Fundamenti

Liliana Hoxha: Enver Hoxha ka organizuar protestat e ’81-shit në Kosovë

/ 12 minuta lexim

Si marksist-leninist, fillimisht edhe për Kosovën, Enver Hoxha i mbeti strikt rregullit të llojit. Ai nuk ka ushtruar kurrë marrëdhënie informale me kurrkënd, as brenda Partisë së Punës, megjithatë synimi për bashkim kombëtar mbeti puro nacionalist, përderisa dëshironte që Shqipëria të sulmohej nga Titoja, e në luftë për t’u mbrojtur do të fitonte edhe Kosovën.

Kam menduar gjithmonë që, dhe pse është i mefshtë, megalomania atë e bën të rrezikshëm. Është për të ardhur keq që më mbetet mua të flas edhe për të vërteta që shumica apo klasa politike e majtë dhe e djathtë i di. Qëllimi është të manipulohet populli, që ata e konsiderojnë turmë.

Për titullin në fjalë, kam folur tek libri “Tanët”, por pas intervistës dogmatike me interes tipik agjenturor të Ilir Nexhmije Xhuglinit, më duhet të përcaktoj me dokumentacionin që ndodhet në Arkivin e Shtetit (meqenëse familja Xhuglini merret shumë me arkivat) qëndrimin e vërtetë të Enver Hoxhës ndaj Kosovës.

Si marksist-leninist, fillimisht edhe për Kosovën, Enver Hoxha i mbeti strikt rregullit të llojit. Ai nuk ka ushtruar kurrë marrëdhënie informale me kurrkënd, as brenda Partisë së Punës, megjithatë synimi për bashkim kombëtar mbeti puro nacionalist, përderisa dëshironte që Shqipëria të sulmohej nga Titoja, e në luftë për t’u mbrojtur do të fitonte edhe Kosovën.

Kundrejt këtij qëllimi fiks u stimulua menjëherë pas Çlirimit që në 1944 lëvizja e vetëvendosjes, çka u la për një kohë më të vonët prej Titos, gjoja për të respektuar mosndërhyrjen nga ana e Shqipërisë në atë moment të papërshtatshëm kur s’do të pranohej nga Serbia. Këtë pabesi Enver Hoxha nuk e priste, ndaj ka nxitur në mënyrë sistematike dhe me insistim vetëvendosjen e Kosovës për t’u shkëputur nga Jugosllavia. Marrim dokumentet me radhë, që pjesërisht janë pasqyruar në librin “Tanët” (intervista ime, “Vizion Plus”).

1- Viti 1949, Enver Hoxha orientonte rrugët e çlirimit të popujve jugosllavë nëpërmjet inkuadrimit në kryengritje të armatosur, përfshirë kryesisht Kosovën, për vetëvendosje, shkëputje e pavarësi nga Federata Jugosllave, që dëshirohej nga shqiptarët e Kosovës. Shkëputja vetiu do të sillte Republikën Autonome dhe akoma më mirë bashkim kombëtar. Pra s’mund të thuhet kurrsesi, siç thotë Nexhmija dhe Iliri, që Enveri s’ka dashur për Kosovën Republikë. Fadil Hoxha, që në kohën përkatëse është përpjekur në krah të Enver Hoxhës, pohon: “Udhëzimet e Enver Hoxhës ne i kemi parasysh, pranojmë që kemi bërë gabime dhe bëjmë autokritikë”.

2- Po në 1949 Enver Hoxha i dërgon letër Stalinit, ku i kërkon ndihmë për situatën shtypëse e raciste në Kosovë krahasuar me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3- Në 1966 qëndrimi publik i Enver Hoxhës ishte: “Kush përgjigjet për krimet e gjenocidin të kryera në kurriz të popullit shqiptar të Kosovës, Metohisë, Malit të Zi e Maqedonisë”. Për këtë ka dhe faksimile.

4- Në 1967 ngre çështjen: “Gjendja në Kosovë është shumë e rëndë, hendeku midis saj dhe viseve të zhvilluara të Jugosllavisë është thelluar edhe më tepër. Të ardhurat kombëtare për frymë për shembull në Slloveni janë rritur me 7.588% dinarë të rinj, ndërsa Kosova nuk ka arritur akoma në mesataren jugosllave të vitit 1947, që ishte 730 dinarë për frymë (ka faksimile me kaligrafinë e Enver Hoxhës).

5- Tropojë, 30 maj 1970. Fjala e Enver Hoxhës për zgjerimin e bashkëpunimin më krahinën socialiste autonome të Kosovës në të gjitha fushat, ekonomike, kulturore, të arsimit, shkencës etj.

6- Në sajë të Enver Hoxhës e vetëvendosjes, nga brenda u njoh autonomia e Kosovës e sanksionuar me Kushtetutën e ‘74-ës.
7- Finalja 1979-1981, projektimi i ndërhyrjes ushtarake nga Shqipëria me strateg Mehmet Shehun e Komandant Enver Hoxhën të kryengritjes së armatosur të Kosovës për bashkim me Shqipërinë, nxitur nga Enver Hoxha. Gjë që sabotohet me vrasjen e Mehmet Shehut dhe spiunimin nga vetë shteti shqiptar në kurthin e ngritur ndaj liderëve të kryengritjes, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, në 17 janar ‘82 në një fshat të Gjermanisë.

Vrasja e tyre ishte shkatërruese për Enver Hoxhën, aq më shumë që me Jusuf Gërvallën kishte pasur takime të drejtpërdrejta në zyrën e tij. Është i paimagjinueshëm injorimi që i bën Iliri të atit (sipas orientimeve të Nexhmijes), kur thotë që shteti ia kishte fshehur babait shpërthimin e trazirave në ‘81 në Kosovë. Çka vetë Enver Hoxha kishte organizuar dhe priste nga çasti në çast plasjen.

Kur ndodhi, u nis urgjent nga Vlora në Tiranë. Ndërkaq që s’mund t’i fshihej asgjë, se së paku për Kosovën, edhe i izoluar e i sëmurë ai informohej personalisht çdo çast nga jashtë e nga brenda pa ndërmjetësinë e Nexhmijes. Është gjithashtu paturpësi, përveçse revansh UDB-ist i Ilirit t’iu kujtojë shqiptarëve se si i ka pritur Enveri e Nexhmija gruan e fëmijët e heroit Jusuf Gërvalla dhe se si këta ia shpërblyen duke u futur në grevën e urisë të studentëve të dhjetorit në ‘90-ën. Çka ishte lëvizja më e pastër kombëtare për të rrëzuar komunizmin. Me këtë qëndrim sot në 2014-ën mbetet në mentalitet po ai ish-pretendent i fronit dinastik pas atij të Nexhmijes, po t’iu ishin realizuar ëndrrat, që ua prishën pikërisht fëmijët e Gërvallës e gjithë djemtë e vajzat shqiptare.

8- Në 1990, Ramiz Alia në mbledhje të Byrosë Politike deklaroi që “Kosova ka punët e saj e ne kemi punët tona”. Në 1999-2000, me ndërhyrjen e NATO-s në Beograd, Nexhmije Hoxha (ndonëse unë i kisha shkëputur lidhjet familjare), më pyet në telefon se çfarë qëndrimi duhej të mbante, tek ia kërkonin marksist-leninistët ndërkombëtarë. Unë i përgjigjem që ajo është shqiptare dhe varet se kush i ka më rëndësi: ideologjia apo çështja kombëtare? Nexhmije Hoxha për alibi mbajti këtë të dytën. Ndërkaq pengonte Sokolin të ndihmonte ushtarët e UÇK-së, të cilët duhej t’i shoqëronte ku kishin nevojë, brenda e jashtë vendit.

UBT

Një nga këta luftëtarë, miku ynë Haruni dha jetën në luftë për çlirimin e Kosovës. Ndaj është e neveritshme hipokrizia e Ilirit për keqardhjen e të ëmës për viktimat e UÇK-së. Gjithashtu familja e Sokolit dhe e sime mëje morën familje të madhe në numër nga eksodi i madh i shqiptarëve të Kosovës, gjë që nuk u prit mirë nga Nexhmija, e cila s’pyeti kurrë për ta.

(Faksimile e faqes 87, tek libri “Tanët”, marrë nga ditari politik i Enver Hoxhës, viti 1966).
Do të ishte mizori të merresh pa shkak me fëmijët e gjithkujt, qoftë edhe të të përndjekurve, që zor se dihet për të gjithë nëse janë dënuar të fajshëm apo të pafajshëm. Por të përgojosh fëmijët e liderit që kishte vendosur të sakrifikonte veten duke çliruar Kosovën dhe në fakt goditet pas shpine prej Tirane, është jo vetëm mizori e Ilirit, por vetëdemaskim i përmbajtjes së brendshme të tij.

Si u vra Gërvalla? Ibrahim Kelmendi, pjesëmarrës në UÇK, ka botuar librin “Atentatet”, ku thotë dhe emrat e vrasësve. Siç ndodh rëndom kur thua të vërtetën, përderisa e vërteta djeg, të interesuarit e posaçëm bëjnë tym, jo vetëm duke vënë në dyshim çka thuhet, por duke akuzuar pikërisht akuzatorin. Ndërkaq unë kam dëshmitë e mia.

Natën vonë përpara takimit të tre heronjve me kontaktin që përfaqësonte Tiranën, Ëngjëll Kolaneci, krushk i Nexhmijes, në atë kohë sekretari i parë i ambasadës sonë në Vjenë, bie telefoni nga Tirana në zyrën e ambasadorit Musin Kroi. Porosia ishte që Ëngjëll Kolaneci nuk duhej të shkonte në takim. Ëngjëlli nuk shkoi, kurse tre të tjerët u prenë në besë e u vranë në vendin e takimit, në një fshat të Gjermanisë, në 17 janar 1982.

Kush e bëri telefonatën përveç atyre që mbronin “Tanët” dhe sabotonin Kosovën dhe Enver Hoxhën??? Iliri, edhe për vrasjen e Mehmet Shehut, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me Kosovën, vazhdon me formulën e vetëvrasjes. N.Hoxha e R.Alia kanë mohuar ekzistencën e planit të intervencionit ushtarak nga Shqipëria në Kosovë, me strateg Mehmet Shehun dhe komandant Enver Hoxhën. Ata kanë mohuar ekzistencën e dokumentacionit, ndërsa qëllimin, pra bashkimin kombëtar e kanë quajtur absurd dhe idiotësi, së paku deri në vitin 2004, siç më thotë Gafur Adili, në atë kohë kryetar i frontit për bashkimin kombëtar.

Pavarësisht çfarë qëndrimi zyrtar ka mbajtur Enver Hoxha, i vënë me shpatullat pas murit pas faktit të kryer për vdekjen e Mehmet Shehut, të gjitha gjasat flasin që ndaj tij është kryer vrasje e pastër, kundër interesave të Kosovës e për t’i hapur rrugë dinastisë Alia-Xhuglini, duke lënë E.Hoxhën e sëmurë krejt vetëm.

U befasova që edhe në 2014-ën, qëndrimi i Ilirit mbetet antishqiptar, gjoja në mbrojtje të Enverit, ndaj më erdhi në mend një tjetër autor që e kisha neglizhuar gati 10 vjet më parë si të ekzagjeruar, meqenëse për Ilirin, ndonëse e di që ka qenë armiku kryesor ndaj meje bashkë me gruan dhe të ëmën, nuk e besoja të ishte i aftë për bëmat për të cilat flet autori Agim Hamiti.

Ky libër në formë dispense – nuk e pa asnjëherë dritën e botimit – titullohet “Odiseja e një detektivi”, bazuar në ngjarje të jetuara. Kopjet e dispensës shiteshin pranë Universitetit në Tiranë dhe u blenë (u tërhoqën nga një dorë) me 100 dollarë copa. Autori botoi një letër të hapur drejtuar klasës politike të Tiranës e të Prishtinës me thirrjen që populli duhet t’i dijë këto të vërteta (çka them mund ta gjeni në Google).

Thashë që, siç ndodh rëndom, atje ku dogji e vërteta, nuk pati asnjë reagim, siç po ndodh dhe ndaj meje. Iliri kundërpërgjigjet ndaj librit “Tanët”, pa më përmendur, sikur nuk ekzistoj as unë e as libri. Autori Agim Hamiti flet për një grup prej 25 vetësh të Sigurimit të Shtetit të trajnuar mirë, të drejtuar nga ushtaraku i lartë Ilir Hoxha, me shefe të përgjithshme Nexhmijen, që kanë punuar gjatë monizmit deri në ‘90-ën për shërbimet e huaja.

Për likuidimin e personave të rëndësisë së veçantë për këto shërbime në të gjithë botën, pra tipikisht atentatorë apo grup terrorist. Dy prej tyre u likuiduan se kundërshtuan Ilirin etj., etj. Në ‘90-ën, grupi u shpërnda jashtë shtetit me urdhër të Ilirit e Nexhmijes. Iu dërgohet pagesa e përmuajshme, por janë të detyruar të mos hyjnë kurrë më në Shqipëri.

Autori Agim Hamiti kërcënohet e kërkon strehim politik në Belgjikë. Fillimisht nuk i jepet, por dërgojnë një ekip ekspertësh në Shqipëri. Ata vërtetojnë gjithçka ka thënë A.Hamiti, duke marrë deri ADN-në e dy të vrarëve. Kështu, autori fitoi strehimin politik. Nuk dua të pozicionohem zyrtarisht për Ilirin bazuar në këto ngjarje të jetuara me 20 e kusur dëshmitarë e bashkëpunëtorë “shurdhmemecë”, përveç autorit të librit, që ka njohur njërin prej tyre në burg pse kundërshtoi Ilirin. Sepse kam ngjarjet e njohjen time për si punonin nënë e bir, në rrugë tjetër nga ajo e Enverit, maskuar pas tij, dhe për patologjinë kriminale të tyre vërtetuar mbi shpinën time.

Ndonëse kam zbardhur çka ishte e domosdoshme për të kuptuar shqiptarët, pohoj pas kësaj interviste të Ilirit, që ai tejkalon potencialin kriminal që unë njihja (kujtoj sidomos vrasjen e Maks Kroit, djalit të sekretarit të Enverit, në mbulim të bëmave të Teutës në Turqi). Sigurisht që ka qenë dora e tyre kur, disa vite më parë, kohë që përkon me botimin e dispensës së A.Hamitit, fluturon kudo e ngado një fletushkë me autorë ilegalë, ku flitet për Sokolin: si mafioz që merret me drogë e trafiqe të paligjshme etj., etj.

Pra ka qenë një paralele thashethemnaje virtuale me ato realet për Ilirin, që të besohet në popull që çka flitet për të, s’është e vërtetë, se njëkohësisht flitej kot për Sokolin, krejtësisht të pastër. Stil tipik i Nexhmijes, Ramiz Alisë dhe Ilirit.
(Liliana Hoxha është bashkëshortja e të birit të Enver Hoxhës, Sokolit) /gsh/