ARKATANA

Libër me poezi të veshura me petkun e metaforës

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Bilall Maliqi – Hysen Këqiku “Në prehër të idilës” (poezi) “Kurora” Gjilan, 2013, faqe 78. Shkrimtari Hysen Këqiku, autor i më shumë se njëzetë veprave të zhanreve të ndryshme letrare, i njohur me origjinalitetin dhe me individualitetin e tij krijues, dëshmoi sa herë para lexuesve seriozitet në krijime, duke shpërfaqur botën frymëzuese psikologjike e filozofike në botimet e tij të çfarëdo zhanri qofshin ato, duke arritur shkallë-shkallë në ngritjen e cilësisë së shkrimit në begrandën e tij krijuese.

Kjo është evidente në botimet e tij si në poezi për fëmijë dhe në atë për të rritur si në gjetje të motiveve , poashtu edhe në pajisjen e tyre me figura stilistike të kapshme për secilin ligjërim poetik.

Kur jemi te poezia për të rritur Hysen Këqiku para lexuesve del me një strukturim bukur të mirë të vargut, duke dalur para lexuesve me poezi të tipit gjysëmhermetik dhe diku –diku edhe hermetik, në të cilat fshihet një botë imagjinative e poetit, e ndërtuar me mjete poetike, me një semantikë që kërkon një qasje pak më serioze tek lexuesit e sidomos tek lexuesit e rëndomtë, për t’i zbuluar fshehtësitë nëpër vargjet përkatëse të ligjërimit poetik për të rritur.

Përpjekje për shtjellim

“Në prehër të idilës” është botimi i radhës i poetit Hysen Këqiku, libër ky me poezi për të rritur, me të cilin pasqyron gjetje të reja motivuese, ide të vargëruara, poezi refleksive, me shprehje filozofike e psikologjike, me të cilat begatohen poezitë e librit në shqyrtim.
Në këtë libër poeti pasqyron një realitet objektiv me motivet që e përthekojnë librin si tërësi, sepse poeti brenda tekstit poetik përdorë shprehje të zgjedhura të cilat për disa nga lexuesit nuk janë të njohura, e për disa të tjerë paraqiten si risi në ngritje të vlerës së poetikës së tij. Këto shprehje që derdhen në vargje të poezive të librit kanë edhe sqarime për ata lexues që hasin në vështirësi të gjetjes së kuptimit të fjalëve, fjalëformimeve dhe lidhëshmërisë së tyre me kuptimësinë e poezisë në përgjithësi.

Fillim i papërfunduar, me këtë titull hapen kopertinat e librit si formë hyrjeje e autorit në brendi të librit, e cila mund të lexohet edhe si hyrje, edhe si poezi e zgjeruar, por edhe si prozë poetike. Nga këtu fillon hapja e frymëzimeve të poetit, për t’i derdhur ato në vazhdim në poezitë e librit në të cilat mandej sheshohen këto ide motivuese të zgjedhura e që kanë përbazë një ndërtim më efikas të vargut, të kuptimshmërisë dhe të seriozitetit të tij që ka treguar në vazhdim të rregullimit të poezive.

Libri është i ndarë në këta cikle poetike:/Angështirë/, /Angështirë e malepsur/, /Angështirë e nakatosur/ dhe / Angështirë e përdalë/.
Në të gjitha poezitë e librit hetohet se poeti ka shkruar poezi figurative me një hermetizëm të plotë dhe krijohet përshtypja se ky libër është shkruar për një shtresë të lexuesve serioz, apo për të gjithë ata që janë lexues të kujdesshëm a njohës të poezisë me figuracion të dendur dhe me kuptimshmëri të mbyllur, e me këtë poeti Këqiku tregon qartë punën dhe vendosmërinë e tij, të një krijuesi që hapëron ta arrijë atë që e synon, e me këtë edhe ia ka arritur qëllimit.
Motivet që fshihen nëpër poezitë përkatëse janë të ndryshme, sepse brenda “brumit” poetik ngjeshen ide të thelluara të poetit si në aspektin semantik ashtu edhe në atë tematik, në të cilat pasqyrohet një protestë e brendshme e poetit karshi padrejtësive që iu bënë më herët popullit shqiptar por dhe tani nëpër krahina të tjera të ndara padrejtësisht nga trungu shqiptar.
Kjo shihet qartë në porosinë protestuese të poetit në poezinë /Majekrrabëza grimcon grimcat e grimcuara/si:

“Aty
majekrrabëza prore
grimcon
grimcat e grimcuara
shpërndarë mjegullnajës
me burbuja korbash të zi”

(fq. 17)

Pra mjegullnajë jashtë trungut, pranë rrapit me lëvore të plasaritura nga veringricat e paskarpateve, e poeti nuk rrin duarkryq porse me anë të këtyre vargjeve shpreh pakënaqësinë e tij , revoltën e shoqëruar edhe me ofshama të shpeshta.

Të tilla poezi me shprehje të zgjedhura shoqërohet libri në vazhdim, gjithnjë me një pasqyrim dashurie për tokën ,truallin dhe atdheun.
Edhe në ciklet e tjera në vazhdim poeti na del me një ngushtësirë qoftë të pezmatuar, të përzier apo të përdalë, në të cilat shtresohen shprehje të përzgjedhura nga poeti, të cilat japin të kuptojmë se assesi nuk lirohet nga koncepti i protestës apo i dhembjes për realitetin e hidhur e cila tanimë është e thinjur e thinjat e kohës së ikur tanimë kanë ngelur edhe në kohëmotin e shekullit më të ri:

“E ti
Gërgylja e Ballkanit
Vazhdon komponimin e baladës
Edhe të hutinit të harruar”

(Poezia “Baladë e zogut të harruar”, fq.30)

Pra ky është një realitet të cilin poeti bukur mirë e paraqet në vargjet e sipërshënuara për padrejtësitë e Ballkanit karshi të drejtave të cilat janë të kufizuara në krahinat tona të populluar me shqiptarë.
E fati nuk do të ngelet i ndarë, këtë poeti bukur mirë e paraqet në vargjet e poezisë vijuese:

FIDANISHTJA

“Stolisuni sa të mundeni
Me ato grafite të pista
Të mugëtinave

Edhe mbi shajkaqe
Po deshët galuconi
Fati nuk do të mbetet i ndarë”

(fq. 32)

Me këtë rast Hyseni bënë të ditur se në fund të fundit fati do të jetë i përbashkët e nuk do të mbetet i ndarë.
Me një ton të njëjtë janë edhe poezitë në vazhdim si:/ Të lutem/, /Përdëllesë/, /Buhnajë e kuqe/, /Në log të ditës/, /Pa errësirën e tretur/, / Humbi në errësirën e shprishur/ etj., të cilat e kompletojnë këtë cikël poetik.

Deri në gjetje të „kodit“!

Në vazhdim lexuesi i vëmendshëm gjurmon ta zbuloj kodin e kuptimit të mesazhit poetik të autorit të librit edhe në poezitë e ciklit në vazhdim, i cili vetëmse e rritë shkallën e vlerës së duhur, me gjetje të reja të kthen mbrapa në histori, e sidomos në poezinë /Në ninullë trimin mëkon/, më tej poeti kërkon që syzeve duhet ndërruar dioptrinë për të parë realitetin e krijuar për të gjithë ata që syzat u janë pluhurosur, apo sytë e tyre kërkojnë zmadhim të dioptrisë.
E kufiri i shpirtit etnik poetin e brengosë tejmase, sepse shkuarje ardhjet janë të kufizuara nga sinoret e përgjakura e të vura padrejtësisht nga pushtuesi shekullor, e këtë e thotë përmes vagjeve poetike në vazhdim:

“As lamtumirë
As mirardhsh nuk del
Nga ofshama e tretjes”

(Poezia “S’ka lamtumirë nga ofshama e tretjes” fq. 55)

Me të drejtë poeti pyet ku mbeti kënga e cila dikur ishte e ndaluar, e tani diku është ende e ndaluar e shndërruar në baladë, në dhembje, në pikëllim e në shqetësim.
Dhe në mes ngricash e përcëllimash pasqyrohet edhe një trung i moçëm, dialogon poeti me këtë trung të vjetër për vjetërsinë e tij dhe rrebeshet e kaluara deri më tani.
Në poezinë /Edhe këtu/ poeti bënë një paralelizëm në mes të fsahtit Dunav dhe të Velia Glauas (fshatit të tij të lindjes) dhe pohon se lutja është e njëjtë si këtu edhe atje:

“Edhe këtu bëhet kryq si atje
Për tokë, qiell e gjuhë shenjtërie
Për fushë, det e frymë atdhetarie”

(Poezia „Edhe këtu“, fq.65)

Përpos kësaj poeti shkroi edhe poezi përkushtimore për vëllain e tij Ramadan Këqiku me titull /Heshtja ime e shurdhër/.
Në poezinë tjetër me titull „Më mori ëndrra”, poeti ia çjerr maskën poetit të vetëlavdëruar e që ata nuk janë edhe të paktë apo të një kritiku të blerë me para, apo atij që bënë vlerësim lavdërues, miqësor e assesi vështrim korrekt.

Me poezitë /Ëndrrat çapiten/ dhe / O sikur të mundem/ poeti përmbyll këtë vëllim poetik, i cili sipas mendimit tim është libri më i mirë me poezi i realizuar deri më tani nga penda e poetit Hysen Këqiku, e cila sigurisht se do të zë vendin meritor në hierarkinë poezisë bashkëkohore shqiptare./rajonipress/