Eko Higjiena

Kremtja e Shën Gjergjit shënohet në Roganë të Dardanës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ndonëse Dita e Shën Gjergjit njihet 6 maji, në Roganë ajo festohet më 5 maj. Edhe pse sipas riteve fetare kjo festë nënkupton përfundimin e periudhës së dimrit dhe fillimin e verës, gjeneratat e reja, këtë festë më shumë e parapëlqejnë si ditë takimi, kryesisht pranë tyrbeve ose ndonjë vendbanimi të lashtë.

Karakterizimi i kësaj kremteje me lojëra të shumta dhe me fluks të madh të qytetarëve te tyrbja e Roganës, viteve të fundit ka pësuar rënie, sidomos pas (dez)informatave që vijnë nga grupe të ndryshme fetare.

Të paktë janë ata që përpiqen që petkun e kësaj kremteje ta nxjerrin andej prej nga duhet ta ketë burimin, pra, prej kohës së ilirëve e që në periudha të ndryshme do të ketë pësuar transformime, duke iu përshtatur regjimeve të ndryshme gjatë shekujve.

Megjithatë populli shqiptar, duke qenë pasardhës i ilirëve, e që kjo kremte duhet t’i ketë rrënjët tek ilirët, gjeti mundësi për ta ruajtur këtë rit.

Kështu, gjatë Perandorisë Osmane, në trevat tona janë ndërtuar shumë tyrbe ose mauzole në shenjë respekti për evliatë, hoxhallarët, shehlerët ose dervishët e devotshëm. Prandaj sot janë pikërisht këto vende ku edhe tubohen qytetarët dhe manifestojnë respektin e tyre ndaj kësaj kremteje. Një tyrbe e tillë është edhe në fshatin Roganë, por që roganasit nuk e dinë kohën e saktë të ndërtimit të kësaj tyrbeje, edhe pse ka supozime që çojnë në shekullin e 18-të.

Mirëpo, ajo që e bën më “moderne” këtë festë, padyshim, është pakësimi gjithnjë e më shumë i disa formave të ceremonisë në vetë tyrben (sjellja rreth gurëve të varreve brenda tyrbes etj.).

RCCOLA

Të rinjtë e quajnë më shumë një ditë takimesh rinore, kurse të moshuarit vazhdojnë ende me praninë e tyre në tyrbe me qëllim të përmirësimit shëndetësor, begatimit të sofrës me prodhime bujqësore a shtazore, gjetjen e fatit për ndonjë fëmijë, mbesë ose nip, duke lënë pranë varrit dhe ndonjë euro.

Po ashtu, të paktë janë ata besimtarë të kësaj kremteje që në ditën e Shën Gjergjit zgjohen herët në mëngjes, varin qafore kungullurësh të egër, varin degë shelgu mbi portën e shtëpisë etj. siç bëhej dikur në fshatrat tona.

Falë hapësirës së mjaftueshme dhe ende të paurbanizuar përreth tyrbes së Roganës, më 5 maj 2013 janë tubuar disa qindra qytetarë, kryesisht të rinj, për ta kaluar një ditë të tërë në zinxhirët fluturues, në restorantet ambulantore, apo thjesht në një batanije pikniku.

Moti me diell dhe temperatura e lartë ishte një motiv edhe më shumë për akulloreshitësit ose shitësit e lëngjeve freskuese. Vajza e djem të rinj, të parfumosur e të veshur „shik“ parakalonin rrugës gati dykilometërshe nga tyrbja deri në Katushnicë, ndërsa kafiteritë e këtij fshati të transformuar ishin përplot të rinj e të reja.

Nëse vërtet Shën Gjergji është apo nuk është kremte shqiptare, të paktën kjo ditë për bizneset roganase ishte e mirëseardhur ndërsa për të rinjtë dhe mysafirët tjerë që kishin gravituar Roganën nga treva të ndryshme të Kosovës ishte një ditë hareje dhe pa stresin e përditshmërisë. Xhevdet Kallaba./rajonipress/