RCCOLA

Letërsia para gjyqit absurd

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Behar Gjoka- Pohimi i bërë nga e veja e diktatorit Hoxha, në një intervistë të dhënë në gazetën Shekulli, se romani Dimri i vetmisë së madhe apo Dimri i madh, ku nuk merret vesh se është fjala për tekstin e botuar apo për dorëshkrimin e famshëm që ka mbërritur në gjykatë, është kryevepra e shkrimtarit Ismail Kadare, më vuri në mendime. Madje, vetvetiu më futi në ngasjen për të parë më tutje se sa ky pohim, që bart shumëçka nga bota e djeshme, që na sillet dhe pështillet për këmbësh.

Mëtimi, i beftë dhe mental, bazuar në leximin ideologjik të tekstit, si dhe në bindjen se diktatura e djeshme ishte një arritje e madhe, tashmë për të shënuar dhe emërtuar vlerat estetike, pra të këtij romani, ku teksti letrar dhe dorëshkrimi, që solli edhe këtë zhurmë të pazakontë mediatike, mbi moralin dhe moralizmin, mbi të drejtën dhe të padrejtën, më duket se na ka nxjerrë në një shteg tjetër, që fsheh dhe zbulon një situatë të përkundërt me fillesat e veta, madje jashtë letrare në të gjitha kuptimet e mundshme: Së pari: E drejta morale, për tu mbrojtur në gjyq, ndaj padisë së shkrimtarit Ismail Kadare, ku duket se media po shpërndërohet në një sallë të madhe gjyqësore, por edhe për t’u shprehur lirisht në media, ku ka patur me vete të drejtën për t’u shprehur kur të donte dhe si të donte, ndonëse në këtë rast të bën përshtypje fakti, që letrat e dikurshme, të shkëmbyera ndërmjet tyre, por edhe mbrojtja ndaj aktakuzës, bëhet në prag të ndarjes së çmimit Nobel për letërsinë, çka duket se mund të ndikojë në shanset e tij. Për pasojë edhe të letërsisë shqipe.

Jo se besoj në misterin e një aksioni të madh, të organizuar, brenda dhe jashtë shqiptar, kundër shkrimtarit, aq më tepër kundër letrave shqipe, por në harkun e njëzet viteve, sa herë që afron stina e çmimeve, aq herë shpërthen një fushatë absurde, e cila bashkë me autorin, ndëshkon edhe letrat shqipe. Bohers nuk e ka marrë çmimin Nobel, megjithatë askush nuk e vë në dyshim vlerën e magjisë letrare të tij. Së dyti: Romani apo dorëshkrimi “Dimri i vetmisë së madhe”, në vështrim të lëvrimit të prozës së gjatë, artistikisht përbën vetëm se njërën nga veprat e Kadaresë, por jo kryeveprën e tij, sepse në shijen time si lexues dhe njohës i veprës letrare të autorit, si studiues i letërsisë shqipe, gjithnjë në syrin e shenjave letrare, ky tekst nuk mundet të krahasohet me prozat “Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave”, “Prilli i thyer” e ndonjë tjetër.

UBT

Në shijen e vejushës së diktatorit Hoxha, por edhe në botëkuptimin e shapluar, ky tekst është kryevepra e tij. Në fakt, në kuptimin letrar, teksti romanor Dimri i vetmisë së madhe, është më tepër një kompromis i autorit, kompromis i pashmangshëm me diktaturën dhe diktatorin, sepse për shumë kohë, shkrimtari u përfshi në lojën e maces me miun, ku diktatura bëri një lëshim duke lejuar përkthimin e veprës së shkrimtarit në Perëndim, si për të shpëlarë fytyrën e egërsuar, me njëfarë makiazhi artistik. Po kaq, Kadareja, i shtrënguar prej këtyre rrethanave, bëri lëshimet e veta ndaj kohës dhe modelit të realizmit socialist, ku njëri prej të cilëve është edhe shkrimi i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, pavarësisht mjeshtërisë së paraqitjes së tablove, gdhendjes së personazheve, shkathtësisë rrëfimore.

Për vejushën e diktatorit Hoxha, ka vlerë dhe mbase është kryevepër vetëm për faktin që ka vënë në qendër figurën e Enver Hoxhës, por kjo nuk shënon dhe përfaqëson arsye letrare, të mjaftueshme për ta marrë në konsideratë, përkundrazi është kulmi i shpërfilljes së shqyrtimeve letrare. Së treti: Po kaq pohimi tjetër, i bërë prej saj, shkrimtar i madh po njeri me zemër të vogël, edhe njëherë tjetër, madje në mënyrën më absurde të mundshme, shpërfaqet në median shqiptare, duke përdorur letrat e dikurshme të shkrimtarit, por edhe aspekte të tjera jetësore, por me forcë dhe ashpërsi, na dëshmohet leximi biografik i letërsisë, madje edhe leximi i letërsisë me anë të dosjeve, të djeshme dhe të sotme, leximi më perfid dhe më jashtë letrar i mundshëm, që i shtohet leximeve historike dhe antihistorike, sociologjike dhe ideologjike, për të cilat mjerisht kanë dhënë ndihmesën e vetë edhe studiuesit e socilologjisë, si dhe hulumtues të dosjeve, duke na larguar nga letërsia, nga qëndrimi absurd, që duhet lexuar me direktiva dhe në bazë të orientimeve të hershme dhe të sotme.

E drejta morale nuk ka gjasa të përmbysë të drejtën e shkrimit dhe të shijes letrare, aq më tepër morali të zëvendësojë artin dhe të vijohet me gjyqin e radhës në shkallmim të artit, të natyrës specifike, ku leximi nuk bëhet me porosi dhe direktiva, me urdhër dhe idealet e perënduara. Qarkëzimi i saj, pra i artit të fjalës, nga leximet jashtëletrare, do të thotë ta vësh atë në rrezik maksimal, mbase të shpërfytyrimet përfundimtar. Letërsia është nisur për udhë më të gjatë dhe nuk ka se si të mbetet peng i kohës absurde kur letërsia shërbente si propagandë për sistemin, letërsia e mirëfilltë e tejkalon kohën e vetë, si dhe i shpërfill paragjykimet biografike, morale dhe ideologjike.