Mobi Casa

Kosova pa Rugovën

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Milaim Shefkiu – Dje u bënë tetë vjet kur u kumtua lajmi se presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, u nda nga kjo jetë. Ky ishte lajmi më i keq që doli nga Kosova pas përfundimit të luftës, sepse njeriu i parë i shtetit, simbol i një lëvizjeje politike paqësore, u shua nga jeta.

Ai la pas vetëm një histori të bujshme, duke u konsideruar si politikan autokton në udhëheqje dhe një figurë uniteti brenda partisë së tij, por edhe jashtë saj.

Rugova e mori bajrakun e Kosovës atëherë kur ishte më së vështiri dhe e mbajti deri në fund. Gjatë jetës pati ngritje e rënie, ngjarje kur u vlerësua kontributi i tij për Kosovën si në aspektin politik ashtu edhe në kritikë letrare, por si çdo i gjallë, pati edhe minuse, sidomos me qëndrimin kundër luftës çlirimtare. Madje qëndrimi kundër daljes në skenë të UÇK-së e zbehu imazhin e presidentit Rugova, i cili pavarësisht kësaj, në arenën ndërkombëtare u cilësua si “Gandi i Ballkanit”.

Rugova qëndroi i heshtur edhe atëherë kur akuzohej nga kundërshtarët, edhe kur sulmohej me bomba, madje edhe kur u detyrua të takohet dhunshëm me “kasapin e Ballkanit”, Sllobodan Millosheviqin. Ai bëri koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt që për shumëkënd u konsiderua absurd, por dha rezultate.

Qëndrimi i heshtur bëri që sot të konsiderohet si ish-udhëheqësi më i respektueshëm i politikës kosovare.

Ky ishte Rugova në një rezyme të shkurtër. Por, pse Rugova ishte i veçantë?

FIDANISHTJA

Vdekja e tij u reflektua menjëherë në politikën e Kosovës, veçanërisht në partinë e tij. LDK u bë lajm rajonal, sepse në garën për kryetar partie, kërcitën karriget dhe partia u nda në dysh. Kjo ndarje u reflektua në zgjedhjet e radhës, në të cilat LDK-ja nga partia e parë doli e dyta, ndërsa elektorati humbi besimin në liderin që pasoi Rugovën në parti dhe në Presidencë.

Që nga ajo periudhë e deri sot, LDK-ja nuk po arrin të kthjellet. Tashmë të gjithë e kuptojnë se roli unifikues që Rugova kishte në parti ishte i pakontestueshëm. Jo që LDK-ja nuk ka ide, ose platformë qeverisëse më të mirë, por nuk arrin të krijojë unifikimin e brendshëm të rivalëve dhe ambiciozëve.

Rugova i fitoi zgjedhjet edhe atëherë kur promovoi kulturat autoktone, qentë e Sharrit, buallicat, rrushin e Rahovecit, pistilin, etj., ndërsa Isa Mustafa e Fatmir Sejdiu po premtojnë edhe “qumësht të bletëve” dhe nuk po arrijnë ta kthejnë besimin e humbur.

Nga partia që e udhëhoqi Rugova për dy dekada, dolën tri parti politike, LDK që trashëgoi shumicën e njerëzve në parti, LDD e cila nuk arriti të bëjë kthesë dhe Lista “Dr. Ibrahim Rugova” që drejtohet nga djali i tij, Uka.

Megjithatë tetë vjet pas vdekjes, gjërat kanë ndryshuar. Edhe rivalët e përbetuar, sot i bëjnë homazh pranë varrit, ndërsa i thurin oda e himne veprës së tij. Rugova tashmë është përjetësuar në shtatore bronzi, ndërsa edhe Rruga e Kombit e mban emrin e tij.

Derisa ai ka hyrë në analet e historisë, është e ndershme nga partia e tij, por edhe nga liderët tjerë, që të mos bëjnë fushatë zgjedhore me emrin e Ibrahim Rugovës. Ai sa jetoi krijoi imazhin e vet të pashlyer, ndërsa mbledhja e kokrrave në emër të tij, nuk i bën nder as Rugovës, si ish-presidenti i parë i Kosovës e as LDK-së, e cila po pretendon të reformohet dhe të zgjerohet. Ai ishte i veçantë me të mirat dhe të këqijat që kishte dhe ashtu duhet të mbetet.