UBT

Kujtojnë tmerrin

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Të martën banorët e Reçakut kujtuan më të dashurit e tyre. Kujtuan ditën kur bën plot 14 vjet që kur ndodhi masakra e tmerrshme ndaj 42 banorëve civilë të fshatit dhe 9 ushtarëve të UÇK’së. Tash pasi kaloi një kohë, familjarët thonë se u harruan nga të gjithë. Thonë se nuk duan shumë, përveç ngushëllimit për atë çfarë u bëri vaki janarin e vitit 1999.

Kujtuan atë çfarë u ndodhi mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999. Ishte kjo ditë që la shumë gra pa burra, shumë nëna pa fëmijë, e shumë të tjerë, pa familjar. Ishte kjo datë kur në Reçak ndodhi diçka që tronditi botën, saqë u detyruan të marrin masa. Aty forcat serbe vranë e masakruan 51 shqiptarë, përfshirë gra e fëmijë.

Në mesin e shumë nënave të këtij fshati, të martën Flora Beqiri bëri plot 14 që vazhdimisht vizioni varrin e të bërit, që u masakrua barbarisht nga forcat serbe. Edhe vetë Flora është e plagosur në luftë. Tash pas 14 vitesh kjo nënë thotë se u harrua nga të gjithë. Pavarësisht se është përkrahur dhe vazhdon të përkrahet me të holla, Flora sqaron se ka nevojë për diçka më shumë. Kjo nënë veç tjerash ka shumë nevojë për ngushëllim. “Nuk po na vizitojnë na jemi në zor për një llaf goje e për një ngushëllim…”, ka thënë ajo. “Një ndihmë e vogël që i marrë unë 50 euro, më nuk janë përkujdesur për kurrgjë, si invalid i luftës, edhe 130 euro i merr shoku për djalin, tjetër kurrgjë”, pohon ajo.

Njësojë janë edhe gratë e tjera. Nexhmije Jakupi-Mujota të cilës i është vrarë vëllai i vetëm që kishte, pohon se mburret me të dhe të tjerët që ishin mbrojtës të vendit. Edhe Nexhmija thotë se zyrtarët institucionalë nuk po i vizitojnë. “Vallahi jo… Marrim një shumë si gjithë familjet e tjera… Vijnë me na vizitu shumë rrallë”, ka thënë ajo.

Bashkë me familjarët e të rënëve për t’i rikujtuar ata ishin edhe kryetari i komunës dhe shumë qytetarë të tjerë dhe bashkëluftëtarë të tyre. Por, nuk u panë edhe zyrtarë të lartë të vendit, përveç ministrit të FSK-së, Agim Çekut. Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se do të vazhdojnë t’i përkrahin familjet e dëshmorëve dhe të rënëve. Ai ka pohuar se ngjarja e 15 janarit 1999 ishte një ngjarje që shfaqi fytyrën çnjerëzore të pushtetit serb, ndërsa luftëtarët tanë, sipas tij, ndritën fytyrat e të gjithëve.

RCCOLA

Ismajli i ka quajtur të rënët mbrojtës të pragut të shtëpisë, mbrojtës të atdheut dhe të lirisë. “Rënia heroike e këtyre dëshmorëve do t’u kujtojë brezave të ardhshëm, do t’ju kujtojë vlerat universale të luftës së UÇK-së për çlirimet e vendit, angazhimet e tona institucionale, krahas angazhimeve të tjera, gjithmonë do të jenë të orientuara kah fuqizimi i statusit të familjeve të dëshmorëve, të familjeve të martirëve, të invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, ka thënë ai.

14 vjet më parë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 42 civilë dhe 9 ushtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë dhe pikërisht në këtë ditë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Të nesërmen, në Reçak do të shkojë ish-shefi i misionit të OSBE-së , William Walker, për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme kriminale. Ai këtë ngjarje e pati cilësuar si “krim kundër njerëzimit”. “T´i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them“, pohoi Walker. Masakra e Reçakut njihet si një nga ngjarjet kryesore që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke i paraprirë proceseve që çuan deri tek fushata e bombardimeve të NATO-s.(express)