RCCOLA

Kujtim për Bardhin

/ 5 minuta lexim

Nga Burim Ramadani – Emri i Bardh Hamzajt do të jetojë gjatë. Edhe kur shumë prej nesh nuk do të jemi më në këtë jetë, Bardhi do të vazhdojë të jetë një prej prijësve të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare. Bardhi ka qenë thjesht i pakrahasueshëm.

U bë një vit. Javët dhe muajt po e rrisin mungesën e tij. Vullneti dhe puna e pandalshme e tij ishin të pakrahasueshme. Aftësitë profesionale të tij zor se mund të zëvendësohen shpejt. Gatishmëria e tij për angazhim ishte gjithnjë shpresëdhënëse.

Bardh Hamzaj që një vit u nda nga ne, familja e tij, bashkëpunëtorët e shumtë. U largua nga kjo jetë, duke i bërë të mërziten të gjithë. Edhe ata që e njohën për së afërmi, edhe ata që vetëm lexuan shkrimet e tij. U mërzitën për një humbje të madhe. Për një mungesë të veçantë në jetën shoqërore, publike dhe profesionale në Kosovë. Për një njeri të shquar, që do të qëndrojë në kujtesën e secilit prej nesh për tërë jetën.

Bardh Hamzaj – shkrimtari, gazetari dhe publicisti – ishte ndër të rrallët ndër shqiptarë. Ishte përherë i përgatitur, analitik, përmbajtësor, profesional, i drejtë, i gatshëm dhe me vullnet për të bërë diçka të mirë. Asnjëherë nuk hezitoi të jetë aktiv. Asnjëherë nuk u ndal së punuari. Me libra, lajme dhe shkrime analitike ishte për më shumë se tri dekada në shërbim të publikut. Në shërbim të informimit. Në shërbim të qytetarit të Kosovës. Nuk hodhi shkronjat në letër pa dhënë mesazh, pa dhënë qartësi, pa dhënë vizion. Asnjëherë nuk u bazua në relacione personale, asnjëherë nuk fshehu bindjet e tij.

Bardh Hamzaj – kolegu dhe bashkëpunëtori – ishte ndër më të afërtit. Gjithnjë i përgatitur për të tejkaluar presionin e punës. Gjithnjë i përgatitur për të thyer monotoninë e zakonshme të ambientit të përditshëm. Ishte më shumë se sa një kolegë, më shumë se sa një shef, më shumë se sa një bashkëpunëtor. Ai thyente barrikadat e hierarkisë. Në të gjitha nivelet. Megjithëse i përpiktë në punë, siç ishte, ai asnjëherë nuk synoi ndarjen midis njerëzve, dallueshmërinë midis bashkëpunëtorëve. Ishte i njëjtë për të gjithë. I pandryshueshëm në komunikim, i paluhatur në punë.

Bardh Hamzaj – miku i mirë – ishte ndër të paktë njerëz që të ofronte veten në çdo situatë. Në çdo moment gëzimi apo mërzie, ai ishte i gatshëm të jetë afër. Të të këshillojë, të të ndihmojë, të të përkrah. Nuk kishte as më të voglin dyshim në fuqinë e njeriut për të tejkualuar problemet. Nuk kishte as më të voglin dyshim në zotësinë e njeriut për të përmirësuar jetën. Ishte gjithmonë optimist. Ishtë gjithmonë i motivuar. Nuk u luhat fare. Ashtu sikurse e njoha shumë vite më parë, ashtu edhe kur u largua nga kjo jetë. Përkundrazi, vullneti dhe motivi për të ecur përpara i shtohej gjatë tërë kohës.

RCCOLA

Tashmë u bën një vit prej kur Bardhi nuk është ndër të gjallët. Kjo periudhë nuk ishte e lehtë për njerëzit e njohwn, njerëzit e afërt të tij, njerëzit që e deshën. Janë të panumërueshme momentet kur emri i Bardhit përmendet nga të gjithë. Pothuajse nuk ka as edhe një moment shoqëror kur emri i tij nuk përmendet. Kur mungesa e tij nuk thuhet me zë të lartë.

Nuk janë të paktë njerëzit që e kanë dashur, respektuar, nderuar. Nuk janë të paktë njerëzit për të cilët Bardhi ka qenë mësues profesioni, mësues miku. Gjeneratat e vjetra do ta mbajnë mend për thyerjen e mureve. Gjeneratat e reja do ta mbajnë mend për rrugën e hapur nga ai.

Gazetaria dhe publicistika në Kosovë ka pësuar një goditje të madhe një vit më parë. Është e padilemë se kjo fushë e rëndësishme e jetës publike dhe shoqërore po e ndjen mungesën e tij. Është e qartë se Bardhi ka qenë një ndër më të zotët e shkrimit. Përmbajtësor deri në detaje dhe i përmbajtur në nivelin më të lartë profesional.

Emri i Bardh Hamzajt do të jetojë gjatë. Edhe kur shumë prej nesh nuk do të jemi më në këtë jetë, Bardhi do të vazhdojë të jetë një prej prijësve të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare.

Bardhi ka qenë thjesht i pakrahasueshëm.