Fundamenti

Kush vendos për Trepçën?

/ 4 minuta lexim

Komisioni i kreditorëve për Trepçën e minon rolin e Qeverisë se Kosovës mbi këtë ndërmarrje. Aty Qeveria do të përballet e vetme me gjashtë kompani të huaja që pritet të jenë kryesisht nga Serbia dhe dy anëtarë nga punëtorët. Në bazë të ligjit, ky komision do të vendosë për fatin e ndërmarrjes.

Në bazë të përbërjes se komisionit të kreditoreve për ndërmarrjen Trepça, është e paqartë se kush do ta ketë fjalën kryesore për fatin e kësaj ndërmarrjeje. Prej 7 anëtarëve sa do të jenë në komision, gjashtë do të jenë kompani të ndryshme, derisa dy përfaqësues nga punëtorët.

Kështu Qeveria e Kosovës do të përballet e vetme me gjashtë kompani të huaja që pritet të jenë kryesisht nga Serbia.

Nga ato që kanë paralajmëruar më herët drejtuesit e Trepçës, mbi 90 për qind e pretendimeve ndaj kësaj ndërmarrje do të jenë kompani serbe.

Në një shkresë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thuhet se komisioni i kreditorëve do të përbehet nga një grup personash, që në mënyrë të arsyeshme mund të konsiderohen si përfaqësues të të gjithë kreditorëve.

“Komisioni i kreditorëve do të përfshijë dy përfaqësues të punonjësve, mirëpo jo më shumë se shtatë kreditorë, të cilët në kohë kanë parashtruar dëshmitë e kërkesës tek administratori brenda apo para afatit të kërkesave”, thuhet në ketë shkresë të AKP-së.

Këto ditë AKP-ja ka shpallur njoftimin për afatin e kërkesave për të gjithë kreditorët pretendentë ndaj ndërmarrjes Trepça. Të shqetësuar me këtë proces kanë dalë edhe drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës. Ata kanë ftuar Qeverinë që të jetë kreditori kryesor i ndërmarrjes, pasi ka investuar rreth 100 milionë euro vetëm në dekadën e fundit.

Por, në mungesë të Bordit, Agjencia Kosovare e Privatizimi ka parashtruar kërkesë për shtyrjen e afatit edhe për një vit.

Fundamenti

“Ndërkohë AKP ka parashtruar kërkesë për zgjatje të afatit për paraqitje të kërkesave edhe për 365 ditë të tjera dhe AKP shpreson në mirëkuptim dhe pret përgjigje pozitive, duke pasur parasysh faktin se ka disa muaj që AKP është pa bord funksional, organ ky vendimmarrës për proceset që zhvillon AKP”, ka thënë zyrtari i lartë në AKP, Ylli Kaloshi.

Sipas tij, është herët të flitet për kompanitë që kanë aplikuar, pasi konkursi do të jetë i hapur për një kohë të gjatë. AKP i ka ftuar të gjithë personat që pretendojnë se kanë kërkesa dhe interesa ndaj ndërmarrjes “Trepça” që të parashtrojnë dëshmitë e kërkesat në formën e paraparë ligjore në zyrat e AKP-së, pa marrë parasysh nëse ata e kanë njoftuar më herët për këto pretendime ish AKM-në apo Dhomën e Posaçme.

Por e gjithë kjo nga drejtuesit e Trepçës dhe përfaqësuesit e bizneseve po shihet me rrezik.

Këshilltari në Trepçë, Shyqyri Kelmendi, pati thënë se mbi 90 për qind e kreditorëve që do të lypin hise në Trepçë janë kompani serbe.

Të njëjtat, në bazë të Ligjit për AKP-në, do të përfaqësohen në Komisionin e Kreditorëve, i cili edhe do ta ketë fjalën e fundit për fatin e kësaj ndërmarrjeje.

“Dëmi më i madh që i bëhet Kosovës është futja e Trepçës nën ingerencën e AKP-së, sepse e ka vendosur problemin nga njerëz që e njohin ndërmarrjen tek ata që s’e njohin atë. Mbi 90 për qind e kërkesave do të jenë kompani nga Serbia dhe Bordi i Kreditorëve do të përbehet nga këto kompani. Ky bord do të vendosë edhe për fatin e ndërmarrjes”, pati thënë Kelmendi.

Ndryshe, pas shqyrtimit të këtyre kërkesave e ankesave do të definohen kreditorët e Trepçës. Pas shqyrtimit të kërkesave, do të mbahet takimi i kreditorëve i cili do të pasohet më vonë me formimin e komisionit të kreditorëve. Sipas AKP-së, kjo do të jetë hera e parë që do të identifikohen me saktësi kreditorët e Trepçës. Procesi pastaj do të vazhdojë me hartimin e planit të riorganizimit të ndërmarrjes.(express)