Kuçi “këshillon” Jahjagën për Kodin Penal
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duket se është e vendosur që të mos ia prish “qejfin” Qeverisë së Kosovës në raport me projekt-Kodin Penal. Njëri nga zyrtarët e Presidencës së vendit, që ka folur në kushte anonimiteti i ka thënë “Zërit” se presidentja Jahjaga të premten pasdite është vizituar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Sipas tij, gjatë takimit është folur për projekt-Kodin Penal, dhe i është rekomanduar presidentes që ta kthejë atë prapa, të mos kërkojë heqjen e nenit 37 dhe 38, por vetëm riformulimin e tyre, ashtu siç ka paralajmëruar gjatë ditës së premte kryeministri Hashim Thaçi.
“Dje, ministri Kuçi është takuar me presidenten edhe janë marrë vesh për hapat e mëtutjeshëm. Gjithçka është në përpjeke që Qeveria t’ia arrijë lojës, konkretisht ta shtyjë Presidenten që të kërkojë që dy nenet që po kontestohen nga gazetarët të mos hiqen nga ligji, por presidentja të kërkojë vetëm riformulimin e tyre”, thotë burimi, duke nënvizuar se takimi është bërë në të njëjtën ditë që projekt-Kodi Penal ka arritur në “duart” e Presidentes.
Por, pavarësisht nga kjo, takimi Kuçi-Jahjaga është mohuar nga këshilltari për medie i Presidentes, Arbër Vllahiu. “Nuk është e vërtetë që Presidentja është takuar me zëvendëskryeministrin Kuçi gjatë ditës së djeshme”, ka thënë nëpërmjet telefonit Vllahiu.
Ai, megjithatë, ka bërë të ditur se projekt-Kodi ka arritur në Presidencë gjatë ditës së premte dhe si i tillë do të shqyrtohet nga presidentja Jahjaga brenda tetë ditëve, sa është i përcaktuar me ligj afati kohor për nënshkrimin ose jo të një ligji.
Edhe zëvendëskryeministri Kuçi ka mohuar se është takuar me Jahjagën. I pyetur për takimin dhe për temat që janë trajtuar gjatë takimit, ai ka thënë se nuk është e vërtetë që është takuar.
Por, gazetarët kosovarë thonë se Qeveria e Kosovës ia bën “agjendën” Presidencës së Kosovës, prandaj ata hedhin dyshime se një takim i tillë ka qenë në shërbim të jetësimit të riformulimit të neneve, dhe jo largimit të tyre.
Gazetari Halil Matoshi thotë se në raport me nenet 37 e 38 Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë e ka treguar veten, prandaj, secili veprim tash e tutje është përpjekje për t’i hedhur “hi syve” opinionit.
“Absolutisht tash këta (Qeveria) do të përpiqen që t’ia lënë meritat vetes, ta kthejnë këtë ligj sërish në kuvend, ndoshta mund të ketë edhe presione politike mbi presidenten e vendit. Mirëpo, tash është shumë vonë sepse Qeveria e Kosovës e ka treguar fytyrën e vet”, thotë ai, duke shtuar se me projekt-Kodin dhe “marrëveshjet” me presidenten Qeveria po bën lojëra politike.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka bërë të ditur nismën e Grupit parlamentar të saj për hartimin e Ligjit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Deputetja e kësaj lëvizjeje, Alma Lama, gjatë një takimi me gazetarë ka thënë se kjo nismë ka lindur pas, siç ka thënë ajo, përpjekjeve të fundit të pushtetit që me çdo kusht t’i fusë nën kontroll mediet e vendit.
“Ne mendojmë se ka ardhur koha që gazetarët dhe puna e tyre të mbrohen me ligj, dhe për këtë shkak do të iniciojmë hartimin e Ligjit për mbrojtjen e gazetarëve.
Përmbajtja e këtij ligji, i cili aplikohet në plot vende demokratike ka për qëllim mbrojtjen e të drejtës së gazetarëve për të refuzuar bërjen publike të burimit të informacionit, mbrojtjen e gazetarëve nga thirrja në gjyq si dëshmitarë për shkak të profesionit të tyre, mbrojtja e gazetarëve nga konfiskimi i mjeteve të tyre të punës, blloqet e shënimeve, kasetave, materialeve të pabotuara, videove, fotografive”, ka thënë ajo.
Ligji do të mbrojë botuesit, redaktorët, reporterët dhe persona të tjerë të punësuar në gazeta, revista, botime periodike, radio, televizione, agjenci lajmesh, e po kështu edhe gazetarët e lirë (freelance).
Qeveria të kërkojë falje!
Gazetari Halil Matoshi, thotë se “fati” i dy neneve të projekt-Kodit Penal tashmë është në ndërgjegjen e presidentes Jahjaga, ndërsa thekson se nenet duhet të hiqen tërësisht e jo të riformulohen, siç është deklaruar kryeministri Thaçi.
“Të vetmen punë të hairit që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës do të mund ta bënte, do të ishte një kërkimfalje publike për futjen në Kodin Penal të dy neneve të shteteve praktikisht më totalitare që i njeh Evropa, sepse këto dy nene janë fjalë për fjalë të kopjuar nga Kodi Penal i Serbisë”, thotë Matoshi.(Zeri)