëdo drejtimi, ndërkohë që ka pothuajse një muaj që Kosova ka hyrë në një gjendje tërësisht jashtëkushtetuese, pra në një situatë në të cilën nuk respektohen më parametrat themelorë të Kushtetutës së Kosovës dhe as aktgjykimet e gardianit të saj.

Kjo është kështu për faktin e thjeshtë, botërisht të ditur dhe lehtësisht të verifikueshëm nga kushdo, se janë shkelur parametrat themelorë mbi të cilët matet kushtetutshmëria, në radhë të parë aktgjykimet e vitit të fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Kjo e fundit ka vlerë kushtetuese të drejtpërdrejtë në rregullimin e jetës parlamentare në Kosovë.

Prej vitesh, Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar natyrën kushtetuese të normave të Rregullores së Kuvendit të Kosovës në disa aktgjykime, duke filluar që nga periudha kur autori i këtyre rreshtave ishte kryetar i saj. Mosrespektimi i kësaj Rregulloreje prodhon pasoja të drejtpërdrejta kushtetuese për funksionimin e jetës parlamentare në Kosovë.

Pse kjo është kështu?

Kjo gjendje buron nga fakti i thjeshtë se pushteti aktual, në vazhdimësi, i ka kontestuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pa llogaritur këtu edhe sulmet ad hominem ndaj gjyqtarëve të gardianit të Kushtetutës së Kosovës. Këtë kontestim pushteti e ka bërë në dy mënyra.

E para, përmes riinterpretimit të secilit vendim të Gjykatës Kushtetuese nga vetë shefi i ekzekutivit dhe vartësit e tij, por edhe përmes juristëve lakej, të cilët kanë pranuar, në një moshë të pjekur, të luajnë rolin e majmunit duke konfirmuar, me “gjuhën e tulit”, qëndrimet zyrtare të pushtetit aktual.

E dyta, përmes shpërfilljes primitive të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga shefi i ekzekutivit, vartësit e tij dhe lakejtë e sipërpërmendur, duke u thirrur në një interpretim dogmatik e tekstual të normës kushtetuese dhe, rrjedhimisht, duke shpërfillur çdo parametër tjetër relevant kushtetues, përveç tekstit të pastër të normës.

Ata që dinë qoftë edhe pak për gjyqësinë kushtetuese e kanë të qartë se interpretimi thjesht tekstual në të drejtën kushtetuese është një nga rrugët më të sigurta drejt kaosit dhe anarkisë. Kjo vlen në veçanti kur një interpretim i tillë bëhet me ndihmën e ChatGPT-së, siç po ndodh në pjesën dërrmuese të rasteve.

Fundamenti

Çdo veprim ose mosveprim shtetëror që mbështetet në një interpretim dogmatik të tekstit të Kushtetutës së Kosovës hap rrugën për nxjerrjen e gjendjes jokushtetuese jashtë kontrollit dhe për krijimin e një ambienti jashtëkushtetues; përkatësisht, krijon kushtet që një gjendje jokushtetuese të shndërrohet në një gjendje jashtëkushtetuese.

Kjo, në fakt, edhe ka ndodhur në Kosovë. Deri në certifikimin e rezultateve të fundit zgjedhore ka ekzistuar një gjendje e qartë dhe e theksuar e jokushtetutshmërisë së vazhdueshme, qoftë përmes mospajtueshmërisë së drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Kosovës, siç është rasti i mbajtjes njëkohësisht të posteve të deputetit dhe ministrit, qoftë në mënyrë të tërthortë, përmes shpërfilljes së parametrave kushtetues të përcaktuar në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të standardeve të tjera të konstitucionalizmit modern.

Këtu hyjnë, ndër të tjera, shpërndarja e Kuvendit të Kosovës pa u përfunduar konstituimi i tij, tejkalimi i afateve për konstituimin e Kuvendit sipas përcaktimeve të bëra në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, e kështu me radhë.Një situatë e tillë jokushtetuese, së fundi, arriti kulmin dhe doli tërësisht jashtë kontrollit kushtetues kur zonja Albulena Haxhiu bëri betimin si deputete dhe vazhdoi njëkohësisht të mbante postin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës.

Të njëjtën gjë e bëri edhe zoti Kurti, i cili atë ditë, së bashku me zonjën Haxhiu, vazhdoi të qëndronte në situatën kundërkushtetuese në të cilën ndodhet tash e dy vjet pa ndërprerje.Mirëpo, krejt ndryshe është situata kushtetuese kur shefi i shtetit e humb në tërësi legjitimitetin e vet kushtetues, siç, sipas këtij argumenti, ka ndodhur me zonjën Haxhiu.

Arsyeja është e thjeshtë: posti i shefit të shtetit, qoftë kur ushtrohet me mandat të plotë kushtetues, qoftë në cilësinë e ushtruesit të detyrës, përbën organin themelor legjitimues të një pjese të madhe të institucioneve të tjera shtetërore në nivel qendror, të cilat përfaqësojnë fytyrën e shtetit si subjekt i së drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, duke filluar nga Qeveria.

Këtë dalje të tërësishme nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga çdo kontroll kushtetues e kisha parasysh kur, gati dy muaj më parë, për KosovaPress dhe më pas edhe në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, thashë se Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës duhet të jetë çdoherë di nuovo shef shteti, i bindur se zoti Kurti do ta çonte deri në kufijtë e absurdit rezistencën e tij ndaj Kushtetutës së Kosovës, në funksion të populizmit të vet kaotik.Përmasat e gjendjes jashtëkushtetueseAktualisht, vendi nuk ka shef shteti në asnjë nga format e tij kushtetuese.

Asnjë vendim i zonjës Albulena Haxhiu nuk mund të vlerësohet, nga pikëpamja e kushtetutshmërisë, ndryshe veçse si tërësisht jokushtetues. Megjithatë, pasojat juridike të këtyre vendimeve, për aq sa prekin rendin kushtetues, mund dhe duhet të konvalidohen, në mënyrë që situata aktuale jashtëkushtetuese të mos kalojë në një shkallë edhe më dramatike. Kjo është pikërisht ajo lloj gjendjeje që Carl Schmitt e përshkruante kur pohonte se vullneti i unitetit politik kombëtar mund të shprehet përmes formave të drejtpërdrejta, përfshirë aklamacionin, ndërsa në zhvillimet e tij autoritare, pas ardhjes së nazistëve në pushtet, edhe përmes një lideri që pretendon se mishëron vullnetin e popullit.

Në një kontekst të tillë, lideri paraqitet si ai që artikulon vendimin politik me fuqi kushtetutëbërëse.Meqë kjo, për fat të mirë, nuk mund të ndodhë në Kosovë për shumë arsye, atëherë duhet të vlejë prezumimi i ekzistencës së pandërprerë të shefit të shtetit, por jo në personin e zonjës Albulena Haxhiu, po në personin e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës.

Kjo ka qenë dhe duhet të mbetet arsyeja kushtetuese dhe shtetërore që duhet t’i udhëheqë përgjegjësit politikë sot, nëse nuk duan ta përligjin idenë themelore të zotit Albin Kurti, e cila synon hapur nxjerrjen e Kosovës jashtë çdo kontrolli kushtetues. Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, kuptohet qartë për ata që synojnë ta ruajnë rendin kushtetues, ka vetëm edhe një autorizim legjitim kushtetues: shpalljen e zgjedhjeve të reja, nëse nuk arrihet zgjedhja e Presidentit me mandat të plotë kushtetues.

E gjithë kjo duhet të ndodhë në vijim të zbatimit të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.Kjo gjendje e sotme pa shef shteti u krijua nga zoti Albin Kurti dhe ka qenë e qartë që nga dita e certifikimit të rezultateve të fundit zgjedhore. Ai e bëri këtë të qartë që në fillim, duke deklaruar se do të dekretohej de novo si shef i ekzekutivit nga atëherë Ushtruesja e Detyrës së Presidentit të Republikës, pra nga zonja Haxhiu.

Ky qëndrim arbitrar dhe jokushtetues u arsyetua publikisht përmes shpërfilljes së plotë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, gjithnjë duke u thirrur arbitrarisht në praktikat e mëhershme dhe në një interpretim dogmatik, me “gjuhën e tulit”, të Kushtetutës së Kosovës.

U mor vesh, pati edhe lakej të pushtetit, të njohur për padijen e tyre të thellë në pothuajse çdo fushë juridike, e për më tepër që gënjejnë se janë profesorë universiteti, të cilët kontestuan relevancën e verdiktit të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, pa e ditur fare se çfarë do të thotë fjala “verdikt” në një gjykim kushtetues.

Si mund t’u kthehemi binarëve kushtetues?Gjendja aktuale jashtëkushtetuese përbën një njollë të zezë për vendin ose, siç e ka cilësuar një jurist i respektuar kosovar, një puç të kryer pa përdorimin e forcës kinetike.

Më duhet, megjithatë, të shkoj përtej konstatimit të gjendjes aktuale, në mënyrë që të mos mbetem vetëm në rolin e kritikut.Dalja nga kjo gjendje është e thjeshtë, por vetëm nëse ekziston vullneti për t’iu kthyer rrugëve kushtetuese. Nëse ky vullnet ekziston nga ana e pushtetit, atëherë ai duhet të fillojë menjëherë me zbatimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe të përfundojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Pas kësaj, pushteti aktual, që padyshim mban përgjegjësinë kryesore për krijimin e kësaj gjendjeje jashtëkushtetuese, duhet ta vendosë në rend të ditës zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në përputhje me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, të shprehur në paragrafin 162 të aktgjykimit të saj të fundit.

Nëse Presidenti nuk zgjidhet, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja dhe pikërisht këtu vjen momenti kur vendi rikthehet në binarët kushtetues, ndonëse me një natyrë të qartë jokushtetuese të karakterit të tërthortë, ku zonja Albulena Haxhiu, meqë humb mandatin e deputetes, shpall zgjedhjet e radhës.

Nëse zonja Albulena Haxhiu dekreton zotin Albin Kurti për shef të ekzekutivit, atëherë gjendja jashtëkushtetuese thellohet edhe më tej, sepse i njëjti person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe detyrën e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës.

Në momentin kur dikush jep betimin si deputet, per constitutionem, ai humb çdo post tjetër publik apo shtetëror. Kjo gjendje nuk mund të zhbëhet përderisa vazhdon statusi i deputetit.

Pikërisht për këtë arsye, Rregullorja e Kuvendit ka paraparë mundësinë që, në raste të caktuara, betimi i deputetit të bëhet edhe pas seancës konstituive. Këtë do të duhej ta kishte bërë edhe zonja Albulena Haxhiu, pra të betohej më vonë. Në disa vende, një çështje e tillë rregullohet drejtpërdrejt me kushtetutë ose me ligj; te ne, ajo rregullohet përmes rregullave të brendshme të Kuvendit të Kosovës.

Të shohim se cilën rrugë do të ndjekë zoti Albin Kurti: vazhdimin e agonisë së gjendjes ekzistuese jashtëkushtetuese apo rikthimin e saj në binarët kushtetues, qoftë edhe duke vazhduar ta mbajë pozitën e Ushtruesit të Detyrës së shefit të ekzekutivit të Kosovës në mënyrë qartësisht kundërkushtetuese.Sikur në Kodin Penal të ekzistonte një dispozitë që parashikon si vepër penale moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, siç ndodh në disa ven

de, me një shkallë të lartë sigurie do të mund të parashikoja se cilën rrugë do ta zgjidhnin zoti Kurti dhe vartësit e tij. Derisa të ndodhë kjo, siç thotë John Mearsheimer në një kontekst krejt tjetër: “Welcome back to the future.”Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.