UBT

Lapidari i manipulimit

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Nga Astrit Gashi – Në pikë të mëngjesit, në ditë vikendi, kur shqiptarët po flinin e bëheshin gati për ndonjë piknik, dhe duke na zënë gafil, shtetit Serb dhe Ivica Daçiqi rrethuan me forca xhandarmërie dhe morën me vete Lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB nga Presheva. Monumenti i mburrjes kombëtare u zhduk nga faqja e dheut, hala pa u çelur sytë mirë.

Inat, mllef, mungesë dinjiteti, nëpërkëmbje nacionale e shumë emocion ishin mënyrat si u manifestua veprimi serb tek shqiptarët. Dëshmorët po na vriteshin për të dytën herë. Rrjetet sociale ishin mbushur plot me klithma, dënime, sharje e ftesë për luftë e hakmarrje nga kosovarët, që ishte sërish Serbia ajo që po u prishte rehatinë e vikendit e që po ua kthente në kokë edhe një herë se sa të pafuqishëm jemi si komb në të katër anët, meqenëse jemi të dominuar nga elita të papërgjegjshme e të korruptuara.

Ndër të parat u lajmërua “AKSH”, që kërcënonte me luftë të re. Shumë të tjera bënin thirrje për hakmarrje të menjëhershme, duke shkatërruar lapidarë e kisha serbe. Qeveria ishte në pushim, u mjaftua me një deklaratë, ku dënonte dhunën serbe dhe shtetin kriminal serb që nuk po lirohej kurrsesi nga mentaliteti Milosheviqian.

Përderisa Qeveria jonë kryesisht heshti, nga Shqipëria politikanë lëshonin klithma të tipit se me veprimet e fundit të Serbisë “u forcua shqiptaria”. Gjithçka dukej e kurdisur si në detaj që të ndodhë një mars 2004 i ri dhe se në një kurth të tillë tashmë ishim krejtësisht gati të binim. Qytetarët po vlonin emocionalisht, shteti nuk shihej askund dhe thuaja të gjitha kushtet ishin plotësuar që dikush të merrte vetë dhe mbi vetevendosjen e drejtësisë me Serbinë.

Një situatë kjo ndoshta me e rrezikshmja në të cilën ndodhej e ardhmja e Kosovës qe sa e sa vite. Jo sepse emocionet nuk kanë vlerë dhe sepse s’kemi arsye të ndihemi të shkelur e nëpërkëmbur, por sepse gjithçka dukej si një kurth serb – e ndoshta edhe me dikë nga Brenda, në të cilën po të binim veç do të siguronim apo përshpejtonim procesin e kantonizimit me të gjerë të Kosovës apo edhe ndarjes përfundimtare të saj.

Askush nga politika nuk po bënte zë, përveç Vetëvendosjes, që me një deklaratë kërkonte të mos ketë sulme hakmarrëse dhe që në pajtim me politikën e saj mllefin donte ta shtynte drejt qeverisë.

Sa për rikujtim, trazirat e Marsit të viti 2004 ishin ato që i hapën dyert një Plani të Ahtisarit, një pavarësie të kushtëzuar të Kosovës dhe dispozitave kushtetuese të cilat sot mund të përfundojnë edhe si rrezikuese të mirëqenies dhe funksionimit të shtetit të Kosovës. Një mars i ri do të ishte fatal, por fatmirësisht nuk ndodhi.

Lapidarin në Preshevë dhe tërë zhurmën që u bë rreth tij, gjithmonë e kam parë veç si një mjet manipulues me të cilin diçka do të fshihet apo të manipulohet.

Mobi Casa

E para, ai shërbente mirë si një mjet më të cilin dy palët- Kosova dhe Serbia- dhe veçanërisht Daçiqi do të interpretonte rezultatet e dialogut në Bruksel. Qeveria e Kosovës e ajo e Shqipërisë, që është kyçur në valle, sepse po i duhet manipulimi me emocione nacionale për arsye të brendshme elektorale, do ta përdornin atë për shfryrje mllefi po ashtu nëse rezultati nuk do të ishte pozitiv.

Nëse Serbia do ta tërhiqte lapidarin me dhunë, Qeveria e Kosovës duke mos reaguar do të dërgonte mesazhe paqeje e tolerance dhe kështu të fitojë poenë evropianë. Nëse nuk e keni vërejtur, qeveria ishte shumë e shpejtë për të reaguar në dënim të sulmit ndaj varrezave serbe, ndërkohë që gjatë tërë ditës që po grumbullohej mllefi, i kishte futur “ veshët në lesh”.

Sot “kryeplaku” i shqiptarëve, Berisha nga Tirana, madje u kërcënua që do të rishqyrtojë të gjitha marrëveshjet me Serbinë, ndërkohë që po të ishte i indinjuar, në të vërtetë do ta dërgonte një notë proteste nëpër botë të nënshkruar në emrin e tij e madje po të ishte prekur, sa na hiqet, ndoshta edhe do të tërhiqte ambasadorin. Por jo, sepse e tëra është politikë për konsum të brendshëm. Ajo përmendore, e ngritur aty ku ishte nga vetë preshevarët, më së paku është bërë për ta dhe më së paku kishte për qëllim t’u sjellë ndonjë të mirë atyre.

Sepse fare pak të mira reale mund t’i sjellin kujt përmendoret e bustet. Po të ishte ky kriter, ne si Kosovë sot do të duhej të ishim mrekullisht të zhvilluar.

Presheva, Bujanoci e Medvegja, të cilës ne i referohemi si Kosovë Lindore sa herë të duam të shitemi “kombëtarë”, nuk është fare pjesë e procesit të mendimit të politikanëve në Kosovë e Shqipëri.

Po të ishte, në vitet që shkuan, atje në mos Kosova atëherë Shqipëria do ta ndërtonte një shkollë, një spital a një universitet. Kosova e Shqipëria së bashku do të angazhoheshin që banorët e atjeshëm të kenë të drejta nacionale e qytetare më të mëdha se që i kanë sot. Dikush do orvatej që të lehtësonte nostrifikimin e diplomave që i marrin në Kosovë a Shqipëri e madje edhe ata që nuk do të qanin fort hallin për ta, të paktën do t’i lironin nga pagesa e shtrenjtë e sigurimit për vetura.

Natyrisht që nuk e kanë bërë e as nuk do ta bëjnë, sepse emocion prodhojnë lapidarët. Madje jo vetëm kaq, por edhe rrezik për shkatërrim e luftë. E dje Kosova ishte në rrezik, jo për t’u future në luftë e për ta dëmtuar Serbinë, por për ta shkatërruar veten dhe të ardhmen e saj edhe ashtu goxha të rrezikime.

Një mars 2004 i ri, një marrje e drejtësisë nga qytetarët nuk i sjell askujt një të mirë. Më së paku Kosovës e shumë më pak shqiptarëve që jetojnë të diskriminuar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Këso lojërash e manipulimesh duhet të ndërpriten.