Mobi Casa

Libri i Musa Sabedinit përfaqëson një nga dorëshkrimet e rralla që trajton këtë lloj përqasjeje shkencore

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Profesori, gazetari dhe publicisti Musa Sabedini ka bërë një punë kolosale, duke ofruar analiza, vlerësime, fakte, argumente, shembuj të shumtë, dhe një sërë citatesh e burimesh të panumërta, që librit i japin autoritet dhe kompetencë profesionale ka thënë Ahmet Maloku recensent i librit “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”.

Fjala e dr. Ahmet Malokut me rastin e promovimit:

I nderuari rektor i UBT-së, Edmond Hajrizi
I nderuari dekan Ferid Selimi
Të nderuar pjesëmarrës, student, profesor, krijues e gazetar
I nderuari profesor Musa Sabedini

Më lejoni që me pak fjalë të flas në cilësinë e recensentit për librin e gazetarit dhe të profesorit Musa Sabedini, i cili mbi 30 vite vazhdon të jetë pjesë e gazetarisë dhe publicistikës kosovare, duke ofruar para lexuesve një gazetari ndryshe, një gazetari të spikatur, hulumtuese dhe që është në dobi të një gazetarie profesionale.

Në fakt kisha shumë kënaqësi të isha recensent i këtij libri sepse e njoha edhe më shumë profesorin Musa Sabedini.

E njoha nga përkushtimi i tij, e njoha nga natyra e tij strikte edhe për nga saktësia e vlerësimi. Kolegu im dhe i juaji me shumë pedanteri arriti ta përmbyll librin që i dedikohet të gjitha gjeneratave dhe zhanreve të gazetarisë.

Profesori Musa Sabedini ka bërë një punë kolosale, duke ofruar analiza, vlerësime, fakte, argumente, shembuj të shumtë, dhe një sërë citatesh e burimesh të panumërta, që librit i japin autoritet dhe kompetencë profesionale.

Vepra me titull: “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” është rezultat i një trajtimi shumëvjeçar shkencor-teorik dhe empirik në fushën e gazetarisë nga përvoja shumëvjeçare në gazetari të autorit të këtij libri, mr.sc. Musa Sabedini.

Libri është konceptuar në tre kapituj të veçantë, të cilët pasqyrojnë më së miri vetë titullin e librit, i cili shprehet me emërtimet e mëposhtëm:

RCCOLA
  • KAPITULLI I PARË: MEDIAT PËRBALLË RAPORTIMEVE PËR KRIMET, DHUNËN DHE SITUATAT E NDJESHME, SI TË RAPORTOJMË?;
  • KAPITULLI I DYTË: MEDIET DHE GAZETARËT, RAPORTET ME INSTITUCIONIN E POLICISË, PROKURORISË DHE GJYKATËN?;
  • KAPITULLI I TRETË: PËRKUFIZIME, NOCIONE DHE TERMINOLOGJI JURIDIKO – PENALE PËR GAZETARË.

Në parathënie, autori jep një shpjegim të arsyeve të shkrimit të kësaj vepre dhe çfarë e shtyu atë të zgjedhë këtë lloj vepre. Gjithashtu, ai thekson probleme të rëndësishme që dalin gjatë shtjellimit të temës që ka të bëjë me problemet në terren që has çdo gazetar, me etikën që mbetet si problemi më delikat i mënyrës së raportimit ne gazetari. Për më tepër, në kapitullin e parë autori shqyrton parimet bazë të gazetarisë, etikën në gazetari, flet për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.

Kapitulli i dytë titullohet MEDIET DHE GAZETARËT, RAPORTET ME INSTITUCIONIN E POLICISË, PROKURORISË DHE GJYKATËN, në të cilin shtjellohet dhe analizohet diversiteti i raporteve Medie, Polici, Prokurori dhe Gjykatë, i termeve juridike më të shpeshta që hasen në punën e gazetarit me polici, prokurori dhe gjykatë.

Autori me tutje në këtë kapitull analizon organogramin e gjykatave, rolin e Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kapitulli i tretë i librit paraqet informacionet më koncize për përkufizimet, termet dhe nocionet juridike të përdorura më së shpeshti gazetari. Shpjegimi dhe analizimi i këtij kapitulli do t’u shërbejë përdoruesve për të kuptuar më mirë këtë terminologji, një terminologji e cila është bukur e gjerë dhe delikate për gazetarë.

Në këtë kapitull autori ka bërë një përpjekje që në përzgjedhjen e shprehjeve të kësaj lëmie të përfshihet ajo terminologji e cila më së tepërmi përdoret nga organet e ndjekjes gjatë punës së tyre të përditshme, me të cilën më së shumti ballafaqohen gazetarët gjatë kryerjes së detyrës. Në fund të librit, literatura dhe burimet dhe shtojcat janë renditur si pjesë përbërëse e librit.

Duhet theksuar se vepra shkencore “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” ofron përgjigje për shumë pyetje të teorisë dhe praktikës metodologjike, e cila ka në fokus mediat përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme. Në këtë mënyrë jepet një kontribut i rëndësishëm në studimin dhe zhvillimin e shkencës së gazetarisë për studimin e asaj dukurie. Libri përfaqëson një nga dorëshkrimet e rralla që trajton këtë lloj përqasjeje shkencore në kuptimin e përcaktimit, studimit dhe kërkimit të fenomenit të raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, dhe pikërisht për këtë ka vlerën dhe njohjen e tij shumë domethënëse shkencore dhe profesionale.

Përveç kësaj, duhet theksuar rëndësia e përmbajtjes, qëndrueshmëria dhe qartësia e gjuhës në të cilën është shkruar vepra, e cila lehtëson përvetësimin e njohurive, jo vetëm për njerëzit nga sektorët e gazetarisë, drejtësisë, viktimologjisë, kriminologjisë, kriminalistikës, mjekësinë ligjore, psikologjisë, psikologjisë forenzike etj., të cilëve ajo fushë u është e afërt shkencërisht dhe profesionalisht, por edhe me publikun më të gjerë,

Vepra është jashtëzakonisht e dobishme dhe ka aplikimin e saj të gjerë, duke pasur parasysh se, në kushtet moderne të jetesës, çështja e gazetarisë shtrihet pothuajse në të gjitha sferat e jetës. Gjithashtu, përmes këtij libri, autori ka treguar një shkallë të lartë njohurish shkencore në fushën e gazetarisë, pastaj në metodologjinë e Recension 23 shkencave shoqërore, por edhe në fushën e drejtësisë, sepse pa një kombinim të tillë të e njohurive nga disa fusha shkencore, nuk do të ishte e mundur të krijohej një vepër shkencore kaq e dobishme dhe e shquar, që do të jepte një kontribut të rëndësishëm në studimin mediave përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme.

Prishtinë, 11.03.2023 Prof. assoc. dr. sc. Ahmet Maloku