LAPSH-i në Vaud feston përvjetorin e 20-të
Të dielën e kaluar, LAPSH-i i kantonit të Vaud-it festoi Ditën e Flamurit shqiptar si dhe 20- vjetorin e ekzistencës së tij. Ngjarja, e cila u zhvillua në Lozanë, përfshinte pothuajse të gjitha shkollat e gjuhës shqipe të kantonit.
Me hapjen e perdeve, të gjithë nxënësit janë paraqitur në skenë, duke filluar këngën e himnin kombëtar shqiptar. Ndërsa publiku, kryesisht i përbërë nga familjet dhe prindërit e nxënësve, tashmë ishin ngritur në këmbë.
Ja pra kështu nisi festa e LAPSH-it për nder të Ditës Kombëtare Shqiptare dhe 20- vjetorit të ekzistencës së lidhjes së arsimtarëve shqiptarë, LAPSH.
Më pas vijuan vargjet e poezive të recituara nga nxënësit e ndryshëm, duke mos harruar pjesën më të hareshme dhe të këndshme, këngët dhe vallet folklorike shqiptare. Secilës shkollë iu dha mundësia të tregojë dhe të dëshmojë se çfarë ka përgatitur me të rinjtë e saj me rastin e një feste kaq të veçantë. Programet e paraqitura në skenë japin shpejt të kuptojnë se çfarë pune të madhe dhe të çmuar bëjnë mësuesit e LAPSH-it për të ruajtur kulturën dhe gjuhën shqipe. Këngët dhe poezitë rivizitojnë gjurmët e historisë dhe trajtojnë çështjen e identitetit kombëtar, duke mos harruar vallet tradicionale kombëtare, të gjitha të paraqitura me shumë kostume tradicionale mbresëlënëse.
Situata nuk është edhe aq e thjeshtë për këta të rinj që me krenari mbajnë flamurin e kuq me shqiponjë të zezë, sidomos kur dihet se të gjithë këta janë kryesisht me origjinë nga Kosova dhe që shumica kanë një pasaportë të kuqe me kryq të bardhë. Por, drejtuesi i festës siguron të gjithë nxënësit se janë shqiptarë dhe që ata arrijnë shumë mirë të gjejnë veten dhe se nuk e kanë problem identifikim e tyre.
Gjatë fjalimit, z Isni Idrizi, kryetar i LAPSH-it për Vaud si dhe mësues, vuri në dukje disa pika. Sot shkolla shqipe ka rreth 2,500 nxënës në Zvicër, në kantonin e Vaud-it llogariten 250 veta. Këto shifra janë të pamjaftueshme dhe të pakënaqshme, vëren z. Idrizi, në krahasim me numrin e të rinjve që raportojnë në statistika të ndryshme në Zvicër se e kanë gjuhën shqipe si gjuhë amtare. Në bazë të këtyre shifrave, më pak se 7 % përcjellin orët e mësimit të LAPSH-it dhe kjo pavarësisht nga promovimi i këtyre kurseve që bëhet në shkollat publike të Vaud-it si dhe në ngjarje të ndryshme.
Përpjekjet janë bërë nga shoqata e LAPSH-it për t’u përshtatur kontekstit, për shembull, mund të cekim në Lozanë krijimin e një klase me nxënës, të cilët nuk flasin aspak shqip.
Drejtori i LAPSH-it tërheq vëmendjen për dallimin që duhet bërë në mes të fjalës integrim dhe asimilim. Zvicra na ofron të drejtën që të mbajmë kulturën dhe gjuhën tonë, ju duhet të përfitoni nga kjo dhe i rikujtoj publikut se populli shqiptar ka luftuar aq shumë për të mbrojtur këtë të drejtë.
Ngjarja festive përfundoi me një fjalim nga një ish-student, i cili ishte pjesë e brezit të parë, njëzet vjet më herët. Tani në moshën e rritur, ai falënderoi ngrohtësisht shoqatën për kontributin e saj dhe tha se kjo ishte në sajë të asaj që sot ai mund të shprehet në një “shqipe të lirë” para një audience të madhe.


