Lugina kërkon zyrë të Kosovës në Preshevë

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kërkojnë nga Qeveria edhe Kuvendi i Kosovës që të hapin një zyrë në Luginën e Preshevës. Madje, ata janë shprehur të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës dhe ligjvënësit e vendit të cilët kanë miratuar rezolutën për Luginën e Preshevës pa e futur në të kërkesën për hapjen e një zyre në Bujanoc.
Ndërkaq, njëri nga themeluesit e UÇK-së, Rexhep Selimi konsideron se hapja e zyrave në Kosovë nuk do të sjellë asgjë të re për shqiptarët e Luginës.
Sidoqoftë, ka thënë ai, shqiptarët atje duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se çështja shqiptare në Luginën e Preshevës nuk kryhet me zyra, as në Prishtinë e as në Gjilan. Kosova, sipas tij, duke hequr dorë nga entiteti shqiptar nuk ka të drejtë as praktike të thirret në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë vendi.
Ish-përfaqësuesi politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu ka thënë se është e domosdoshme hapja e një zyre nga Qeveria e Kosovës në Luginë për të qenë prezente vetë qeveria në këtë rajon.
“Kudo që e hap një zyre Qeveria e Kosovës apo kudo që ngrihet flamuri i Kosovës është shumë domethënëse, sepse burimi dhe problemi është në Luginë. Jo të raportohet në drejtim të Kosovës, por Kosova do të jetë drejtpërdrejt pjesë e problemeve të Luginës. Kam kërkuar dhe po kërkoj që të jetë zyra në Luginë dhe të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me Qeverinë e Kosovës, sepse qeveria është ekzekutuesja e Rezolutës”, ka thënë Musliu, sipas të cilit, implementimi i marrëveshjes duhet të bëhet me reciprocitet.
“Kërkesa jonë është që të ketë reciprocitet që nga fillimi i implementimit të marrëveshjes çkado që u jepet serbëve në veri, të njëjtën gjë duhet ta marrin shqiptarët në Luginë edhe atë njëkohësisht, e assesi t’u jepet atyre dhe të pritet për ne”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, nëse serbëve në veri u jepet gjyqi i apelit, të njëjtën gjë duhet ta marrin edhe shqiptarët në Luginë, Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë këtë me kushtëzime.
Musliu është shprehur pesimist nëse Kosova do të mund ta hapë një zyrë në Luginë. “Është koha e fundit që të ketë diçka konkrete dhe të implementohet rezoluta e Kuvendit të Kosovës e jo të lihet vetëm për fushatë të subjekteve politike në Kosovë. Nëse këta e kanë bërë vetëm për fushatë, besoj që do t’i ndëshkojë populli”, ka thënë Musliu.
Ndërsa Rexhep Selimi shprehet se pavarësisht rrethanave që kanë ndodhur në dialogun me Serbinë dhe moskushtëzimi i qeverisë në këtë dialog me Luginën edhe sot ajo mund të bëjë më shumë për Luginën. Ndërkaq përfaqësuesi i Vetëvendosjes nuk e sheh të leverdishme hapjen e zyrave andej e këndej.
“Edhe po të hapej një zyrë në Luginë, Qeveria e Kosovës nuk ka kapacitet dhe vullnet për ta hapur atë zyrë e cila do t’i mbronte shqiptarët atje. Madje, Kosova duke hequr nga entiteti shqiptar, nuk ka të drejtë as praktike të thirret në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë vendi. Kështu që atë zgjidhje do të duhej ta bëjë Shqipëria, sepse ajo ka të drejtë morale dhe politike që ta hapë edhe zyrën në Luginë para Kosovës dhe qeverisë së saj”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, shqiptarët e Luginës gjeografikisht janë pjesë e Kosovës Lindore, por Qeveria e Kosovës duke e hequr fjalën nga entiteti i vet shqiptar brenda Kosovës, s’ka se si t’i mbrojë shqiptarët jashtë Kosovës.
Peci: Çështja e zyrës në Luginë është politike
Zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Serbi, Lulzim Peci, ka thënë se zyra e tij në Beograd do të merret me normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. “Zyra e Kosovës në Beograd mandat të vetin e ka normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndërkaq sa i përket zyrës në Luginë, kjo është çështje e politikanëve të të dyja vendeve”, ka thënë shkurt Peci./zeri/