Mobi Casa

Kryetari më i ri i Superligës

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Besim Ismaili është njëri nga kryetarët më të rinj të një klubi futbollistik në vend dhe jo vetëm. Ai është vetëm 32-vjeç dhe udhëheq bordin e skuadrës gjilanase, Drita ndërsa ka treguar vetveten si të hekurt gjatë kësaj kohe sa ka pasur klubin nën kontroll. Ismaili ka folur rreth synimeve të skuadrës së tij, stabilitetin e klubeve kosovare, ligjin për sponsorizim, shuarjen e Hysit, si dhe për kriteret ligjore në futbollin kosovar.

Arena: Sa kanë stabilitet sporti dhe sportdashësit në Kosovë?
Ismaili: Sporti dhe sportdashësit në Kosovë nuk kanë stabilitet për shkak të mungesës financiare dhe suksesit .Gjatë 15 viteve të pasluftës ka pas shpresë nga donator të ndryshëm prej të cilëve ka pasur që kanë dhënë deri centin e fundit për sport si: Selami Osmani- Bezi, Ertan Xhihiqi, Shukri Sylejmani etj, duke menduar se një ditë do të rregullohet diçka për sponsorët dhe në përgjithësi sportin, që të kemi profesionalizëm ne sport.

Arena: A ka kritere ligjore për futboll profesionist?
Ismaili: Ligji për sport është, mirëpo unë them s’ka kritere ligjore për një futboll profesionist. Unë e përfaqësoj Dritën , por kjo nuk mund të thuhet vetëm për Dritën, por për të gjitha klubet, deri sa mos të kemi ligjin për sponsorë ne do të shkojmë me një rrugë pa adresë, së bashku me njerëzit që e duan sportin dhe që e financojnë.

Arena: Si i sheh zhvillimet e fundit dhe shkrirjen e KF.Hysit?
Ismaili: Interesat ekonomike e politike po i vuan sporti. FFK duhet të jetë më vepruese. Duhet të organizohet komuniteti i sportit. Duhet të reagojnë. Mua më habiti heshtja e zyrtarëve të komunës së Podujevës, kur u shkri Hysi dhe para disa viteve Besiana, klube që dhanë shumë futbollit Kosovar, ku ishin dhe çfarë bënë këta të udhëheqës komunal të cilët janë krenuar me sukseset e tyre?
A thua ku do të shkojë sporti në përgjithësi, ekipet në kampionatin që e lamë pas patën në radhët e tyre yjet kosovar, e sot nuk dihet fati i tyre.

Arena: Për çka ka nevojë sporti?
Ismaili: Unë mendoj se çdo politikë zhvilluese ka një faturë financiare dhe ajo duhet të jetë e mjaftueshme për të qenë të denjë kudo që përfaqësohemi. Sporti e meriton vëmendjen e qeverisë lokale dhe qendrore. Në Kosovë sportdashësi mbështet sportistin vetëm kur të kenë rezultate pozitive, kurse në Evropë sportdashësi e blen biletën vjetore. Duhet të kuptojmë dhe të jem të vetëdijshëm se edhe humbja është pjesë e lojës. Fitorja dhe humbja në sport janë dy përjetime emocionale të kundërta, por shumë të forta dhe përjetohen jo vetëm të sportistët por edhe te sportdashësit. Ndërsa tek ne, kur rezultatet janë në rritje atëherë gjendja jo vetëm të sporti e sportdashësit, por edhe të njerëzit e thjeshtë është krejt ndryshe. Në gëzimin e shumicës përfshihen edhe njerëzit që nuk janë të lidhur me sportin por e shfrytëzojnë për interesa personale e politike.

Arena: A ka nevoje te tkurret Superliga?
Ismaili: Jo, e kam thënë edhe më herët futbolli cilësor vjen duke ndërmarrë hapa tjerë, duke i organizuar ndeshjet sa më mirë, duke pasur referim cilësor dhe kuptohet ligji për sponzorizim. Unë mendoj se duhet te rritet numri i skuadrave në Superlige. Nëse do te rritet numri i skuadrave atëherë do të kemi mundësi të nxjerrim edhe më shumë talent të cilët do të kenë mundësi të paraqiten ndaj skuadrave me nam dhe motivi është më i madh.

Arena: A janë të rrezikuar sportistët?
Ismaili: Rreziku i madh i sportistëve është kthimi nga një idhull të adhuruar në një idhull të sulmuar nga mungesa e një suksesi. Largimi nga shkallët e stadiumit, mos interesimi për sportin, revolta janë shenja të qarta për gjendjen e ulët emocionale.

UBT

Arena: Si do te arrini sukses?
Ismaili: Vetëm nëse në sport mendohet për projekte afatgjatë, shkolla e futbollit duhet të jetë primare. Drita dhe shumë klube tjera për shumë vite jemi fokusuar vetëm për pjesëmarrje në Superligë dhe kemi marrë lojtarë me një kosto shumë të lartë, po i quaj unë lojtarë për një përdorim, dhe pas atij sezoni kemi mbetur pa ta dhe prapë ka vazhduar lufta për ekzistencë duke mos ju dhënë hapësira lojtareve të rinj.

Arena: Çka do të preferoje për klubin e juaj?
Ismaili: Unë do të preferoja që mos të investojmë vetëm sa për të garuar për mesin e tabelës, sikur te kishim mundësi do te investonim për ndonjë trofe, mirëpo vështirësitë financiare ta ndryshojnë kahjen. Ne duhet të investojmë në shkollë të futbollit dhe të kemi projekte afatgjata, që në të ardhmen e afërt me dy tre përforcime të ja mësyjmë trofeve që për shume vite po na mungojnë, gjë që mund të realizohet brenda 4-5 viteve të ardhshme.

Arena: Si ndihesh si Kryetari më i ri i bordit të një klubi , lirisht mund të themi në Evropë?
Ismaili: Si qytetar i Gjilanit e kam për obligim të jap kontribut në futboll dhe në përgjithësi sport, ekonomi e çka do që të jete për qytetin dhe shtetin tim, nuk ndihem i privilegjuar, por kam obligim dhe përgjegjësi.

Arena: Përgjegjësia e juaj ne klub
Ismaili :Unë e udhëheq bordin, hartojmë politikat e klubit dhe ruaj bërthamën e klubit nga padrejtësitë dhe keqpërdorimet nëse ndodhin nga Kryetari, apo kryesia e klubit merren masa deri në shkarkim: Përcaktojmë politikën zhvillimore afatmesme dhe afatgjatë të aktiviteteve të klubit etj.

Arena: Pse të quajnë dorë e hekurt e Dritës?
Ismaili: Kryej punën time dhe nuk lejoj padrejtësi.

Arena: Një mesazh për lexuesit dhe sportdashësit?
Ismaili: Askush nuk planifikon dështim , por dështon ne planifikim, kështu qe, ju bëj thirrje mos planifikoni, mos dështoni por lexoni Arenën që të jeni më afër lajmit dhe mbështeteni sportin me prezencën e juaj në tribuna, mbështetja e sportit që vjen nga sportdashësi është shumë e madhe dhe e nevojshme.