Fundamenti

Ku m’je nisë, ku m’je tu shkue?!

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Avni Zogiani – Për disa ditë rresht mjegulla ka mbuluar Kosovën e Shqipërinë, e mbase edhe pjesën më të madhe të Ballkanit. Gjatë kësaj mjegulle në Ballkan, Serbia zbuloi edhe një varrezë masive me trupa të shqiptarëve të vrarë e të bartur atje gjatë luftës, nga urdhrat ish-shefit të kryeministrit aktual serb, Ivica Daçiqit. Pikërisht gjatë kësaj mjegulle në Ballkan, ministrat e jashtëm të BE-së, pranuan kandidaturën e Serbisë për anëtare të BE-së, dhe njëkohësisht refuzuan Shqipërinë.

Afër 400 policë serbë, plot prej tyre me histori të dyshimtë dhe potencialisht pjesëmarrës në aksionet që shkaktuan varrezat që po hapen sot në Serbi, u futen në Kosovë. Shoqes së kryeministrit tonë, Catherine Ashton, as që i bëri përshtypje fakti që në Serbi paska akoma varreza që shteti nuk i zbulon, ndërkohë që kosovarët janë duke kërkuar të zhdukurit gjatë luftës, që sipas gjasave janë mbuluar diku në Serbi.

Zonja Ashton tha, Serbia ka plotësuar kriteret. Universiteti i Prishtinës u përfshi nga skandalet e studentëve e mësimdhënësve që merrnin para për provime e regjistrim, ndërkohë që rektori i UP-së as që e merr parasysh dorëheqjen. Kryeministri ynë po vazhdon përpjekjet e tij për ta ruajtur partinë dhe për t’iu siguruar edhe më shumë vende të rezervuara serbëve në Parlamentin e Kosovës, i cili edhe ashtu është shndërruar në Parlament të pakicës, përpjekje kjo që lidhet me historinë e qëndrimit të Thaçit në pushtet nga votat e minoriteteve.

Shqipëria e zhytur në diskutimin e një varianti të ri të taksave, që ka një efekt gati të papërfillshëm për njerëzit, pothuajse e kaloi pa e vënë re atë që ndodhi në Bruksel. Shqiptarët në Maqedoni e Preshevë, thjesht janë harruar, në përballimin e tyre me monumente që mbijnë e hiqen brenda natës. Diku në një bisedë me një profesionist të taksave në Kosovë, marr vesh se një biznesi të ndërlidhur me pushtet i janë fshirë gjysmë milioni taksa.

Tërë kjo ndodh nën mjegullën e trashë që ka mbuluar shqiptarët, ndërkohë që njerëzit e hutuar përballohen çdo ditë e më shumë me varfërinë, me duart lart, duke vënë shpresat tek Zoti. Të mërkurën duhej të shkruaja një shkrim për gazetën Zëri. Disa herë provova ta bëj këtë gjë. Nuk arrita ta shkruaj. As tani nuk po arrij dot ta bëj këtë. Kam vetëm një gjë për ta thënë. Kështu nuk mundet më! Më vjen të bërtas, por kam përshtypjen që mjegulla e trashë do ta mbajë britmën vetëm brenda perimetrit të familjes sime, e cila edhe ashtu mund të jetë mërzitur nga unë.

Shqiptarët lidhën gjithçka me integrimet evropiane, dhe asnjëherë nuk diskutuan mjaftueshëm çfarë duan apo për çfarë kanë nevojë. Sikur klandestini që qëndron i fshehur në trenin që nuk e di kur do niset as ku do shkojë, por shpreson se destinimi do të jetë ai që e parafytyron.

Uji Dea

Shqiptari rri strukur, pa e pasur bileten për trenin që ka për ta nxjerrë nga mjegulla e trashë, drejt një stacioni, që e parafytyron si një bashkim vlerash, një kalim përtej ylberit, drejt një lumturie të përhershme. Për shqiptarët, më shumë sesa një ide se ku ka për të arritur, kjo është një kërkesë, një nevojë, për të ikur nga ajo që është.

Po ajo që është shqiptari sot, më shumë ngjan me atë që dëshiron të duket kur ta takojë konduktorin e trenit që shpreson se një ditë do të niset.

Është një kërkim i pafund për pamjen, që në imagjinatën e tij e kërkojnë njerëzit në botën ku dëshiron të hedhet. Është pra një përpjekje shpresë-humbëse për një transgresion në diçka apo dikë tjetër. Mirëpo, një akt i pështirë i daljes nga vet-vetja, nëse nuk shkon deri në fund, ngelet përgjysmë, duke të tëhuajësuar nga ajo që ishe, por duke të lënë të shformuar nga pikëvështrimi i atyre që dëshiron t’i arrish. Një transendensalizëm pa ide, që të lë mes mishit e peshkut.

Pa e njohur dhe pa e gjetur vet-veten, shqiptarët i janë futur aventurës së makiazhit për ta joshur dikë që duket qartë se nuk i do si të tillë. Sepse nuk të do kush, po s’e deshe vet-veten. E makiazhi zgjat vetëm gjer në mëngjes, ose gjer sa të kalojë mjegulla.

Në përpjekjet e mia për ta bërë shkrimin, thjesht u dorëzova. Sepse vetëm një gjë e kisha të qartë. Kështu nuk bën! Dikush duhet të bëjë diçka, por kush? Këtu thjesht bëhet tepër e komplikuar dhe unë nuk e bëj shkrimin për këtë javë!